e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gavazaj, 18-vjeçari i premtuar i De Biazit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gavazaj, 18-vjeçari i premtuar i De Biazit
Ka shkëlqyer në turneun italian të U-19 dhe pritet të jetë pjesë e listës anti-Gjeorgji

Shqipëria do të luajë një miqësore kundër Gjeorgjisë më 6 shkurt në “Qemal Stafa”, ndërkohë që shpallja e listës së futbollistëve që do të grumbullohen për këtë ndeshje pritet të bëhet brenda pak ditësh. Megjithatë trajneri i kuqezinjve, Xhani de Biazi, ka premtuar se në këtë listë do të jetë një surprizë. Ai ka sqaruar se bëhet fjalë për një 18-vjeçar të talentuar, i cili shumë shpejt do t’i bashkohet kombëtares, duke mos preferuar për momentin të bëjë publik emrin e tij. Gjithsesi, kur gjithçka po afron, duket se po zbardhet edhe enigma e teknikut italian, i cili është në rrugë të mbarë drejt rinovimit të përfaqësues sonë.

Emri i shumëpërfolur duket se do të jetë Enis Gavazaj, talenti kosovar i skuadrës së Prishtinës, i cili ka shkëlqyer gjatë muajve të fundit nën bluzën e kombëtares U-19, e drejtuar nga Foto Strakosha. Vetëm pak ditë më parë, kjo përfaqësuese ka zhvilluar një turne miqësor në Romë të Italisë, ku ka pasur si kundërshtarë kombëtaret homologe të Italisë, Greqisë dhe Rusisë.

Me gjithë eliminimin e kuqezinjve të rinj, ra në sy pikërisht paraqitja e mirë e 18-vjeçarit shqiptar, i cili ishte një ndër më të spikaturit në fushë. Pasi e ka vëzhguar edhe më parë futbollistin, trajneri i Shqipërisë, De Biazi, e ka ndjekur me vëmendje Gavazajn edhe në dy prej tri ndeshjeve të zhvilluara në turneun italian dhe mësohet se është befasuar nga paraqitja e tij. Kjo duket se e ka bindur përfundimisht dhe po mendon që ta grumbullojë në kombëtaren A të Shqipërisë për miqësoren e radhës ndaj gjeorgjianëve. Talenti kosovar konsiderohet një nga lojtarët më të mirë te kombëtarja U-19. Kosovarin e ri duket se e pret një e ardhme e ndritur. Paraqitjet e tij të shkëlqyera nuk u kanë shpëtuar syve të zbuluesve të talenteve të punësuar pranë shumë klubeve në Shqipëri dhe në Europë.

Presidenti i Prishtinës, Remiz Ejupi, ka pranuar interesimin e disa klubeve shqiptare dhe gjermane për 18-vjeçarin. “Gavazaj bëri një paraqitje të mirë në Romë me kombëtaren U-19 të Shqipërisë. Ai është duke u vëzhguar nga disa klube, ka thënë numri një i klubit më të njohur të Kosovës, Ejupi. Klube nga Shqipëria, por edhe nga Gjermania kanë shprehur interesim për Gavazajn, por ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim”.

Sipas tij, Prishtina nuk pengon asnjë lojtar për të luajtur në klubet jashtë Kosovës. Ejupi e ka lënë të hapur mundësinë që Gavazaj të transferohet në ndonjë klub të Shqipërisë, por pa përjashtuar mundësinë e transferimit të tij edhe në Gjermani. Ndërkohë që burime të besueshme nga Shqipëria bëjnë të ditur se për mesfushorin e krahut të majtë janë në garë tri klubet e Superiores, Flamurtari, Skënderbeu dhe Tirana. Në muajin dhjetor Gavazaj është testuar edhe te zviceranët e Bazelit.

Ai ka një kontratë deri në qershor të 2014-s me Prishtinën dhe në sezonin e fundit është vlerësuar si një nga zbulimet e mëdha të 2012-s, ku edhe është talenti i vitit në Kosovë, edhe pse paraqitjet më mbresëlënëse i ka pasur me përfaqësuesen U-19, me të cilën shënoi një eurogol nga 30 metra në ndeshjen kundër Belgjikës. Në ditët e fundit të dhjetorit, trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi, ka deklaruar se do të grumbullojë në përfaqësuese një 18-vjeçar, pa zbuluar emrin.