e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Gjithe detajet sekrete te negociatave

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Gjithe detajet sekrete te negociatave
Në mbrëmjen e 19 majit, politikanët shqiptarë që dinin se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme për rrjedhën shpesh mediokre të politikëbërjes shqiptare, numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Ishin orë të ankthshme, autoambulancat merrnin me ngut grevistët socialistë të urisë për t´i dërguar të dërmuar në spital. Më e keqja pritej të ndodhte çdo çast dhe, në një rast të tillë, rrjedha e ngjarjeve mund të merrte një drejtim krejt të paparashikueshëm për të gjithë vendin. Tamam atëherë, linjat telefonike nga Brukseli zyrtar drejt Tiranës, funksiononin me kapacitet të plotë.

Edi Rama kishte mundur të realizonte të pabesueshmen për skeptikët, kishte kryer një mision në dukje të pamundur: për tre javë rresht kishte nxjerrë në rrugë gati gjysëm milioni shqiptarë që protestonin kundër rivalit të tij Sali Berisha, ndërsa në tendat e tejdukshme të urisë, 202 militantë dhe deputetë të partisë së tij kishin bërë llogari pa kompromis me vdekjen. “Fitorja” e parë pothuaj e padiskutueshme nga askush, rikrijimi i institucionit të grevës së urisë, ishte konsumuar me sukses. Por nëse në Bruksel greva nuk shihej “me sy të mirë”, ajo turmë njerëzish që e brohoriste ditë mbas dite, për tre javë rresht, kishte ngjallur shqetësim. Të njëjtin shqetësim edhe për kryeministrin Berisha, i cili krejt papritur, po në harkun e tre javëve, në mbrëmjen e 19 majit kishte ndryshuar “frekuencën” e të folurit të tij, nga mullinjtë e erës dhe Don Kishoti, tek “e drejta e qytetarëve për të protestuar edhe aty ku nuk ta pret mendja”. Plot 377 vjet mbas Galileo Galileit, Berisha thotë nga Durrësi: “Eppur si muove”! Dhe megjithatë, diçka do të lëvizte se nuk bën.

Thelbi kishte luajtur, kishte mbetur të gjendeshin vetëm mjetet për formën. Kaq e fshehtë ishte gjithçka që po luhej në ankth të plotë, sa dhe një nga oratorët kryesorë të protestës, i parafundit i asaj mbrëmjeje përpara se të merrte fjalën Rama, nuk dinte se çfarë po ndodhte. Më i ashpër se kurrë në ton dhe fjalor kundër kryeministrit, ai la pas më shumë se 40 minuta pritje për turmën që pastaj do të dëgjonte papritur një ton dhe fjalor krejt tjetër nga kryetari i PS-së, Edi Rama.

Dy muaj më pas

“Krokodili”, një kafshë epike që natyrisht nuk rritet në Shqipëri, i dha emrin restorantit tashmë të famshëm të Strazburgut, ku dy njerëzit e fortë të politikës shqiptare, Berisha dhe Rama do të linin “heshtat” që tek hyrja për të biseduar “evropianisht” për mundësinë e kompromisit. Rama shkonte në darkën luksoze i sapondarë nga uria e njerëzve të tij, Berisha shkonte në të njëjtën darkë nga pamundësia për të mbajtur ende pezull diçka që nëse derdhej, do të përmbyste gjithçka.

“Me ftesë të zotit Joseph Daul, Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe me ftesë të zotit Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Evropianë në Parlamentin Evropian, Kryeministri Berisha niset për në Strazburg për të marrë pjesë në një darkë që shtrohet për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha dhe për Kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama. Gjatë kësaj darke do të diskutohet gjerësisht mbi rrugët dhe mbi mënyrat për t’i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri.”, thuhej në komunikatën zyrtare të kryeministrisë.

“Në çdo çast ne kemi qenë të hapur dhe të gatshëm për dialog dhe për çdo kompromis që nuk komprometon transparencën në funksion të garancive për zgjedhjet e ardhshme dhe të lirive dhe të drejtave që nuk mund t’u mohohen më qytetarëve dhe qytetareve të këtij vendi, të cilët vetëm përmes këtyre garancive mund të fitojnë atë stad që çdo qytetar evropian ka, si një gjykues ekskluziv i atyre që qeverisin...”, thoshte Edi Rama pak çaste përpara se të mbyllte zyrtarisht grevën e urisë.

