Hajvalia godet serish, ofron 40 mije euro per autobusin e Milanit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klubi kosovar i futbollit, Hajvalia, është i pari që ka bërë një ofertë për autobusin e Milanit, të cilin klubi italian e ka nxjerrë në shitje për të minimizuar shpenzimet. I ndodhur në një krizë të thellë financiare dhe rezultatesh në Serinë A, Milani ka vendosur të nxjerrë në shitje autobusin që përdorej për transportimin e skuadrës për të reduktuar kostot.
Sapo ka mësuar këtë lajm, klubi prishtinas është hedhur në sulm duke ofruar për të 40 mijë euro. Lajmi është njoftuar nga vetë klubi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.
Teksa evidenton se gjendet në shëndet të plotë financiar në një kohë kur Milani është në krizë, Hajvalia i ofron 7 herë kampionëve të Europës 40 mijë euro për të blerë autobusin që deri pak ditë më parë përdorej për transportin e skuadrës së drejtuar nga Pipo Inzagi.
Megjithatë marrëveshja duket e pamundur, pasi çmimi që kuqezinjtë i kanë vendosur autobusit të tyre është 160 mijë euro.
Kjo është një mënyrë origjinale që ka gjetur klubi i ri kosovar për të reklamuar veten dhe tërhequr vëmendjen e botës.
Në fakt kjo nuk është hera e parë që klubi nga Prishtina ndërmerr nisma të tilla, pasi verën e kaluar, kur Luis Suarez vuante periudhën e pezullimit nga FIFA për shkak të kafshimit ndaj Kielinit në Botëror, Hajvalia duke gjetur shtegun ligjor për shkak të faktit se Federata e Futbollit të Kosovës ende nuk ka aderuar në FIFA, i bëri uruguaianit një ofertë për t'u bashkuar me skuadrën e saj.
Hajvalia i ofroi Liverpulit 32 mije euro dhe Luis Suarez një pagë prej 1500 eurosh në muaj, por në fund Suarez zgjodhi Barcelonën. Ndonëse nuk arriti të fitonte kartonin e lojtarit, Hajvalia arriti të fitonte vëmendjen e medieve ndërkombëtare.