e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Italia ngec serish te barazimi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Italia ngec serish te barazimi
Italia nuk e ka prishur dot syrin e keq, duke mos e mundur Kroacinë as pas 70 vitesh në të tilla nivele. Falë Andrea Pirlos magjik, që dhuron spektakël me dirigjimin e lojës së axurrëve, por edhe me atë goditje dënimi perfekte, që e ktheu në gol afër fundit të pjesës së parë, kombëtarja e Cezare Prandelit u duk se do t’ia dilte karshi ballkanasve të Sllaven Bilicit, popr minuta e 72-të ka qenë ndëshkuese për ta, sepse kanë pësuar golin e barazimit, duke mos i marrë tri pikët as në ndeshjen e dytë në grup.

Mandzukic ka barazuar shifrat e kësaj sfide mjaft të luftuar, duke u barazuar me Gomez dhe Dzagoev, në krye të listës së golashënuesve më të mirë të këtyre finaleve “Euro 2012”, me tre gola. Pas debutimit të vështirë me Spanjën, ku mori një barazim 1-1, Italia u ndesh në sfidën e dytë në grupin C me Kroacinë, ku barazoi, duke e lënë ende në diskutim kalimin në cerekfinale.

Skuadra e Slaven Biliç mbetet një mace e zezë për të kaltrit: në 7 precedentët e luajtur, e vetmja fitore e Italisë datonte në 1942-in, kur është zhvilluar edhe përballja e parë mes dy ekipeve. Pastaj, krijimi i bllokut jugosllav ka bërë të pamundur konfrontime të tjera për gati gjysmëshekulli. Pas kësaj kohe Italia nuk ka fituar më me ballkanasit prej 70 vitesh. Në fakt, ekipi i të kaltërve ka humbur ndaj Kroacisë në Botërorin e 2002-it dhe po ashtu edhe në precedentin e fundit, një miqësore e zhvilluar në Livorno.

Ndeshja Edhe pse ishte një sfidë vendimtare, Prandeli nuk kishte bërë ndryshime në formacion, duke i besuar 11-shes që luajti edhe ndaj iberikëve. Pavarësisht se shënoi gol sapo u fut në lojë në sfidën paraardhëse, Antonio di Natale e ka nisur edhe ballafaqimin me kroatët nga stoli, sepse dyshja e sulmit vijon të jetë Baloteli-Kasano. Trajneri Prandeli ka marrë edhe kësaj here disponibilitet të plotë, sepse axurrët ishin plot dëshirë dhe bindje për të marrë maksimumin, sidomos në pjesën e parë.

Të kaltrit janë bazuar më së shumti tek fantazia e Pirlos, që ka spikatur edhe kësaj here, derisa lodhja fizike bëri të vetën, tek pasimet e përpikta dhe tepër të zgjuara të tij, por edhe te goditjet standarde të mesfushorit të Juventusit. Ai ishte busulla e gjithckaje ndërtonte Italia. Më tepër se kaq, të kaltrit janë mbështetur edhe te qetësia e grupit, por duke mos arritur dot rezultatin pozitiv, sepse një herë të vetme gabuan në mbrojtje dhe u ndëshkuan nga Mandzukic.

Aspekti psikologjik dukej në lartësinë e duhur te axurrët, cka i ka ndihmuar ata ta udhëheqin lojën në pjesën e parë, por të vuajnë disi në fraksionin e dytë, kur erdhi edhe barazimi. Italianët kanë alternuar bukur sulmin dhe mbrojtjen, duke qëndruar kompaktë dhe të duruar për të pritur rastin e duhur. Duke pasur eksperiencë, të kaltrit ditën ta administronin me sukses edhe presingun e rivalit, derisa erdhi minuta e 72-të, kur ballkanasit i ndëshkuan. Skuadra e Prandelit e qarkulloi me shumë qetësi topin dhe kjo u dha mundësinë të krijonin hapësirat e nevojshmë për të vepruar dhe rrezikuar. Aksionet e tyre më të rrezikshme ishin sidomos ato graduale, ndaj të cilave Kroacia e pati të vështira për të reaguar.

Nga ana e vet, Kroacia, që e ka fituar ndeshjen e parë në grup ndaj Irlandës së Trapatonit, u paraqit e denjë dhe një kockë e fortë, që kërkonte të gjente hapësirën për të depërtuar në thellësi të zonës rivale. Ballkanasit u jepnin gjithnjë rëndësi manovrave ofensive nga krahët, ndërkohë që gjatë ndeshjes ndryshonin edhe modulin taktik pa probleme. Kjo gjë tregon shumë për sa i përket cilësisë së tyre.

Duke qenë se futbollistët e kombëtares kroate e njohin mirë njëri–tjetrin, ekipi i Biliç e vuri në vështirësi Italinë, pati intensitet loje, ishte shumë i vështirë që t’i bëhej ballë sa i përket këndvështrimit fizik. Ky komponent thelbësor në futbollin e sotëm ra më shumë në sy cerekorëshin e fundit të ndeshjes, kur Pirlo humbi freskinë e tij dhe kësisoji Italia mbeti sit ë thuash në dorë të rastësisë. Kroatët, në përgjithësi luajtën të organizuar dhe i nxorën mjaft probleme formacionit të Prandelit, i morën atij një barazim që vlen më shumë për ta, pasi tashmë kanë katër pikë dhe janë në rrugën e duhur për t’u kualifikuar në grup, edhe pse ndeshjen e fundit do ta luajnë me kampionen e Europës në fuqi, Spanjën.

Kroacia kishte paralajmëruar të neutralizonte Pirlon, burimin e lojës së italianëve, por realiteti dëshmoi të kundërtën në pjesën më të madhe të lojës, derisa “bateritë” e lanë fantazistin e Juves. Duke mos pasur mundësi që të harxhojë një lojtar për t’u marrë vetëm me të, Bilic pretendonte ta “mbyllte në kafaz” juventinin. Një pjesë e mirë e lojtarëve kroatë, përveç detyrave të zakonshme, duhej të merreshin edhe me të.

Nuk ia dolën sa duhet në këtë aspekt, prandaj mesfusha italiane pati “mbretin” e vet në ditën më të mirë përreth 70 minuta, ndërsa sulmi i kaltër pati furnizimin e duhur me topa, pavarësisht se si repart mbeti në hije. Gjithashtu, axurrët gjetën golin e fitores së përkohëshme, në minutën e 39-të, po përmes tij. E thënë ndryshe, Italia iu fal këmbëve dhe magjisë së Pirlos në këtë ndeshje, por kjo s’e shpëtoi dot nga ndëshkimi dhe barazimi i rezultatit, sepse mbrojtja gaboi në rastin e rrjetës së Mandzukicit.