Josa: Vetëm fitore me Vllazninë, nuk merrem më me Partizanin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mirel Josa ka dalë sot në konferencë për shtyp duke folur për ndeshjen e nesërme ndaj Vllaznisë. Ai ka deklaruar se neser pret vetëm fitoren dhe me këtë objektiv do të futen kampionët në fushën e lojës.
Ai ka theksuar gjithashtu se nga sot nuk do merret më me rivalët e Partizanit pasi shikon vetëm ekipin e tij.
Josa dy javë pushim, ndikuan për mirë tek ekipi?
Pushimi ka qënë i detyrueshëm sepse luante ekipi kombëtar. Ne kemi vijuar normalisht stërvitjet si zakonisht, por në disa raste me intensitet më të madh për të vijuar përgatitjet e ndeshjes kundër Vllaznisë dhe ja sot (dje) kemi mbyllur këto përgatitje.
Në këto dy javë keni pasur shumë dëmtime. Si e keni parë mungesën e lojtarëve?
Dëmtimet janë diçka që janë prezente në futboll. Kështu që është normale por dëmtimi është gjithmonë problematik, ndërkohë që ekipi e ka forcën e duhur për të përballuar dhe kaluar këto dëmtime.
Cili është dëmtimi më i rëndësishëm për Josën para Vllaznisë?
Të gjitha dëmtimet për mua janë problematike. Normal që dëmtimi i Plakut dhe Salihit më shqetësojnë por edhe i Shkëmbit. Këto janë dëmtime që do të na kushtëzojnë pasi ekipi është mësuar të luajë me këta lojtarë dhe zëvendësimet ishin më të mira po me këta lojtarë. Çdo dëmtim ka specifikën e vet por ne si skuadër kemi ngarkesën e duhur me elementë, që të përballojmë edhe të tilla situata. Salihi sigurisht që është një mungesë më e madhe se të tjerat pasi është golashënuesi më i mirë i superligës dhe kjo dihet.
Nesër kundër Vllaznisë, sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje, përballë ekipit të vetëm që ju ka mundur në fazën e tretë?
Nuk mund ta analizojmë kështu kundërshtarin, për vetë faktin se Vllaznia ka fituar në Shkodër përballë nesh. Unë Vllazninë e konsideroj si një ekip që do të vijë këtu për të plotësuar objektivin e vet, dhe një ekip që do të luajë më lirshëm, pasi ka një distancë të konsiderueshme nga ndjekësja e saj. Kjo do ta bëjë këtë ekip që të luajë më lirshëm dhe duke treguar futbollin e mirë që dinë të bëjnë.
Do të jetë e vështirë për Skënderbeun ky 90 minutësh?
Të gjitha ekipet këtu ne na luajnë në mbrojtje por nuk mendoj të njëjtën gjë për Vllazninë. Ne duhet të jemi të përgatitur që të reagojmë ndaj Vllaznisë edhe kur ajo sulmon edhe kur ajo mbron, për vetë faktin që të jemi sa më të shpejtë dhe të krijojmë sa më saktë situatat sulmuese.
Xhejms-Renatinjo do të jetë dyshja e sulmit?
Është një element që do ta shohim deri në fund. Por ka shumë mundësi që ta nisim me këta dy emra nga minuta e parë.
Partizani luan në një orar para Skënderbeut. Josa do ta ndjekë këtë takim dhe më pas do të vijë në stadium?
Nuk do të merem më me çështjen Partizani. Kjo sepse ndodhin disa keqkuptime me intervistat që jap duke i dhënë material të tjerëve të meren me ne. Ne duhet të shikojmë orën 19:00 të ditës së nesërme për të parë sesi do ta interpretojmë lojën kundër Vllaznisë. Kështu që unë jam i kënaqur vetëm me fitoren e ekipit dhe me marrjen e tre pikëve. Dhe më pas të mendojmë për kupën.
Muaji prill do të luajë shtatë takime. Janë vendimtare këto ndeshje?
Unë besoj se po. Do të vendosen shuëm gjëra. Ne do të mundohemi që të ecim në mënyrën tonë të duhur, duke kërkuar të qëndrojmë brenda objektivave. Duhet të jemi të gatshëm që në çdo situatë të përballojmë diferencën me Partizanin. Ju e shikoni se lojtarët që po përdoren janë grupi ekzistues dhe pres shumë prej tyre.
Titulli është objektivi i Skënderbeut. Tani në 9-të javë nga fundi cila është pritshmëria juaj?
Nuk ka sesi një trajner të mos jetë optimis kur ka një ekip cilësor dhe diferenca me ndjekësin më të afërt është katër pikë. Kur ata që janë pas nesh janë optimistë atëherë është e pakuptimtë që ne të mos jemi të tillë. Jemi të parët dhe do të mundohemi të mbajmë kështu këtë diferencë me kundërshtarin duke shmangur hapat fals.
Së fundi, vetëm fitore nesër ndaj Vllaznisë?
Patjetër ne do të hyjmë në fushë për të fituar. Ne duhet të respektojmë fillimisht kundërshtarin por edhe lodhjen tonë që nga fillimi i sezonit deri tani. Nuk kanë qënë vetëm impenjime fizike por edhe psikologjike pasi kemi përjetuar një situatë të re me hyrjen në Europa League. Nuk mund të jemi mëndjemëdhenj dhe të themi që fiton Skënderbeu patjetër këtë takim të së shtunës. Do të jemi të përqëndruar dhe do të kërkojmë fitoren jo vetëm në këtë takim por në të gjitha javët që na mbeten për t'u luajtur deri në fund.