e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

I jepet lamtumira gjyqtarit Rigers Pjetrushi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
I jepet lamtumira gjyqtarit Rigers Pjetrushi
Presidenti i Klubit të futbollit Besëlidhja, Gjok Ndoka, si dhe administrata e Klubit kanë organizuar në ambjentet e stadiumit homazhet për të përcjellë në banesën e fundit gjyqtarin dhe oficerin e nderit, Rigers Pjetrushi, i cili u nda nga jeta në një aksident automobilistik tri ditë më parë, teksa po kthehej nga Gjirokastra pas gjykimit të ndeshjes Luftëtari-Kastrioti.

Federata Shqiptare e Futbollit, sportisët, gjyqatë, drejtues të Forcave Detare të Shqipërisë, si edhe të Kapitenerisë, autoritete politike dhe lokale, si edhe miq të familjes Pjetrushi dhe qytetarë të thjeshtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit Rigers Pjetrushit, i cili u nda nga jeta në moshën 32-vjeçare. Familja Pjetrushi është një ndër familjet më të njohura në sportin shqiptar. Rigersi kishte ecur në gjurmët e të atit Ëngjëllit, si dhe xhaxhait Prekës, të njohur si gjyqtarë, e ndërsa Rigersi e ka nisur karrierën e tij në fushën e sportit, që në moshën 7-vjeçare si sportist dhe para disa vitesh Rigersi ka kaluar si gjyqtar, duke gjykuar ndeshjet e kategorisë së parë dhe së fundmi të superiores. Sporti Shqiptar ka humbur sportistin dhe gjyqtarin e përkushtuar.

Ndërkohë komuna e Shëngjinit i ka akorduar Rigers Pjetrushit titullin “Mirënjohje e qytetit”. Me dhimbjen e familjes është bashkuar edhe Lidhja e Shqiptarëve në Botë, sportistët, si dhe Forcat Detare, në të cilat punonte gjithashtu Rigers Petrushaj, të cilat përcollën me nderim në banesën e fundit gjyqtarin dhe oficerin e nderit, Rigers Pjetrushaj.

Aksidenti

Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të datës 10 nëntor në aksin rrugor Gjirokastër- Derviçan. Nga përplasja e 2 automjeteve kanë humbur jetën 2 persona, ndërsa janë plagosur 5 të tjerë. Policia e Gjirokastrës saktëson se, aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:30 në vendin e quajtur kthesa e Kordhocës nga përplasja e dy mjeteve. Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën pas rreth gjysmë ore në spital dy nga pasagjerët; Rigers Pjetrushi, 32 vjeç nga Lezha, ish-futbollist i Besëlidhjes dhe Ilirjan Xhemali.