e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Handanovic ndal marshimin e Shqiperise

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Handanovic ndal marshimin e Shqiperise

Ëndrra e Shqipërisë për kualifikimin në Botërorin 2014 ka marrë një goditje të rëndë në Ljubljanë, pas humbjes 1-0 përballë Sllovenisë vendase. Një gjuajtje e Kampl në pjesën e parë ka bërë diferencën në rezultatin e ndeshjes, ndërsa më pas ka menduar portieri Handanoviç sesi të ruajë të paprekur portën e tij, duke ndalur tentativat e kuqezinjve. Skuadra e De Biazit tani e sheh veten të rrëshqasë në vendin e tretë në grup, e kaluar nga Norvegjia dhe të rrezikuar seriozisht edhe në këtë pozicion nga Islanda e Sllovenia.

Pas një minute heshtje në kujtim të Artan Bushatit, ndeshja ka filluar me brohorimat e tifozëve shqiptarë që kishin mbushur stadiumin “Stozhice”, duke qenë ndoshta më të shumtë në numër se vendasit. Por në fushën e lojës, manovrat e dy skuadrave janë më pak të zjarrta, pasi triumfon frika e një gabimi që mund të penalizonte në vazhdimin ndeshjes. Sllovenët janë me fat, pasi në një aksion në dukje pa pretendime të minutës së 19, në gjuajtjen e parë në portë, ata gjejnë golin e avantazhit. Është Kempl i cili lëshon një harkim perfekt nga jashtë zonës, duke mposhtur Berishën dhe duke kaluar në avantazh ekipin e tij, që tani luan shumë më qetë. Kuqezinjtë mundohen të reagojnë, por rastet e mirëfillta mungojnë dhe e vetmja ngjarje për t’u shënuar në këto minuta është një goditje dënimi e Agollit që nuk devijohet drejt portës as nga Basha e as nga Teli, të harruar në zonë nga mbrojtja kundërshtare. Por pavarësisht dominimit territorial, për të parë një gjuajtje të mirëfilltë në kuadrat të kuqezinjve duhet pritur minuta e 44-t, kur Roshi godet fluturimthi pas një harkimi të Agollit, me Handanoviç që pret në pozicion.

Pjesa e dytë fillon pa ndryshime në formacione, por De Biazi e kupton pas pak minutash se një sulmues tjetër ishte i domosdoshëm në fushë, duke hedhur në lojë Salihin, për të larguar Bulkun. Menjëherë pas këtij zëvendësimi dhe ndryshimit të skemës në atë klasiken 4-4-2, për kuqezinjtë fillon një 5 minutësh ku ata bëjnë gjithçka në fushën e lojës, me përjashtim të golit. Rama, Sana, Basha dhe Salihi kanë mundësi të njëpasnjëshme për të shënuar golin e barazimit, por Handanoviç tregon pse aktualisht cilësohet një nga portierët më të mirë në botë me devijime të jashtëzakonshme që shpëtojnë portën e tij nga gola të sigurt të kuqezinjve.

Rama provon edhe “specialitetin” e tij, gjuajtjen me harkim, kur shënohej minuta e 65-të, por përsëri Handanoviç ndalon tentativën e mesfushorit me një devijim spektakolar, duke lënë të kuptohet se ndoshta kjo nuk është dita e mesfushorit të talentuar. Më pas, Sllovenia arrin të dalë nga gjysmëfusha e vet dhe të administrojë më mirë lojën, duke ulur ritmin e kuqezinjve. As hyrja në fushën e lojës e Mehmetit dhe Abrashit nuk sjell golin e shumëpritur për kombëtaren kuqezi që me vërshëllimën përfundimtare të Istvan Vad lë fushën e lojës e ndërgjegjshme se ka humbur një shans të mirë për hyrë në histori. Tashmë do të jetë detyrë e De Biazit të kthejë këtë zhgënjim në forcë, pasi 3 ditë më vonë do të vihemi përballë Islandës, një skuadër që nëse nuk përballet e motivuar në 100%, mund të na krijojë probleme, por sidomos mund të na shuajë përfundimisht ëndrrën e një aventure braziliane.