Brenda pak minutash çadrat u hoqën nga bulevardi, grevistët e shtruar në spital u larguan prej andej dhe ju bashkuan një feste që ndjehej se ishte e tillë, por pa qenë tërësisht të qartë se pse ishte e tillë.

Bisedimet e para

Ka pasur shumë e shumë supozime dhe hamendje për atë çfarë ka ndodhur në orët e gjata të negociatave nën tutelën e vëmendshme të diplomatëve evropianë, ka pasur shumë e shumë kundërthënie mes protagonistëve shqiptarë, por një gjë u bë shpejt e qartë: sipas legjendës urbane tashmë të ndërtuar rreth vetes, Berisha, ky mjeshtër i afrimit të asaj që nuk ka në dispozicion dhe kryemjeshtër i lojës së legalitetit kur i intereson, kishte mundur të fitonte elementin më të çmuar që i mungonte: kohën.

Dështimi i mundshëm i negociatave linte në këmbë status quo-në e zakonshme për qeverinë dhe nuk lejonte më Edi Ramën t´i rihynte edhe njëherë rrugës së protestës, qoftë dhe asaj ekstreme, protestës me uri. Një skemë politike, e përsëritur dy herë në të njëjtën mënyrë, përgjithësisht është e destinuar të dështojë, përveç rastit, kur me të njëjtën skemë “pabesie” politike, Berisha fiton si zakonisht kohë. Kohë gjatë të cilës u zhvillua Kampionati Botëror i Futbollit dhe afroi shpejt stina e pushimeve në det. Por hilja është një rrugë e shkurtër, që shpesh të nxjerr më gjatë. Ose të nxjerr në bregun e gabuar.

Nga 3 qershori kur Brukseli shtyu miratimin e rezolutës për Shqipërinë (me argumentin, “më e mirë e shtyjmë sa të japim një vlerësim negativ”), tek 23 qershori i rezolutës së dytë kishte rrjedhur shumë ujë. Që si ujërat e lumit, detyrimisht do të mbërrinte në “det”. Përtej kishin mbetur replikat për ekzistencën apo jo të një ultimatumi evropian, qindra orë debati, në të cilat, në mungesë të një rezultati konkret, të dukshëm dhe të menjëhershëm, por sidomos, në mungesë të informacionit, Rama përgjithësisht konsiderohej i humbur në ndeshjen e hollë politike me Berishën përballë dhe evropianët në mes. Por kjo ishte vetëm dukja: evropianët luajtën kartën e domosdoshme për suksesin e mundshëm të një negociate, konfidencialitetin.

Dhe papritur, tamam atëherë kur skeptikët pretendonin se kishin pasur të drejtë gjithmonë, ndërsa optimistët ishin lodhur nga mungesa e zgjidhjes, ndodhi çudia. Loja nuk ishte mbyllur dhe më së paku, Rama nuk kishte humbur kurrsesi. Të hënën e kaluar, Berisha flet sërish për një marrëveshje të mundshme me socialistët; disa ditë më herët, Gramoz Ruçi, duke komentuar rezolutën e PE-së, do të ftonte sërish maxhorancën për negociata.

Krejt papritur, dy muaj pas shkrehjes së çadrave të urisë, negociatat rifilluan. Sipas një skeme që ishte e lexueshme nga larg nëse kihen parasysh dhjetra deklarata nga zyrtarë nga më të lartët e më të ndryshmit e Brukselit politik, që forcat politike në Shqipëri duhet ta gjenin vetë gjuhën e përbashkët me njëra-tjetrën. Kryesisht në interes të vendit. Kryesisht si një provë që Shqipëria e nesërme evropiane kishte një klasë politike që njihte gërmat e para të alfabetit politik evropian: bisedimet, marrëveshjen, kompromisin. Këto tre “gërma” fillestare, “B.M.K.”, të cilat kishin dështuar, megjithatë, në minutën e fundit në Bruksel. Të paktën në dukje. Fatmirësisht, siç po duket, jo në përmbajtje.

