Januzaj e Xhaka i thone Po Kosoves Jo e perkohshme nga Behrami

Januzaj e Xhaka i thone 'Po' Kosoves, 'Jo' e perkohshme nga Behrami

Burime të koha.net bëjnë me dije se Kosova është shumë afër pranimit me të drejta të plota në institucionet më të larta të futbollit, FIFA dhe UEFA.

Kjo është konfirmuar nga zyrtarë të lartë në Federatën e Futbollit të Kosovës, që kanë treguar se kanë mbajtur takime sekrete me kreun e UEFA-s, Michel Platini, i cili ka pranuar se Kosova ka marrë votat e shumicës së pjesëtareve të këshillit kryesor për t’u pranuar me të drejta të plota.

Me të marrë këtë lajm, FFK-ja ka dërguar skautët e saj për të zbuluar talentet futbollistik dhe për të nisur bisedimet me lojtarët tashmë të njohur shqiptarë në përfaqësuese tjera.

Kryetari i Federatës, Fadil Vokrri, në bazë të burimeve, në mbrëmjen e së dielës ka udhëtuar për në Angli për t’u takuar me babanë e Adnan Januzajt, Abedinin, nga i cili do të kërkojë zyrtarisht që anëtari i Manchester Unitedit të largohet nga përfaqësuesja belge dhe të kthehet për Kosovën. Vokrri pret ta shfrytëzojë rastin pasi që Belgjika kohëve të fundit nuk është duke llogaritur në Januzajn.

“Ai ka udhëtuar gjatë uikendit për tu takuar me Abedinin, i cili është shprehur i frustruar me mos ftesën nga Belgjika për djalin e tij dhe ftesën e Kosovës e sheh si të duhurën për Adnanin”, ka thënë burimi.

Muharrem Sahiti, sekretar i Federatës, në anën tjetër, është nisur për në Zvicër ku është takuar me Granit Xhakën dhe me Valon Behramin. Në një bisedë telefonike është konfirmuar se Behrami nuk ka pranuar të ndërrojë përfaqësuesen pa pasur një njoftim zyrtar nga UEFA, ndërsa Xhaka është shprehur i hapur, por nuk ka dhënë përgjigje definitive.

“Graniti veçse e ka konfirmuar se do të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në rast se pranohemi në UEFA, ndërsa tani ka mbetur të bisedohet me Behramin. Ai po pret konfirmimin zyrtar për pranim”, ka thënë Sahiti.

Por portali Koha.net mëson se konfirmimi nuk është shkas për mospranimin e menjëhershëm të ftesës së Kosovës nga ana e Behramit. Këto ditë ka pasur mosmarrëveshje mes babait të tij dhe zëvendësministrit Gani Koci, i cili e ka fyer mesfushorin e Zvicrës.

I hapur ka mbetur opsioni me futbollistin e Interit, Xherdan Shaqiri, i cili nuk është përgjigjur në ftesën e federatës, sepse kjo ndodhi në “Ditën e Gënjeshtrave”.

Përpos këtyre futbollistëve, krerët e FFK-së pritet të takohen edhe me qeveritarët në mënyrë që të sigurojnë fonde për të shtuar kapacitetin në infrastrukturën vendore, por kjo nuk pritet të ndodhë pasi që e gjitha ishte thjesht trillim. Është 1 prilili.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama