e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Iridion Bahiti: Arbitri na tha mos u lodhni kot, fiton Lushnja

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Iridion Bahiti: Arbitri na tha mos u lodhni kot, fiton Lushnja

BahitiAkuzat për korrupsion dhe trukim ndeshjesh janë kryefjala e këtyre ditëve në Kategorinë e Parë. Skan dali që ka shpërthyer është tashmë një plagë e hapur, në një kohë që FSHF apo edhe institucionet e tjera duhet minimalisht të ndërhyjnë për të vërtetuar apo hedhur poshtë këto akuza. Një prej skuadrave që u përfshi një ditë më parë në këtë skandal ishte edhe Sopoti.

Presidenti i Turbinës, Gentjan Gjoka, akuzoi librazhdasit se kishin toleruar hapur në sfidën ndaj Elbasanit. Në një intervistë për gazetën "Panorama Sport", administratori i Sopotit, Iridion Bahiti, hedh poshtë akuzat e cërrikasve. Ai zgjeron skandalin duke hedhur një akuzë të fortë se kampionati i Kategorisë së Parë është i përcaktuar që në fillim se cila skuadër do të ngjitet dhe cila do të zbresë. "Pjesa tjetër është teatër", thotë Bahiti.

Presidenti i Turbinës, Gentjan Gjoka, ka akuzuar Sopotin se ia ka lënë ndeshjen hapur Elbasanit. Reagimi juaj për këtë çështje?

Mendoj se në fazën e tretë në të cilën ndodhet kampionati, kjo punë është. Do zihen dhe do akuzojnë njerëzit për shitje apo blerje. Aktualisht, klubi ynë nuk ka më sponsorë dhe në Pezë nuk e përballojmë dot më që të luajmë ndeshjet dhe të paguajmë nga një mijë euro. Në këtë mënyrë ramë dakord që atë takim ndaj Elbasanit ta luanim në "Elbasan Arena". Por, nëse do të shikoni kronikën e atij takimi, ata kanë shënuar dy supergola nga 30 metra dhe nuk se ke çfarë t'u bësh. Kaluam ne të parët në avantazh dhe më pas e përmbysi Elbasani, por goli i dytë i atyre ishte faull.

Keni toleruar ndaj Elbasanit apo jo?

Sigurisht që jo. Nuk është faji ynë që Turbina ndodhet në ato pozita dhe në këtë mënyrë akuzojnë kot. E them me bindje që Sopoti nuk ka toleruar. Le të shohin pamjet filmike dhe të gjykojnë. Nëse me të vërtetë skuadra ime ka toleruar, atëherë të merren masa administrative. Personalisht, nuk kemi asgjë me Turbinën. Kemi luajtur drejt si në sfidën me verdheblutë, ashtu edhe në të gjitha takimet e tjera. Ne nuk shpëtojmë dot as Elbasanin, Turbinën apo asnjë ekip tjetër.

Jeni administrator i Sopotit prej disa sezonesh dhe në një- farë mënyre e njihni tashmë Kategorinë e Parë dhe mbi të gjitha Grupin B. Si e gjykoni këtë situatë ku ka çdo ditë akuza për tolerime, trukime dhe tentativë korrupsioni të lojtarëve në grupin ku bën pjesë edhe skuadra që ju përfaqësoni?

Problemi qëndron te skuadrat e vogla që nuk kanë financa. Unë e kam të zgjidhur këtë pjesë për sa u përket lojtarëve, pasi ata i kanë të sigurta pagesat deri në fund të kampionatit. Ndërsa Elbasani apo Turbina nuk kanë kokërr leku dhe nisin e flasin. Por, futbolli luhet dhe kërkon para e jo llafe. Gjithashtu, në ndeshjen me Elbasanin kishim katër mungesa. Është edhe një faktor tjetër. Ne kemi një filozofi të qartë. Duke qenë se e kemi siguruar qëndrimin në kategori dhe nuk rrezikojmë, po i japim hapësirë djemve të Librazhdit, lojtarë të rinj që i promovojmë për vitin tjetër. Ndërsa këta futbollistët që paguhen nga 700 mijë apo 1 milionë lekë në muaj nuk aktivizohen shumë dhe në këtë mënyrë u ulet rroga. Kjo është filozofia jonë. Por, si ekipet e para apo të fundit shkojnë e kapin skuadrat e mesit si Sopoti apo të tjera. Por, ne nuk tolerojmë dhe nuk kemi për ta bërë asnjëherë këtë.

Katër ditë më parë, klubi i Luftëtarit hodhi dyshime të forta për ryshfet në adresë të drejtorit teknik të Sopotit, Nesti Binishi, i cili ndodhej përpara dhomës së arbitrave në sfidën mes Turbinës dhe gjirokastritëve të mërkurën e kaluar. Komenti juaj?

Ai është drejtori teknik i Sopotit dhe kjo nuk diskutohet. Luftëtari të shikojë punën e vet, pasi nuk ka arritur me meritë deri aty. Me meritë jemi ne të tjerët që ndodhemi në këto pozita që jemi. Të shohin punën e tyre dhe jo të merren me drejtorin teknik tonin se sheh një ndeshje aty apo këtu. Drejtorin teknik e çoj unë aty si përfaqësues të Sopotit që të shohë gjendjen e Luftëtarit apo të Turbinës. Se ai për këtë punë është.

Mendoni se Luftëtari ka blerë ndeshje për të qenë aty ku është?

Unë them që deri aty ku është ka arritur në mënyrë të padrejtë dhe jo me forcat e veta. Nuk është aty me futboll të pastër dhe "fair play". Me lojë të tillë të pastër është Apolonia, ne apo Lushnja në vendet e mesit. Luftëtari të shohë punën e vet dhe të mos merret me Sopotin.

Jeni mundur dje në Lushnjë, në një kohë që keni protestuar në fund të takimit. Çfarë ndodhi?

Po, pësuam gol në minutën e 90-të me penallti. Por, duhet të kuptoni diçka. Arbitri sot (dje) kishte marrë urdhër që të fitonte Lushnja medoemos për të bërë ndere më pas në javët në vazhdim. Kampionati i Kategorisë së Parë është i përcaktuar që ditën e parë që fillon se cila skuadër do ngjitet dhe cila do zbresë. Pjesa tjetër është teatër dhe jo futboll. Ashtu siç nuk luajtëm dot futboll në Elbasan, e njëjta gjë edhe sot (dje) dhe po kështu do të jetë edhe në sfidat me Pogradecin dhe Luftëtarin. Edhe gjyqtari sot (dje) u tha lojtarëve të mi kur mbaroi pjesa e parë 1-0 për ne, 'mos u lodhni kot se do fitojë Lushnja'. Futbollistët u bënë gati për ta lënë ndeshjen, por nëse do të ndodhte kështu, dënohej ekipi. Kështu që kjo është e gjithë situata në futbollin shqiptar. Shihni edhe humbjen e Apolonisë sot (dje). E la ndeshjen me Dinamon, pasi e pa që çdo gjë është e përcaktuar. Fieri e la kampionatin në shenjë proteste. Në këtë mënyrë, ne si skuadër nuk kemi se çfarë të bëjmë as ndaj Luftëtarit apo Pogradecit, pasi nëse do të tentojmë të luajmë normalisht, plas sherri dhe më pas na dënojnë duke rrezikuar edhe përjashtimin nga kampionati. Kështu që nuk kemi rrugë tjetër, pasi nuk të lënë arbitrat dhe FSHF.