Januzaj ne gjurmet e Kantones, Bekamit dhe Ronaldos
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Adnan Januzaj në gjurmët e legjendave të Mançester Junajtid: Xhorxh Best, Brajan Robson, Erik Kantona, David Bekam dhe Kristiano Ronaldos. Adoleshenti me origjinë shqiptare, por i lindur në Bruksel të Belgjikës, me paraqitjet e këtij sezoni, ka “fituar” fanellën legjendare me numrin 7 të klubit, të veshur më parë nga ikona si Best, Robson, Kantona, Bekam dhe Ronaldo, të cilët kanë lënë gjurmë të padiskutueshme për vite me radhë. I pari legjendë që ka mbajtur këtë fanellë ka qenë Xhorxh Best, në vitet 1963-1974. Ai ka fituar edhe një top të artë me fanellën e Mançesterit, në vitin 1968, duke mbajtur fanellën me numrin 7. Pas tij, fanella është veshur nga Brajan Robson, në vitet 1981-1984.
Ndërkohë, francezi Kantona ka luajtur me Mançesterin në vitet 1992 deri në vitin 1997, ku dhe u tërhoq përfundimisht nga futbolli i luajtur, duke fituar katër kampionate dhe dy kupa mbretëreshe, ndërsa ka qenë një nga mesfushorët më të mirë të asaj kohe. Madje, në vitin 1993, ka dalë i treti për topin e artë, duke u renditur pas Roberto Baxhos dhe Denis Berkampit. Ai ka veshur fanellën me numrin 7 në këtë klub. Pas Kantonasë, këtë fanellë e ka mbajtur David Bekam, i cili ka luajtur me Mançester Junajtid në vitet 1993-2003, duke dalë si produkt i akademisë së klubit. Por, fanellën me numrin 7 Bekam e ka fituar vetëm pas tërheqjes nga futbolli të Kantonasë, duke e mbajtur mbi supe për mbi 6 sezone. Në “mbretërimin” te Mançesteri, Bekam fitoi gjashtë kampionate, dy kupa mbretëreshe, një Champions League dhe një kupë interkontinentale, para se të largohej drejt Realit të Madridit.
Legjenda e radhës që ka mbajtur veshur këtë fanellë ka qenë Kristiano Ronaldo, nga viti 2003, kur dhe u largua Bekami, deri në vitin 2009. Përgjatë këtyre viteve, Ronaldo fitoi me Mançesterin tri kampionate, një kupë mbretëreshe, një Champions League dhe një botëror për klube. Edhe Ronaldo ndoqi gjurmët e Bekamit dhe u largua drejt Realit të Madridit, në verën e vitit 2009, për shifrën rekord të asaj kohe 94 milionë euro.
Tashmë, legjenda e radhës e Mançesterit është as më pak dhe as më shumë, por Adnan Januzaj, i cili firmosi një kontratë afatgjatë me klubin para disamuajsh, duke refuzuar një sërë klubesh prestigjioze nga mbarë bota.
Për veshjen e kësaj fanelle nga Januzaj kanë komentuar edhe mediat angleze, të cilat kanë saktësuar se menaxheri i skuadrës, David Mojes, synon që ta bëjë Januzajn një nga lojtarët më të mirë në botë. Madje, ai ka “snobuar” edhe ardhjen e Huan Matas, duke i dhënë lojtarit spanjoll fanellën me numrin tetë. “Mendoj se numri 8 është një numër shumë i mirë dhe më pëlqen shumë. E di që numri 7 është special në këtë klub dhe kam folur me Mojes dhe kemi vendosur që numri 8 është i duhuri për mua. Shpresoj të më sjellë fat”, ka thënë Mata në prezantimin e tij te Mançester Junajtid, duke i hapur rrugë shqiptarit të veshë fanellën legjendare.
Ndërkohë, dje mediat angleze kanë shkruar se klubi ka refuzuar disa muaj më parë një megaofertë për Januzajn nga sheikët e PSG-së.