Hames Rodriguez: Nuk mund te dueloj me Mesin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Hames Rodriguez përballë Lionel Mesit. Do të jetë ky dueli i madh i cerekfinaleve të Kupës së Amerikës. Por, sipas mesfushorit të Kolumbisë, ai kurrësesi nuk mund të krahasohet me yllin e Argjentinës pasi Mesi qëndron mbi gjithë të tjerët. Megjithatë, Hames beson se Los Cafeteros mund ta mposhtin La Selecion:
“Messi është futbollist i një bote tjetër.
Ai është një lojtar unik dhe nuk mund të flitet për një duel Hames-Mesi sepse do të ishte e padrejtë për të. Gjithsesi ne mund të luajmë shanset tona përballë një ekipi të fortë si Argjentina, pasi gjithashtu kemi në përbërje lojtarë cilësorë. E sigurtë është që mes nesh dhe kombëtares albiceleste do të zhvillohet një ndeshje e bukur për tu parë”. Kolumbia vuajti shumë për tu kualifikuar në cerekfinalet e Kupës së Amerikës.
Hames Rodriguez në vijim të intervistës së tij vlerësoi të gjithë kundërshtarët duke theksuar se këtë vit po zhvillohet një kompeticion me shumë rivalitet:
“Kjo Kupë Amerike ka qenë shumë e vështirë për të gjitha skuadrat. Asnjë prej ekipeve pjesëmarrëse nuk ka treguar formën më të mirë. Vetëm Kili ka arritur të fitojë me rezultatin 5-0, dhe ky fakt tregon mësëmiri se po zhvillohet një kompeticion me një rivalitet të jashtëzakonshëm”.