e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Gjykata i jep te drejte Kadarese: Doreshkrimi t’i merret Nexhmijes, te ruhet ne Arkiv

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Gjykata i jep te drejte Kadarese: Doreshkrimi t’i merret Nexhmijes, te ruhet ne Arkiv
Gjykata e Tiranës miratoi kërkesën e shkrimtarit Ismail Kadare, duke vendosur sekuestrimin e dorëshkrimit të “Dimrit të vetmisë së madhe” dhe ruajtjen e tij në Arkivin e Shtetit. Vendimi në favor të Kadaresë u mor dje, me argumentin se dorëshkrimi origjinal mund të dëmtohet edhe më tej. Qëndrim të kundërt ka mbajtur avokati i Nexhmije Hoxhës, edhe pse kjo e fundit ka rënë dakord që, nëse gjykata e çmon të arsyeshme, të dorëzojë dorëshkrimin origjinal për t’u ruajtur në Arkiv deri në fund të procesit. MAPO zbardh vendimin e plotë të Gjykatës së Tiranës, ku Kadare shpreh shqetësimin se mungojnë shumë fletë të dorëshkrimit, ndaj edhe duhet të ruhet për të mos u dëmtuar më shumë.

Vendimi i gjykatës

Paditësi Ismail Kadare i është drejtuar kësaj gjykate me një padi, me anë të së cilës kërkohet të vendoset: “Rifitimi i së drejtës së autorit mbi veprën artistike Dorëshkrimi origjinal i librit ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’, rikthimi i dorëshkrimit origjinal të veprës ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’ në posedim të tij”. Pjesë e objektit të kërkesë-padisë është dhe kërkesa për marrjen e masës provizore të sigurimit të padisë, duke urdhëruar: Kryerjen e inventarizimit të dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, sekuestrimin e tij, si dhe lënien përkohësisht në ruajtje pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Më konkretisht, nëpërmjet padisë në gjykim (objekt i së cilës është dhe marrja e masës së sigurimit të padisë), paditësi parashtron faktet si vijon: Paditësi Ismail Kadare është autor i veprës letrare “Dimri i Vetmisë së Madhe”, shkruar më 1971 dhe botuar për herë të parë në Tiranë më 1972. E paditura Nexhmije Hoxha, e veja e ish-Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha, ka qenë anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror, deri në vitin 1990. Dorëshkrimi origjinal i veprës, objekt kërkimi në padi, sipas sqarimeve të paditësit, përbëhet nga mijëra faqe të shkruara me shkrim dore nga ai dhe përmban shënime të autorit (paditësit), të cilat kanë rëndësi të veçantë për çdo studim të veprës.

Paditësi sqaroi gjykatën se ai e ka mbajtur dorëshkrimin deri në vitin 1972, kur e paditura, gjatë një vizite në shtëpinë e tij, konstatoi se ky i fundit kishte një shtëpi të vogël dhe nuk kishte kushtet e duhura për ta ruajtur dorëshkrimin. Për këtë arsye, ajo (e paditura) i kërkoi paditësit që ta vendoste përkohësisht dorëshkrimin në Arkivin e Partisë për ta ruajtur nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Paditësi nuk e kundërshtoi këtë kërkesë. Përsa më sipër, paditësi sqaroi gjykatën se pëlqimi i dhënë nga ai në lidhje me kërkesën e të paditurës, ishte i detyruar nga rrethanat e kohës dhe sistemi politik komunist në vend. Gjatë kësaj kohe, pala e paditur ishte njeri me influencë dhe gjithashtu bashkëshorte e Enver Hoxhës. Në këto rrethana, paditësi sqaroi se gjatë vitit 1972, dorëshkrimi u mor nga sekretarja e së paditurës me qëllim vendosjen e tij në Arkivin e Partisë.

Pas ngjarjeve dhe ndryshimeve të sistemit politik në Shqipëri (pas vitit 1990), Arkivi i Partisë së Punës u transferua në Arkivin e Shtetit Shqiptar. Nisur nga ky fakt, parashtron paditësi, duke qenë se Arkivi i Shtetit Shqiptar ka trashëguar të gjithë fondin e Arkivit të Partisë së Punës, dorëshkrimi duhej domosdoshmërish të gjendej në këtë arkiv. Nga të gjitha kërkimet e bëra ndër vite, rezulton se dorëshkrimi nuk ndodhet në Arkivin e Shtetit.

