e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Intervista/ Akuzat për penalltinë, Shehi: Nuk vodhëm asgjë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Intervista/ Akuzat për penalltinë, Shehi: Nuk vodhëm asgjë

Polemikat e ngritura pas ndeshjes nga klubi Partizani dhe drejtori i të kuqve, Dervishi, duket se nuk e shqetësojnë aspak portierin dhe kapitenin aktual të Skënderbeut, Orges Shehi.shehi"Gardiani" durrsak i Skënderbeut, i kontaktuar nga "Panorama Sport", gjatë intervistës së dhënë nuk ka pranuar të vijojë polemikat e bëra së fundmi nga Partizani.

Shehi e quan kapitull të mbyllur këtë takim për Skënderbeun, që mori një barazim mjaft me vlera për luftën e titullit kampion. Ai fton ekipin që të mendojë vetëm për ndeshjen e radhës.

Orges, Partizani po kundërshton ashpër rastin e penalltisë duke bërë me dije se duhej përsëritur, pasi ju keni lëvizur 2 metra nga vija e portës. Si e gjykoni këtë rast?

Unë nuk dua të merrem më me atë ndeshje dhe me episode të këtij takimi. Ne e kemi mbyllur kapitullin e takimit kundër Partizanit dhe për ne nuk ka më asnjë arsye që ta komentojmë më. Morëm atë që deshëm nga ajo ndeshje dhe tani duhet ta kemi mendjen te takimet e radhës.

Megjithatë, Partizani vijon t'i mëshojë shumë faktit që arbitri ishte përcaktues në atë barazim...

Unë asnjëherë nuk kam gjykuar arbitrat për atë që bëjnë në fushë. Por mund të them se arbitri nuk ishte përcaktues në atë takim, madje kanë mbajtur një ndeshje tepër korrekte. E thashë edhe më sipër, nuk dua të komentoj aspak deklaratat e kundërshtarit tonë, për vetë faktin se ky kapitull për ne është i mbyllur tashmë dhe kemi filluar të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Barazimi në Tiranë i hap rrugën e titullit Skënderbeut?

Sigurisht që ishte një rezultat mjaft i përshtatshëm për ne. Ishte një barazim i vlefshëm nga mënyra se si u zhvillua loja. Për ne ishte e rëndësishme që të mos humbnim në këtë ndeshje dhe besoj se ia arritëm qëllimit me pikën e marrë. Por, megjithatë, janë ende shumë ndeshje përpara dhe ne do të tregohemi të kujdesshëm duke mos u lehtësuar pas këtij rezultati por duke vijuar fitoret në ndeshjet e tjera që do të kemi përballë.

Keni edhe 10 javë deri në fund, si i shikoni këto përballje?

Unë doja të thosha se pavarësisht barazimit të marrë në ndeshjen kundër Partizanit, ne kemi pasur një ecuri të mirë dhe kjo është mjaft e rëndësishme për Skënderbeun. Që pas ndeshjes kundër Vllaznisë në Shkodër kemi marrë rezultate shumë të vlefshme, sidomos fitorja kundër Teutës dhe Tiranës. Tani duhet të vazhdojmë me këto ritme për të ecur të qetë drejt titullit kampion.

Ndeshja kundër Flamurtarit sa e rëndësishme dhe e vështirë është për Skënderbeun, ndonëse e luani në shtëpi?

Mbetet një ndeshje kyçe, pasi Flamurtari është një ekip që pavarësisht pozicionit që ka në renditje, ka një ekip shumë cilësor dhe duhet të kishte shumë më shumë pikë. Është një ekip që luan fort kundër ekipeve të mëdha dhe kjo na bën që të jemi më të kujdesshëm dhe të mos e marrim lehtë. Do të jetë një ndeshje delikate dhe kjo nuk ka as më të voglin dyshim.

Fakti që do të luani 6 nga 10 takime në shtëpi është një plus për ju?

Sigurisht. Është një plus i madh për ne të luajmë më shumë në shtëpi, përballë publikut tonë dhe kjo do të na japë krahë. Megjithatë, mund të them se ne kemi treguar se edhe në transfertë dimë të fitojmë, si dhe të marrim pikët që na duhen. Prandaj, e rëndësishme është t'i marrim takimet një e nga një, duke mos u zgjatur në hapa të mëdhenj, por duke u përqendruar vetëm te sfida e radhës. Janë shumë pikë në dispozicion dhe gjithçka është ende e hapur, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në këtë aspekt.

Titujt zakonisht fitohen kundër ekipeve të vogla, fakti që në Shqipëri janë katër ekipe që kërkojnë mbijetesën e vështirëson këtë objektiv?

Edhe unë personalisht mendoj të njëjtën gjë. Të paktën në këto pesë vite ne e kemi fituar titullin duke dominuar takimet me rivalët tanë dhe duke fituar me të voglat. Edhe këtë sezon jemi në këto pozita. Kemi krijuar dominim mbi rivalët e titullit, ndërsa do të mundohemi të mos gabojmë me ekipet që konsiderohen të vogla në letër, të cilat kërkojnë pikë mbijetese. Çelësi ynë i suksesit është që i vlerësojmë maksimalisht të gjitha takimet dhe të gjithë kundërshtarët, pavar- ësisht pozicionit në renditje. Kjo është ajo që na jep qetësinë.

Këtë sezon jeni në rrugën e duhur edhe në Kupë. Mendoni që është viti të bëni dopietë?

Jemi të shkëputur katër pikë në kampionat dhe kjo nuk është një distancë shumë e madhe, por është komode për të menduar qetësisht për ndeshjen e radhës. Në Kupë jemi në gjysmëfinale, por këtë vit do të mundohemi të bëjmë më shumë se herët e tjera, pasi nuk i kemi dhënë rëndësinë e duhur. Këtë sezon e duam më shumë se kurdoherë këtë trofe dhe kjo do të thotë se mund të jetë sezoni i duhur për ta sjellë në Korçë edhe Kupën, pasi është një trofe që i mungon klubit.

Përgatiti: LLAZI SARO