Kapeçe rrëfen aventurën me Partizanin, elozhe për Alban Hoxhën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në një intervistë të gjatë për mediat italiane, Mario Kapeçe, 44 vjeç, flet mbi përvojën e tij si trajner portierësh.
"Fillova në Biella, Sud Tirol, Canavese, Ivrea, Sydney, Virtus Entella, deri në pozicionin aktual, te Partizani në Shqipëri. Në shtegtimim tim kam pasur fatin e mirë për t'u takuar dhe për të trajnuar shumë të rinj. Disa prej tyre janë konfirmuar si portierë, të tjerët kanë hequr dorë. Secili prej tyre më ka lënë mua diçka si mësimdhënie. Nuk mund të them se cili ka qenë lojtari më i mirë që kam trajnuar, sepse kjo do të ishte si t'i kërkosh një njeriu të familjes se cili është djali i preferuar (qesh). Për mua ata janë të gjithë portierë të mëdhenj dhe të mirë.
Gjykimi më tej është pasojë e rrugës që secili prej tyre ndjek në karrierë. Me djemtë e sektorit të të rinjve, përveç çështjeve themelore teknike, për një bazë në rritje ju duhet të punoni shumë në kulturën e vetërespektit, cilësi të cilën të rinjtë shpesh e humbasin lehtë. Nëpërmjet trajnimit të veçantë përpiqem të krijoj situata vendim-zgjedhjeje, që ata mund të reagojnë në mënyrë të balancuar.
Kur trajnon në ekipet e para, aspekti mendor është i rëndësishëm, që ankthi të mos ndikojë në performancë, ndërsa në aspektin teknik duhet punuar shumë në situata gare, për të përmirësuar vëmendjen gjatë ndeshjes."
Trajneri italian i portierëve të Partizanit i është përgjigjur edhe pyetjes se cili është portieri më i mirë në botë:
"Xhixhi Bufon, i cili mund të përballojë ndikimin e kaq shumë portierëve më të rinj. Ndërsa për ata që pëlqejnë portierët sulmues, besoj se Neuer, Ter Shtegen dhe Cilesen janë më të mirët në këtë rol, po ashtu pa harruar De Gea që bën mirë në vazhdimësi. Në Itali, idhulli im ishte gjithnjë Peruzzi. Sigurisht nuk mund të lë pa vlerësuar edhe portierët me të cilët kam punuar, Konsili, Sportielo, Perin dhe sigurisht Donaruma, për personalitetin e tij." Pyetjes se çfarë e dërgoi në Shqipëri, ç'është kjo aventurë e tij, Mario Kapeçe i përgjigjet:
"Te Partizani, pas dy muajsh jam i lumtur me zgjedhjen time. Ky është një kampionat i vështirë për intensitetin. Ne jemi të dytët, me 4 pikë larg skuadrës së parë dhe do të bëjmë gjithçka për të fituar titullin, çka do të na dërgojë në mënyrë direkte në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Nuk ishte e vështirë për të pranuar propozimin që më erdhi nga Partizani.
Unë kisha vetëm një takim me drejtorin Dervishi (njohës i futbollit italian dhe ndër më të mirët në bojskautizëm, i cili, gjithashtu, ka punuar te Varese dhe Verona) dhe me Agostinelin, të cilin projekti e ka bindur menjëherë. Pastaj, Paulo Tramezzani më dha informacionin e duhur për të përshpejtuar negociatat. Te Partizani, gjithashtu, kam nderin të trajnoj portierin e kombëtares shqiptare, zëvendësin e Etrit Berishës. E kam fjalën për Alban Hoxhën, që ka cilësitë teknike dhe njerëzore të një portieri të madh."
Kapeçe bën edhe rolin e lektorit në kursin e trajnerëve në FSHF për UEFA A. Javës së kaluar ka dhënë leksion tek ky kurs.