Letër-këmbimi me arkivin

Gjithashtu, paditësi sqaroi gjykatën se, më datë 24.09.2009, drejtori i Muzeut Kombëtar, z. Kasem Biçoku, i është drejtuar të paditurës me anë të një kërkese me shkrim për huazimin e dorëshkrimit, me qëllim ekspozimin e tij të përkohshëm në kuadër të një ekspozite mbi veprimtarinë e paditësit. Në këtë letër, z.Biçoku thekson se ka marrë dijeni për faktin se e paditura është në zotërim të dorëshkrimit, në sajë të korrespondencës që kjo e fundit ka bërë me Arkivin e Shtetit. Në datë 28.09.2009, vijon sqarimin paditësi, e paditura shkruan në përgjigjen e saj se zotëron dorëshkrimin, i cili i është dhuruar nga vetë paditësi dhe nuk pranon ta huazojë atë në Muzeun Historik për qëllime ekspozimi ndaj publikut.

Pretendimi i të paditurës që dorëshkrimi i është dhuruar, sqaroi paditësi, nuk bazohet në asnjë dokument, letër, kontratë dhurimi apo dëshmi e kohës. Paditësi shpjegoi se në datën 23.11.2010, pas marrjes dijeni për korrespondencën e krijuar midis drejtorit të Muzeut Kombëtar dhe të paditurës në lidhje me ekzistencën e dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, i është drejtuar të paditurës me anë të një letre, duke i kërkuar kthimin e dorëshkrimit të veprës. Në lidhje me këtë kërkesë të paditësit, e paditura është përgjigjur me anë të letrës së datës 07.12.2010 duke kundërshtuar të kthejë dorëshkrimin, të cilin, sipas paditësit, vazhdon ta mbajë në zotërim në mënyrë të paligjshme. 

Në vazhdim të sqarimeve të tij, paditësi shpjegoi para gjykatës se bazuar në informacionin shkresor të dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, pranë kësaj të fundit ruhet një fond i veçantë i veprave të paditësit në përputhje me 1igjin Nr.9154, datë 06.1 1.2003 “Për Arkivat”, i ndryshuar. Dorëshkrimet e paditësit janë çmuar në kuptim të 1igjit objekte me një rëndësi të veçantë kulturore, për shkak të vlerave artistike që mbartin. Në janar të vitit 2012, paditësi, njoftohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, se e paditura ka vënë në dispozicion të arkivit një kopje të dorëshkrimit, fotokopjuar nga vetë e paditura. Pas shqyrtimit të kopjes në fjalë, rezulton se dorëshkrimi nuk është mbajtur në gjendje të mirë dhe mungojnë shumë fletë të tij.

Për këto arsye, paditësi sqaroi se, me qëllim shmangien e pasojave të dëmshme dhe të pariparueshme që mund t’i vijnë atij nga dëmtimi i dorëshkrimit origjinal të veprës, është e nevojshme marrja e masës së sigurimit të padisë. Marrja e kësaj mase, sqaroi paditësi, është e nevojshme që të evitohet, jo vetëm për rrezikun potencial për dëme të interesave të tij në cilësinë e paditësit, apo për faktin se ky dorëshkrim ka vlera të mëdha studimore për studiues të letërsisë dhe gjuhësisë, por dhe për faktin se ky dorëshkrim përbën një trashëgimi kulturore. Në këtë kuptim, paditësi sqaroi se përmes marrjes së kësaj mase sigurimi të objektit të padisë, garantohen jo vetëm të drejtat e tij në cilësinë e paditësit, por edhe të publikut të gjerë dhe studiuesve të letërsisë, që në thelb përbën një interes publik.

