Gjysma e kutive, e majta mbi 80 mandate
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Koalicioni i majtë i kryesuar nga Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Kjo të paktën për rezultatin që ka dalë nga numërimi i më shumë se gjysmës së kutive të votimit. Por fitorja ka qenë tej çdo parashikimi, pasi koalicioni opozitar projektohet të kapë shumicën e cilësuar në Kuvend prej 84 votash, duke i dhënë mundësi kësaj mazhorance të re që të miratojë e vetme edhe ligjet organike.
Nga këto mandate, PS ka marrë 65 mandate, LSI 17 mandate, PBDNJ dhe PSV91 nga 1 mandat. Ndërkohë që mazhoranca ka pësuar një rënie drastike duke u reduktuar në vetëm 56 mandate, ku PD zotëron vetëm 48 prej tyre, pasi 8 mandate i kanë marrë aleatët e PR-së dhe PDIU-së.
Qarqet
Hapja e kutive të votimit deri në mesnatën e djeshme, kur ishin numëruar afro 3 mijë kuti votimi nga 5508 gjithsej, ka prodhuar një rezultat të papritur edhe për më optimistët në opozitë. Sipas rezultateve nga vetë KQZ, rezultatin më surprizë natyrisht e ka shënuar qarku i Shkodrës, një nga bastionet e njohura të së djathtës, i cili pas gati 70 vitesh është kthyer për herë të parë majtas. Kështu, nga 7 me 4 mandate që doli në zgjedhjet e 2009, kur ishin numëruar afro 60 për qind e kutive, e majta kryesonte me 6 mandate kundrejt 5 mandateve që ka arritur e djathta. I ndarë sipas partive, ky rezultat barazon PS dhe PD-në me nga 4 mandate secila, i jep 2 mandate LSI-së dhe 1 mandat PR-së. Një tjetër qark që ka shënuar një surprizë të madhe për opozitën ka qenë qarku i Tiranës, i cili i ka dhënë asaj plot 19 mandate, ndërkohë që opozita ka zbritur në vetëm 13 të tillë. I detajuar për çdo subjekt, Tirana i ka dhënë 16 mandate PS-së, 11 mandate PD-së, 3 mandate LSI-së, dhe nga 1 mandat PDIU dhe PR. Rezultat tjetër surprizë për opozitën ishte dhe Lezha, ku nga disavantazhi 3 me 4, ajo ka përmbysur duke kaluar në avantazh 4 me 3. Po ashtu një qark tjetër ka prodhuar mandat shtesë për opozitën dhe që përbën një surprizë është edhe Dibra, e cila nga 4 me 2 në 2009 është barazuar në 3 me 3. Qark që ka prodhuar rezultat tej parashikimeve të opozitës ka rezultuar dhe Fieri. Kështu, ndërsa ishte futur në garë për të ruajtur rezultatin 10 me 6 të 2009-ës, opozita ka siguruar dhe 1 mandat më shumë, duke shkuar në 11. Një rezultat të paparashikuar ka shënuar edhe qarku i Gjirokastrës, i cili pavarësisht se ka shumë pak votues, ka mundur të nxjerrë një rezultat tej parashikimeve edhe për më optimistët. Kështu rezultati ka shkuar në 4 me 1 nga 3 me 2 që ishte në 2009.
Kukësi
I vetmi qark që u ka mbetur besnik të djathtëve ka qenë qarku i Kukësit. Kuksianët nuk e kanë tradhtuar Partinë Demokratike dhe ashtu si në 2009 i kanë dhënë asaj sërish 3 mandate, ndërsa opozita nuk ka arritur të marrë më shumë se 1. Kështu Kukësi ka prishur dëshirën e madhe të socialistëve për ta bërë gjithë hartën e Shqipërisë rozë. Kujtojmë se në 11 qarqe e majta është në avantazh votash, ndërsa e djathta kryeson vetëm në Kukës. Ka qenë pothuajse një dështim konkurrimi i kandidatit të pavarur Arben Malaj dhe Dritan Priftit, respektivisht në Vlorë dhe në Fier, pasi shpallja e tyre deputetë duket gati e pamundur. Në dyshim është edhe ish-presidenti Bamir Topi, i cili nuk ka arritur të kalojë ende pragun prej 3 për qind të votave. Ndërkohë, ka rezultuar fitues kandidati Agron Duka, i cili u largua nga PS dhe konkurroi për PR-në në Durrës.
Në total
PS 65 mandate
PD 48 mandate
LSI 17 mandate
PR 4 mandate
PDIU 4 mandate
PSV 91 1 mandat
PBDNJ 1 mandat
Koalicioni i majtë 84 mandate
Koalicioni i djathtë 56 mandate