Negociatat e Brukselit

Negociatat ishin të gjata, të lodhshme dhe shpesh edhe nervoze. Askush nga ai grusht njerëzish të politikës që kanë dijeni për atë çfarë ka ngjarë në Bruksel, nuk pranon të tregojë prapaskenat apo skenat që sollën këtë javë rinisjen e negociatave në Tiranë. Por, një histori me disa dëshmitarë, ka pak gjasa që të mbetet e fshehtë deri në fund, sidomos në rastin, kur një pjesë e aktorëve të huaj të saj, janë të interesuar që publiku shqiptar të dijë diçka më shumë e përtej gjuhës së konferencave të shtypit. Në bisedimet e zhvilluara, Berisha përfshiu vetëm stafin e tij politik, kabinetin e tij të kryeministrit, kurse Rama, disa nga bashkëpunëtorët e tij. Megjithatë, “fijet” luheshin fort dhe në kohë reale nga Tirana. Në bisedime asistonin këshilltarët politikë të kryetarëve të dy grupeve më të mëdha parlamentare në PE, zëvendësshefja e kabinetit të komisionerit për zgjerim, përfaqësues të Këshillit të ministrave të BE-së.

Pati një moment fatal në këto bisedime, në raundin e dytë të tyre, kur përfaqësuesi shqiptar i shumicës ndërpreu negociatat duke thënë: “Nuk kam autorizim për më tej”. Dhe menjëherë mbas kësaj, në adresë të Berishës dhe Ramës u kërkua që në bisedime të merrnin pjesë vetëm njerëz që kishin besimin e plotë të tyre dhe mandat gjithashtu të plotë. Për më shumë, u dërgua dhe një draft marrëveshje: “keni vetëm 45 minuta kohë që ta pranoni ose ta hidhni poshtë”. Dhe këtu u duk pika e kthesës, Rama mbledh me urgjencë njerëzit e tij më të afërt në Tiranë dhe vendos t´i thotë Po, marrëveshjes, ndërsa Berisha e refuzon. Sërish orë të ankthshme për Tiranën, të dy palët pyeten kësaj rradhe në mënyrë të ndryshme: çfarë mund të lëshoni nga qëndrimi juaj?

 Maxhoranca mohon dhe nuk tërhiqet askund nga qëndrimi i saj, kryesisht për djegien e fletëve të votimit, kurse PS heq dorë nga rinumërimi i fletëve të votimit. Ky ishte momenti që në korridore nisi të “qarkullojë” opinioni se pozita po shndërrohej në pjesë të problemit dhe po i largohej zgjidhjes së tij. Më tej akoma, në ditën që do të votohej rezoluta e PE-së, e cila do të përbëjë dhe një bazë të fortë për një marrëveshje të mundshme mes palëve, sërish kanë qenë shumë të paktë njerëzit që e dinin fatin dhe natyrën e saj. Në dijeni të asaj çfarë do të votohej ishin vetëm Daul e Schulz, këshilltarët e tyre politikë, komisioneri Fyle e shefja e kabinetit të tij si dhe Baronesha Ashton. Diskutimet në PE ndiqeshin në kohë reale në Tiranë, nga Berisha vetëm nëpërmjet kabinetit të këshilltarëve të tij; nga Rama, ndiqeshin me ekipin e bashkëpunëtorëve, por dhe me një grup ekspertësh juridikë të huaj, të prezantuar në Tiranë nga aleatët e tyre të majtë në PE për asistencë ligjore. Përtej kuriozitetit dhe shumë më shumë se vetëm një kuriozitet, me pranimin e amendimeve në rezolutë, duart e para që u ngritën “pro” saj, ishin ato të Daul e Schulz.

Ka dhe detaje të tjera të cilat rishtaz zhvillohen larg Tiranës. Kësaj rradhe, Rama, në një vizitë të tij në Greqi, me ftesë personale të Papandreut, në ishullin Poros, merr garanci për zbatimin e kësaj rezolute dhe përkthimin e saj korrekt në shqip në formën e një marrëveshjeje kuadër mes palëve. Takimet kokë më kokë me Papandreun dhe disa kryeministra të tjerë të majtë dhe sidomos me Baroneshën Ashton, vazhdojnë të mos bëhen publikë në thelbin e tyre. Xhafaj e Balla që shoqëronin Ramën në Greqi, gjithashtu nuk flasin. Por një gjë të tillë, e bën në një mënyrë tjetër Ruçi e Patozi, dy aktorët e parë që dalin në dritë dhe flasin për nisje zyrtare të negociatave për një marrëveshje kuadër mes PD e PS që do të jetë edhe shumë më shumë se hetimi i zgjedhjeve.

