e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Hije trukimesh ne miqesoret e Skenderbeut

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Hije trukimesh ne miqesoret e Skenderbeut

Kthehen hijet e trukimeve nga skuadrat e futbollit shqiptar. Protagonist këtë radhë është bërë ekipi kampion i Shqipërisë, Skënderbeu, i cili dyshohet se ka qenë protagonist në manipulimin e rezultatit të të paktën një ndeshje gjatë miqësoreve që po zhvillon në grumbullimin e tij në Spanjë. Specialistët e basteve kanë treguar se sfida mes ekipit shqiptar dhe ADO Den Hag, e përfunduar me fitoren 2-0 të holandezëve, ka regjistruar një fluks të pazakontë bastesh. Mendohet se pas këtyre miqësoreve të janarit fshihet një organizatë e mirëfilltë manipulimesh, ndërsa për çështjen ka hapur hetime dhe Federata Holandeze, e cila ka bërë të ditur se do të përpilojë një raport për UEFA-n.

Alarmin e ka dhënë gazeta holandeze “Volkskrant”, e cila ka hedhur dyshimet për manipulime në dy sfidat miqësore të javës së kaluar të luajtura në jugun e Spanjës, ADO Den Hag – Skënderbeu në Estapona dhe Herenven-Standard Liezh në Murcia. “Volkskrant” bazohet tek analiza e një ish-eksperti të basteve të UEFA-s dhe tek informacionet e siguruara nga Qendra Ndërkombëtare për Sigurinë në Sport (ICSS). “Volkskrant” i ka kërkuar ekspertit të basteve në Europë që të analizojë ndeshjen ADO-Skënderbeu, të përfunduar 2-0, me dy gola të shënuar në minutat 78 dhe 84 nga lojtarët holandezë, pas dy momenteve përgjumjeje totale të prapavijës së korçarëve që lanë të lirë para portës kundërshtarët. “Bastet po ecnin me rrjedhë normale, kur pastaj shihet se ka një fluks të madh për golat e skuadrës holandeze. Kjo është padyshim një ndeshje që mbart dyshime”, u shpreh ai.

Sipas kompanisë ICSS, janë me dhjetëra ndeshje që zhvillohen në Spanjë, të cilat dyshohen se manipulohen nga një organizatë që ka si qëllim përfitimin nëpërmjet basteve. “Ne dyshojmë se ekziston një biznes i mirëfilltë me turnetë përgatitorë në Spanjë, që ka si qëllim manipulimin e ndeshjeve dhe fitimin në tregun e basteve. Këto janë kryesisht ndeshje të klubeve të huaja që shkojnë për stërvitje në Spanjë”, u shpreh Havier Mena i ICSS. Kësisoj, dyshimet kryesore bien mbi atë që organizoi ndeshjen mes dy ekipeve. “Ajo që mund të them është se ekziston një grup kriminal i organizuar mirë që operon në mënyrë të rafinuar. Organizata ka një strukturë të detajuar, që ka si qëllim të përfitojë financiarisht nga manipulimet”, shtoi ai. Ekspertët dyshojnë se sfida e mësipërme dhe ajo e braktisur në mes nga Herenven dhe Standard Liezh, pasi gjyqtari dha katër penallti shumë të dyshimta, janë organizuar nga e njëjta kompani.

“Megjithëse nuk është një takim i aktiviteteve tona, do të kërkojmë shpjegime nga ADO Den Hag rreth kësaj ndeshjeje. Pas hetimeve do të veprojmë ashtu siç është më e përshtatshme”, tha një zëdhënës i Federatës Holandeze të Futbollit, duke konfirmuar se po bën gati një raport për UEFA-n rreth kësaj teme. Gjithsesi, dyshimet kryesore bien mbi ekipin shqiptar, i cili është mundur në tri ndeshje radhazi me një lehtësi të dukshme, 5-0 nga Klub Bryzh, 2-0 nga ADO dhe 4-0 nga Ostende. Nëse ekipi belg ishte një rival i fortë, humbjet përballë dy skuadrave holandeze kanë bërë që edhe vetë tifozët korçarë të akuzojnë në rrjetet sociale ekipin e tyre se po trukon ndeshjet e fazës përgatitore në Spanjë.

Për më tepër, kjo nuk është hera e parë që skuadra e Skënderbeut përfshihet në dyshimet për manipulime të rezultateve të ndeshjeve. Rreth një vit më parë, emri i skuadrës korçare doli edhe në raportin e kompanisë “FederBet”. Sipas saj, kampionët e Shqipërisë, në vitin 2013 ishin protagonistë në manipulimin e dy ndeshjeve paraeliminatore të Ligës së Kampioneve kundër Shakhter Karagandi, ku të parën e humbën me rezultatin 3-0 dhe të dytën e fituan 3-2, duke u eliminuar nga turneu. Në të dyja ndeshjet, rezultati dyshohet si i manipuluar rreth numrit të golave të shënuar, 2.5+ në ndeshjen e parë dhe 3+ në të dytën.