E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ja si e futi ne kurth biznesmenin juristja 24-vjecare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ja si e futi ne kurth biznesmenin juristja 24-vjecare
Katër të rinjtë të cilët u arrestuan dje për gjobëvënie 100 mijë euro donin të fusnin  në kurth biznesmenin Juland Mustafaj nëpërmjet joshjes seksuale. Ata nisën planin ndaj 36-vjeçarit sipërmarrës në fushën e topografisë nëpërmjet Ravjola Lilajt,  një juriste 24- vjeçarja me origjinë nga  Memaliaj e cila nisi të flirtonte me biznesmenin. Ata e kanë shantazhuar biznesmenin pasi kishin dijeni të plota rreth familjes së tij, banesës dhe aktivitetit privat.

Ervin Gjana dhe Altin Dardha kanë grumbulluar informacion të bollshëm rreth biznesmenit 36 vjeçar Julind M., të cilin e kanë ndjekur hap pas hapi duke mësuar rreth të ardhurave që siguronte nga aktiviteti tregtar, identitetin e fëmijëve dhe gruas. Pas marrjes së këtyre të dhënave ata kanë ngritur aktivitetin për të futur në kurth biznesmenin duke futur në lojë 24-vjeçaren Raviola Lila.

Ajo ka nisur të frekuentojë lokalet ku ka qenë biznesmeni dhe ka nisur të flirtojë për disa ditë me radhë derisa ia ka arritur qëllimit për të krijuar një lidhje intime. Në një nga takimet e radhës, ata janë ulur fare pranë duke përkëdhelur dhe në ato momente ka ndërhyrë Gjana dhe Dardha duke e kërcënuar dhe ushtruar dhunë verbale mbi vajzën për veprimet e pahijshme që kryente në publik. Pjesë e ofendimeve është bërë edhe “i dashuri” i saj dhe loja ka vazhduar aq sa njëri ka tentuar ta godasë, por tjetri gjasme e ka mbajtur dhe pas sharjeve janë larguar.

TAKIMI I PARË

Takiminin e tyre të parë e ka "stisur" shtetasi Ervin Gjana nëpërmjet një të njohurës së tij. E arrestuara Lila është ulur "si rastësisht" me biznesmenin në të njëjtën tavolinë dhe brenda javës duket se ka arritur t'i tërheqë atij vëmendjen dhe të niste takimet "kokë më kokë" dhe në fshehtësi me 36-vjeçarin Mustafaj. Biznesmeni ka kujtuar se bëhej fjalë për një flirt klasik kur takonte 24-vjeçaren, por kjo e fundit nga ana e saj rezultonte se flirtin me Mustafajn e kishte thjesht një "çështje të programuar".

Pas çdo takimi me Mustafajn vajza 24-vjeçare raportonte te i dashuri i saj, shtetasi Altin Dardha, i cili mesa duket është dhe organizatori i të gjithë lojës. Në një moment Dardha ka inskenuar një skenë sëbashku me të dashurën dhe ka "kapur në flagrancë" çiftin duke luajtur madje dhe rolin e djaloshit të revoltuar që do të bënte çdo gjë vetëm për të vënë drejtësinë në vend. Duket se ky fakt  e ka bërë vulnerabël biznesmenin dhe prej këtij momenti  mes të treve ka nisur një marrëdhënie e tensionuar ku tre ditë më parë Altin Dardha dhe Raviola Lila menduan të arrinin në pikën finale të planit të tyre: Shlyerjen e fajit me gjobë nga biznesmeni. Dardha i vuri biznesmenit një gjobë prej 25 mijë eurosh, duke i bërë të qartë edhe në tre sms të këmbyera mes tyre se nëse nuk do të paguante shumën e të hollave atëherë do të paguante edhe më shtrenjtë.

Porsa ka marrë shantazhin me sms dhe ultimatumin për të bërë pagesën brenda 48 orëve biznesmeni ka trokitur në dyert e policisë së kryeqytetit. Agjentët e kanë pajisur biznesmenin me përgjues dhe një sasi prej 25 mijë eurosh me numër serial të regjistruar paraprakisht. Nga ana tjetër janë vënë në përgjim të menjëhershëm numrat telefonik të Altin Dardhës dhe Raviola Lilës dhe nga thirrjet e realizuara prej tyre hetuesit mësuan se pjesë e skemës dhe e planit ishin dhe dy shokët e Altinit shtetasit Ervin Gjana dhe Rustem Koçi. Natyrisht që anëtarët e kësaj bande amatorësh nuk e kishin idenë se ishin "kokë e këmbë" nën përgjim dhe kanë komunikuar lirshëm me njëri tjetrin për momentin e "dorëzimit të lekëve". Biznesmeni Mustafaj ka dorëzuar 25 mijë eurot ndërsa fill pas dorëzimit kanë ndërhyrë agjentët dhe kanë prangosur katër të dyshuarit.

Nga ana e saj policia në deklaratën e saj zyrtare të dhënë dje tha se të rinjtë kishin planifikuar në total zhvatjen e 100 mijë eurove dhe se 25 mijë euro ishte vetëm kësti i parë.

 Në njërin prej mesazheve dërguar biznesmenit, i është thënë se kishte vetëm 24 orë kohë për të bërë dorëzimin e 25 mijë eurove të kërkuara si shpagim i lidhjes së tij me femrën bashkëpunëtore. Ervin Gjana, 22 vjeç, Altin Dardha, 22 vjeç, Rustem Koçi, 21 vjeç, Raviola Lila, 24 vjeç pritet të dalin nesër në gjykatë për masë arresti.