Të dy deklarojnë mbas takimit të parë të së enjtes se janë të gatshëm për të vendosur se do të takoheshin dhe një herë të dytë apo të tretë.

Një marrëveshje paraprake

Çfarë ndodhi në takimin kokë më kokë mes dy deputetëve Ruçi e Patozi, është një element më shumë i kronikës politike. Por të dy deputetët nuk e kanë nisur bisedën e tyre pa një material të shkruar. Pikërisht atë material, ekzistenca e të cilit, përgjithësisht është mohuar. Si një dokument që nuk ishte shkruar kurrë, që nuk ishte diskutuar kurrë, që nuk do të ekzistonte kurrë në atë formë që “flitej, por nuk lexohej”.
MAPO ka mundur të kontaktojë me shumë burime, brenda dhe jashtë vendit, në Tiranë dhe në Bruksel, në shumicë dhe në pakicën politike, tek ai grusht fare i vogël politikanësh që kanë pak a shumë dijeni për përmbajtjen e marrëveshjes së mundshme, mes shumicës dhe pakicës. Megjithatë, ka diçka që përgjithësisht ka mbetur jashtë vëmendjes dhe kjo, kryesisht për shkak të mungesës së informacionit. Parlamenti Evropian, kryesisht ishte interesuar për një zgjedhje të shpejtë të krizës që kishte të bënte me zgjedhjet e 28 qershorit. Kurse Këshilli i Ministrave të BE-së shkonte edhe shumë më tej.

 Në momentin kur ai hyri në lojën shqiptare kërkoi një ndryshim cilësor të negocimit: duhet një marrëveshje shumë më e gjerë që të garantojë futjen e vendit në një rrjedhë normale, që të garantojë kthimin e normalitetit afatgjatë politik në Shqipëri. Të tjera burime nuk mohojnë dhe një detaj tjetër, që për Tiranën merr gjithashtu një rëndësi të posaçme. Pyetja: po amerikanët, çfarë qëndrimi kanë mbajtur amerikanët gjatë kësaj periudhe, merr fillimisht një përgjigje “të paplotë”. Edhe ata kanë qenë të përfshirë, “në mënyrat e tyre” në këto negociata. Megjithatë, asnjë burim i konsultuar nga MAPO nuk e konfirmon një gjë të tillë, por njëkohësisht, as nuk e mohon interesin amerikan që këto negociata të kenë sukses. Si në hetimin e zgjedhjeve, si në kthimin e vendit në normalitet afatgjatë.

Dhe kështu, pak nga pak, nisi të rajëvizohet një marrëveshje që është më shumë se thjesht dhe vetëm hetimi i zgjedhjeve të shkuara të 28 qershorit. Një marrëveshje e cila, nëse do të respektohej, afron shanse të mjaftueshme për ta futur përfundimisht Shqipërinë në rrjedhën normale të një lufte politike normale, ku zgjedhjet i fiton jo më i forti, por ai që zgjedh për të qeverisur qytetari shqiptar. Pa fraktura. Pa deformime. Dhe mbi të gjitha, pa kontestimet pasardhëse të rezultatit që e kanë bërë vendin të ngjajë si të futur në një fushatë të pambarimtë elektorale.

Ka gjasa që kjo marrëveshje të përfundojë me një rezolutë të miratuar në Kuvend. Një rezolutë e cila dëshmon se palët bien dakort me njëra-tjetrën për hir të procesit integrues të vendit, për shkak të nevojës që reformat e domosdoshme ligjore për këtë synim, kërkojnë medoemos konsensusin e gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë në vend. Po kështu edhe për hir dhe për shkak të përshpejtimit të procesit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë. Synimet janë të qartë, një marrëveshje e tillë, e firmosur dhe e respektuar nga palët, do t´i jepte fund krizës së besimit mes tyre dhe do t´i jepte fund një konflikti të egër politik që ka 20 vjet që zgjat. Dhe më tej, për të garantuar që zgjedhjet në institucionet kushtetuese të mos jenë tagër i një shumice të thjeshtë aritmetike numrash, por rrjedhojë e profesionalizmit apolitik të kandidatëve.

