e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gjeneva qyteti i ri i Kombetares edhe pas Kamerunit?

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjeneva qyteti i ri i Kombetares edhe pas Kamerunit?
Ndeshja me Kamerunin është prova gjenerale për Shqipërinë, para se të vendosë se ku do të luajë kur të prishet stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. Mësohet se FSHF është duke planifikuar por edhe testuar një ndeshje jashtë Shqipërisë, pikërisht në Zvicër. Kundër Kamerunit edhe pse është një ndeshje “luksi”, drejtuesit kuqezinj do të shohin se sa është mundësia që një ndeshje e ekipi kombëtar të luhet jashtë Shqipërisë, menjëherë sapo të fillojë prishja e stadiumit “Qemal Stafa”. Një eksperiment ky që pritet të vendosë shumë për të ardhmen e kuqezinjve. Nga përgjigjet e kësaj ndeshjeje pritet që të hartohet plani për ndeshjet e Kombëtares që duhet të luhen në Shqipëri, por që për shkak të stadiumit të prishur do të luhen diku tjetër. Gjasat janë që edhe pas Kamerunit Shqipëria ndeshjen e saj zyrtare me Norvegjinë, ta luajë në Zvicër, pikërisht në Gjenevë, ndërsa për takimet e shtator-tetorit gjërat të ndryshojnë.

Një tjetër plan i federatës, mbetet Shqipëria. Gjithmonë nëse është e pamundur që Shqipëria të luajë jashtë vendit, alternativë mbeten edhe stadiumet brenda vendit. Në radhë sipas mundësisë, stadiumi “Loro Boriçi”, ai “Selman Stërmasi”, apo edhe “Skënderbeu” e “Flamurtari” mund të jenë alternativa për Kombëtaren. Gjithsesi, për të luajtur në këto stadiume, më parë duhen rregulluar kushtet në këto impiante. Ka nga ato stadiume të cilatjanë më larg se ç’kërkon FIFA, por normalisht, mund të ndodhë që të kërkohet një leje speciale dhe Shqipëria të luajë në një nga stadiumet e rretheve. Në FSHF për këtë çështje tregohen të rezervuar edhe pse të gjithë do të kishin dëshirë që të luhej brenda vendit. Në miqësoren e “luksit” gjithashtu përsa i përket anës taktike do të ketë ndryshime të mëdha. Mësohet se trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi nuk do të grumbullojë të gjithë lojtarët titullarë. Do të mungojnë futbollistët që luajnë jashtë dhe janë larg si Hamdi Salihi.

Për të do të ishte një strapacim që të vinte nga Amerika për një ndeshje miqësore në Gjenevë dhe të kthehej prapë në Uashington për dy ditë. Po kështu jashtë pritet të jenë disa futbollistë. Mund të ndodhë që në këtë vorbull të përfshihet Erjon Bogdani apo edhe Jahmir Hyka, dy lojtarë të cilët nuk kanë lënë përshtypje të mirë tek trajneri italian i Kombëtares shqiptare. Ftesa të reja pritet të ketë për disa futbollistë që ende nuk kanë vendosur në do të luajnë për kuqezinjtë. Gjasat janë që Ilir Azemi, apo edhe ndonjë futbollist tjetër të përfitojë një grumbullim dhe të tregojë nëse vlen për Shqipërinë A, edhe pse ka refuzuar disa herë ekipin e 21-vjeçarëve. Grumbullimi i kuqezinjve ndryshe si në shtatortetor do të bëhet në Zvicër. Data e grumbullimit është 12 nëntori dhe pas dy ditësh kuqezinjtë do të luajnë miqësoren e madhe me skuadrën e Samuel Etosë, pikërisht në stadiumin e Gjenevës në orën 20.45.