e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Gjoba brenda lagjeve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Gjoba brenda lagjeve
Jemi mësuar t’i shohim policët rrugorë vetëm në rrugët e njohura të kryeqytetit, por tashmë motorët me fenelinë ndezur dhe makinat e vogla blu kanë nisur të shihen përherë e më shpesh edhe në brendësi të lagjeve. Madje edhe në oborret e pallateve, të cilat janë kthyer në fakt, në një ankth të përditshëm për banorët, sidomos në zonat e populluara. Ne vëzhguam dy nga zonat e reja më të populluara të Tiranës, rrugën Don Bosko dhe segmentin Medar Shtylla të rrugës Komuna e Parisit.

Fletë-Gjoba gënjen për fajtorin?

Në të dyja këto lagje, banorët ankohen se fushata e gjobave apo ndërhyrjeve me karotrec nga policia rrugore  është e ekzagjeruar, kurse vetë policia thotë se ndërhyn në zona të tilla komunitare vetëm kur ka ankesa nga vetë banorët për bllokim rruge ose dalje parkimi. A ka të tilla? Nuk thua dot jo… Por shënimet në fletët e gjobave janë kaq të paqarta dhe kaq të përgjithsme sa e bëjnë thuajse të pamundur të identifikosh “fajtorin”. Përshembull, në “Don Bosko” ka banorë që ankohen se ka pasur raste, që janë gjobitur edhe më shumë se njëherë. “Për të njëjtin problem dhe në të njëjtën ditë” – thotë njëri prej tyre në kompleksin pranë një televizioni që ka studiot në këtë zonë. Fletët e gjobave që mban në duar kanë të njëjtën shënim “parkim i gabuar”. Një polici të cilit ia tregojmë këto gjoba, thotë që nuk ka asgjë të pasaktë. “I hipin makinat në trotuare nuk lejohet”, – thotë ai prerë.

Një shef policie i frikshëm?

Në ndryshim nga rruga Komuna e Parisit ku banorët nuk kanë asnjë problem të identifikohen dhe të flasin hapur për problemin në rrugën Don Bosko ka një tendencë të përgjithshme të atyre që pyesim, që të mos identifikohen dhe as të fotografohen. Një shitës dyqani, na thotë më në fund arsyen” Në këtë rrugë banon një nga shefat e komisariateve të Tiranës. Nuk janë të paktë banorët të cilët besojnë se shtimi i ndëshkimeve vjen ngaqë zyrtari në fjalë dëshiron të ketë hapësira ekskluzive kalimi dhe parkimi. Të jetë kjo edhe arsyeja që asnjë nga banorët e lagjes në fjalë nuk mori dot guximin të ngrinte këtë problem duke thënë emrin, mbiemrin, foton dhe gjobat e marra? Ndoshta…

“Mëngjesi në parkim? Është një tmerr i madh, por nuk e zgjidhim me polici”

Zona fundore e e rrugës Komuna e Parisit, afër kodrave të Selitës (njihet edhe me emrin Medar Shtylla) është një nga më të populluarat në kryeqytet. Për shkak të numrit të madh të banorëve, trafiku i makinave dhe parkimi i tyre këtu është një ankth i përditshëm.

Ishull betoni për fëmijët…

Në një nga oborret që qarkohet nga 4 pallate të reja, shohim një numër të jashtëzakonshëm makinash private të parkuara “dyshe” dhe “treshe”, pra pa asnjë mundësi kalimi “pa bashkëpunim”. Fëmijët e zonës luajnë në një hapësirë betoni të ngritur rreth 1 metër nga toka që ngjan si një ishull mes dhjetëra makinave me ngjyra dhe forma të ndryshme. Në qendër të oborrit është një zyrë e vogël administrimi, ku qëndron një burrë rreth të 50-ve. E pyesim duke buzëqeshur për kaosin që shohim përreth dhe ai përgjigjet: “Është ditë pushimi dhe janë në shtëpi njerëzit sot, po zakonisht është më lirshëm”.

Përpjekje pa rezultat…

Ylli Aliaj, jurist, banor i lagjes, i ardhur së fundmi me qera në këtë zonë, tregon për “Shekullin” se parkimi është  një problem jo i vogël. “Kemi tentuar disa herë ta zgjidhim, pak javë më parë paguam ca para të gjithë, bëmë ca vijëzime dhe vendosëm një llampë të madhe ndriçimi, por prapëseprapë është e pamundur. Nuk ka vend për të gjithë dhe makinat parkojnë dyshe dhe treshe në mënyrë të pashmangshme…”

Mëngjesi për punë? Një tmerr…

Si i bëhet nëse kanë urgjenca? Me këto makina të parkuara “mbi njëra tjetrën”? Si i bëhet kur shkojnë në punë në mëngjes xhanëm? Ylli qesh dhe shpjegon: “Këtu nuk fle dot gjumë njeri edhe sikur ta ketë pushim mëngjesin. Sepse do zgjohet padyshim nga boritë e makinave. Zakonisht është e njëjta skenë. Vjen në mëngjes dhe para makinës tënde gjen të parkuar një makinë tjetër. Nis e i bie borisë pafund, derisa dikush të dëgjojë, zakonisht roja shkon i bie derës së personit, ose vetë ai zbret nga lart, i përgjumur. Ndërkohë je vonuar goxha për punë, je stresuar për gjithë ditën dhe me shumë mundësi ke zgjuar gjithë pallatin”.