Përfundimisht, paditësi, duke paraqitur shkaqet e mësipërme, kërkoi nga Gjykata lejimin e marrjes së masës së sigurimit të objektit të padisë, duke urdhëruar kryerjen e inventarizimit të dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, sekuestrimin e tij si dhe lënien përkohësisht në ruajtje pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Qëndrimi i Nexhmijes

Nga ana tjetër, e paditura Nexhmije Hoxha kërkoi rrëzimin e kërkesës për marrjen e masës së sigurimit, duke parashtruar se padia procedurialisht është me të meta dhe në themel padia gjithashtu është e pabazuar. Për rrjedhojë, edhe kërkesa për marrje mase nuk qëndron, vijoi e paditura. Gjithsesi, e paditura parashtroi se, nëse gjykata do të vlerësojë se ka vend për marrjen e masës së sigurimit të padisë, ishte dakord që dorëshkrimi origjinal i veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, të lihej përkohësisht në ruajtje pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Për sa më sipër, Personi i Tretë në këtë proces, u shpreh pro pranimit të kërkesës për marrjen e masës së sigurimit të objektit të padisë. Ai sqaroi gjykatën se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave gëzon të gjitha cilësitë e nevojshme për ruajtjen dhe garantimin e integritetit të dorëshkrimit origjinal të veprës objekt kërkimi; kjo për shkak të kapaciteteve dhe kushteve teknike që posedon për ruajtjen e dokumenteve origjinale, sipas objektit të veprimtarisë së tij.

Vendimi i sekuestros

Gjykata, pasi dëgjoi palët dhe shqyrtoi aktet e depozituara në dosje, vlerëson se kërkesa për marrjen e masës së sigurimit të objektit të padisë duhet pranuar. Gjykata në referim të neneve 202/a dhe 206/a të Kodit të Procedurës Civile, vlerëson se ekzekutimi i vendimit për të drejtat e paditësit do të bëhej tejet i vështirë në rast të mosvendosjes së një mase sigurie, pasi në këtë mënyrë pasojat që do të prodhoheshin si rezultat i dëmtimit të veprës, do të ishin pasoja të rënda, gjë që, nëse do të pranohej padia e paditësit për çështjen në themel, do të vështirësonte ekzekutimin e vendimit të themelit ose do ta bënte atë të paekzekutueshëm. Përsa i përket llojit të masës së sigurimit të objektit të padisë, kjo gjykatë vlerëson se masa e propozuar nga kërkuesi (paditësi) është e përshtatshme për të krijuar garancitë e nevojshme për ruajtjen e dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”.

Vendosja në ruajtje e dorëshkrimit origjinal të kësaj vepre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, vlerësohet si e përshtatshme për shkak se ky institucion, referuar kompetencave të tij, detyrimeve ligjore në trajtimin e dokumenteve arkivore dhe kushteve teknike të ruajtjes së dokumenteve origjinalë, gëzon të gjitha cilësitë e nevojshme për zbatimin e masës së sigurimit në mënyrë korrekte.  Për këto arsye, Gjykata duke u bazuar në nenet 202/a – 206 të Kodit të Procedurës Civile vendosi:  Pranimin e kërkesës. Marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke urdhëruar kryerjen e inventarizimit te dorëshkrimi origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së madhe”. Sekuestrimin e tij, si dhe lënien përkohësisht në ruajtje të këtij dorëshkrimi pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Padia e Kadaresë

Kadare  sqaroi gjykatën se ai e ka mbajtur dorëshkrimin deri në vitin 1972, kur e paditura, gjatë një vizite në shtëpinë e tij, konstatoi se ky i fundit kishte një shtëpi të vogël dhe nuk kishte kushtet e duhura për ta ruajtur dorëshkrimin. Për këtë arsye, ajo (e paditura) i kërkoi paditësit që ta vendoste përkohësisht dorëshkrimin në Arkivin e Partisë për ta ruajtur nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Kadare nuk e kundërshtoi këtë kërkesë.

Qëndrimi i Hoxhës

Nexhmije Hoxha kërkoi rrëzimin e kërkesës për marrjen e masës së sigurimit, duke parashtruar se padia procedurialisht është me të meta dhe e pabazuar. Gjithsesi, e paditura parashtroi se, nëse gjykata do të vlerësojë se ka vend për marrjen e masës së sigurimit të padisë, ishte dakord që dorëshkrimi origjinal i veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe” të ruhej në Arkiv.