e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Hart sfidon: Harrojeni qe te me shenoni!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Hart sfidon: Harrojeni qe te me shenoni!
Saga e përjashtimit të Rio Ferdinandit nga kampionati evropian nuk duhet të dëmtojë udhëtimin e Anglisë në këtë kompeticion. Është i bindur për këtë portieri i kombëtares së “Tre Luanëve”, Xho Hart, që për “Sky Sports” ka deklaruar: “Jemi të përqendruar te futbollistët që janë pjesë e kombëtares dhe ndaj nuk mund të merremi me gjëra të tjera që na shpërqendrojnë. Të hënën (nesër) do të debutojmë në ‘Euro 2012′-të dhe duhet të fokusohemi te gjërat që duhen bërë për të fituar”. Gardiani i portës së “Tre Luanëve” ka theksuar se ai vetë, ashtu si dhe pjesa tjetër e ekipit, është gati për debutimin me Francën:

“Po përpiqem të përmirësohem akoma, për të qenë shkëmbi që i nevojitet skuadrës sime. Nuk mendoj se jam i paprekshëm, por jam i vetëdijshëm për cilësitë e mia dhe dua t’i tregoj ato në fushë. Mund të bëhem i paprekshëm, pse jo dhe më i miri për Anglinë. Jemi gati për debutimin me Francën, duam ta fillojmë me një fitore dhe do të bëjmë gjithçka është e mundur për ta realizuar objektivin tonë. 

Harrojeni që të më shënoni!”, – përfundon Xho Hart.

Eshli Jang – Mungesa e Uejn Runit në dy ndeshjet e para të Evropianit nuk kushtëzon aspak ambiciet e Anglisë në këtë kompeticion dhe në veçanti ato të Eshli Jangut, i cili mendon se është në gjendje të mbushë boshllëkun e sulmit. Futbollisti i Mançester Junajtid, gjatë një interviste të dhënë për britaniken “Daily Star”, ka deklaruar: “Ka qenë gjithnjë një ëndërr për mua që të them se kam përfaqësuar vendim tim në një kompeticion si ky. Runi është një lojtar i jashtëzakonshëm, prandaj është normale që të zhgënjehesh kur nuk luan një futbollist i nivelit botëror.

Por ne kemi të tjerë lojtarë që mund të bëjnë mirë. Nuk mund të përqendrohemi tek ai. Lamtumira e Kapelos ishte një shok, nuk e prisnim. Por, Hoxhson është një trajner i mirë, jam i sigurt se do të na transmetojë stilin e tij dhe ne do fitojmë Evropianin, – thekson sulmuesi anglez. – Jemi në formë të shkëlqyer, ndaj mund ta nisim me një fitore ndaj Francës. Kam besim se do t’ia dalim të debutojmë me sukses”.