A ka konflikte?

Një burrë i shëndoshë me zë të trashë dhe theks të fortë jugor, afrohet ndërkohë dhe interesohet për bisedën. E pyesim si i bëhet kur duhet manovruar me makinat të cilave u është bllokuar rruga nga bashkë-banorët. I duket sikur po bëjmë një hetim sepse flet i nervozuar: “Nuk ka asnjë problem, ne e njohim njëri-tjetrin”. A ka konflikte? “Sigurisht që po, ka patur dhe sherre, por në përgjithësi nuk i kemi zgjidhur duke thirrur policinë. Fundja ky është territor privat, e kemi të shkruar edhe në kontratat e shitblerjes, – ndërhyn sërish Ylli, duke sqaruar edhe burrin e nervozuar që bëhet fjalë thjesht për një shkrim gazete.

Tre ankesat kryesore të banorëve të Tiranës ndaj Policisë Rrugore

Prezent, jo prezent

Të intevistuarit thonë se edhe në rastet kur ata janë pranë makinës së tyre në momentin e gjobitjes, policët rrugorë në gjobën që vendosin shkruajnë: “Jo prezent”. Policët e pranojnë këtë, por thonë që e bëjnë për të shmangur marjen me karotrec.

Emrat e pasaktë

Në gjobat e policisë qytetarët ankohen se rrallë herë shënohet emri i drejtuesit të automjetit. Edhe atëherë kur shënohet ndodh që emri është i pasaktë. Pasaktësia me emrat e qytetarëve është në fakt një “epidemi” në punën e administratës së sotme

Gjobat-fantazmë

Banorët dëshmojnë raste kur janë gjobitur kur nuk janë pranë makinës së tyre dhe nuk kanë gjetur as fletë gjobe, por e kanë marrë vesh që kanë gjoba të pashlyera kur janë ndaluar rastësisht më vonë nga patrullat rrugore

Brenda oborreve? Makina zhvendoset por nuk bllokohet

Mit’hat Tole, ekspert i qarkullimit rrugor, flet lidhur me pyetjen nëse ka të drejtë policia të veprojë në oborre apo brenda parkimeve të pallateve. Ai shton se shumica e ndërhyrjeve vijnë nga telefonatat e vetë banorëve

Z.Tole, komplekset e reja të ndërtuara së fundmi, pra pallatet e reja shfaqin problem parkimi dhe banorët ankohen se policia ka nisur të ndërhyjë edhe në këto ambjente, që konsiderohen private. A ka të drejtë policia rrugore të ndërhyjë në oborre që kanë pronësi jopublike?

Policia rrugore ka të drejtë të ndërhyjë kudo ku legjislacioni shkelet. Në rastin e këtyre parkimeve që u përkasin pallateve, mund të them se ne kemi të drejtë të ndërhyjmë në të gjitha vendet e parkimit të jashtëm. Madje, në rast se banorët telefonojnë dhe ankohen, ne e kemi për detyrë të ndërhyjmë dhe të zhbllokojmë situatën. Këtë të drejtë së fundmi e ka marrë edhe Policia Bashkiake. Kur rruga është e bllokuar dhe poseduesi i mjetit nuk gjendet, ne sjellim dhe karroatrecin, por në raste oborresh në pronësi jopublike karroatreci nuk mund ta marrë makinën për në pikë grumbullimi, por e zhvendos atë dhe qytetari paguan një gjobë të barazvlefshme me koston e kësaj zhvendosje.

Në cilat raste konkretisht ka të drejtë të ndërhyjë policia rrugore?

Policia mund të ndërhyjë dhe ka ndërhyrë në rastet e parkimit dysh, parkim ky që pengon kalimin e një makine tjetër në rrugë. Siç ju thashë, shumica e ndërhyrjeve në zonat që ju pyesni, vijnë nga telefonatat e vetë qytetarëve.

Ka të drejtë policia të ndërhyjë edhe në parkime të brendshme, pra jo thjesht oborre pallatesh, në raste të tilla si ai që përmendët?

Për sa i përket parkimeve të brendshme të pallateve, pra parkimeve nëntokë, përgjithësisht ato menaxhohen nga një person i cili paguhet për të mbajtur përgjegjësi për çdo gjë që ndodh në parkimin që ai administron. Megjithatë ka edhe situata dhe persona të ndryshëm. Pra disa gjëra varen edhe nga faktorë që nuk kanë të bëjën thjesht me parkimet. Në këto raste sigurisht që ndërhyhet.