Hetimi i zgjedhjeve

Një nga pikat kyçe të marrëveshjes është padyshim hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit. Nëpërmjet një komisioni parlamentar në të cilin pakica do të ketë si kryetarin, si shumicën e vendeve. Një gjë e cila do të legalizohet si një e drejtë për të gjitha pakicat e nesërme, të cilat do të kenë në dorë hetimin pa kushte të zgjedhjeve të ardhshme, kurdo herë që ato të ndodhin. Në objektin e punës së tij, komisioni do të ketë parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe do të shqyrtojë listat zgjedhore, procedurat e pajisjes së qytetarëve me dokumenta identifikimi e deri edhe hetimin e burimeve të financimit në fushatë për të gjithë subjektet apo dhe lejet e shpërndara për të burgosurit në muajin e nxehtë të fushatës. Çdo institucion shtetëror në vend të cilit i kërkohen të dhëna në interes të hetimit, do të jetë i detyruar ta bëjë këtë gjë brenda një jave.

Fletët e votimit

Akili e kishte një thembër të ndjeshme, edhe hetimi i zgjedhjeve, thembrën e tij e ka tek kutitë e fletëve të votimit. “Basti” mes palëve duket se do të transferohet për t´u zgjidhur larg Tiranës. Nëse komisioni hetimor do të shqyrtojë materialet zgjedhore, e drejta për të shqyrtuar kutitë e votimit do të merret vetëm nëse Komisioni i Venecias do të japë OK që ky veprim nuk bie ndesh me Kushtetutën shqiptare. Por nuk është e thjeshtë që Komisioni i Venecias të vihet në lëvizje. Kjo gjë mund të ndodhë vetëm në dy raste, nëse e kërkon Presidenti i Republikës ose Gjykata Kushtetuese. Dhe deri më atëherë, kutitë me fletët e votimit, do të vazhdojnë të ruhen në Lundër, në magazinat në pronësi të KQZ-së.
Palët duket se i kanë të gjitha shanset të bien dakort për një pikë tjetër të nxehtë të të gjitha proceseve të ardhshme të votimit: të drejtën që numërimi dhe rinumërimi i votave në ato zgjedhje, të jetë një proces automatik dhe i pandalueshëm nga asnjë klauzolë ligjore. Dhe për një gjë të tilla, palët mund të shkojnë dhe shumë më tej, edhe në ndryshime të pjesshme të Kushtetutës, por dhe të akteve të tjera ligjore të cilat prekin sidomos mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, transparencën e transmetuesit publik, RTVSH-së apo dhe mekanizmave të tjerë legalë që prodhojnë “shifra” ekonomike.

Kush fiton, kush humb

Në një lojë tradicionale hilacake si loja politike shqiptare, kjo është pyetja që vlen shumë më shumë se një milion dollarë. Përgjigja, megjithatë, është ndryshe nga çfarë ka dëshmuar tradita: fitojnë të gjithë! Fiton Berisha, fiton Rama dhe nuk humbet askush në pamje të parë dhe në pamje përfundimtare, fiton qytetari shqiptar. Sepse atë që presupozohet se duhet ta bëjë Kushtetuta e vendit me gjuhën e saj lakonike dhe me “dykuptimësinë” e saj vende-vende, po e bën për herë të parë një marrëveshje kuadër mes atyre që normalisht duhet të respektojnë vetëm dhe vetëm kushtetutën. Çka do të sjellë, ndoshta, në llogari të fundit, rishikimin tërësor të dokumentit themelor të shtetit. Një mekanizëm ligjor i cili, i kolauduar për 12 vjet rresht, duket se ka dështuar që në nisje me mosbesimin që ka pasur një palë ndaj saj. Ndaj e ardhmja, duket se për optimistët sjell një argument më shumë: janë të gjitha shanset që vendi të nisë një rrugë të re, kësaj radhe jo me këmbë ters, siç vazhdojnë të besojnë skeptikët.