e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Futbolli i femrave, ende tabu per opinionin publik

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Futbolli i femrave, ende tabu per opinionin publik
Kapitenia e skuadrës së futbollit të femrave të Shqipërisë, Aurora Serenaj i tha gazetës Shekulli se femrat që luajnë futboll në Shqipëri duhet të thyejnë pengesën e opinionit, i cili akoma është tabu. “Një përqindje shumë e madhe e njerëzve në Shqipëri e përjashtojnë idenë që një femër të luajë futboll”, tha Serenaj. Kapitenia e Kombëtares nënvizoi se kushtet për ushtrimin e stërvitjes në Shqipëri janë të një niveli të ulët ku nuk të lëjojnë të stërvitesh në kushtet optimale që kërkon loja e futbollit. Serenaj është mesfushore me tipare sulmuese. Ajo është kthyer në Shqiperi pasi ka luajtur me skuadrën e Rotenbah në Gjermani.

Këndvështrimi i saj për futbollin femëror është se ai duhet të jetë i barabartë me sportet e tjera përderisa përfaqëson dëshirat dhe kërkesat e shumë femrave për të luajtur futboll. Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar dy miqësore me kombëtaren e femrave të Maqedonisë, të cilat i ka fituar të dyja, njërën më rezultatin 1-0 dhe tjetrën 4-1. Sipas organizatorës së mesfushës, kombëtarja jonë mund të fuqizohet shumë me ardhjen e futbollisteve shqiptare nga jashtë vendit, por gjithashtu nënvizoi se “me lojtaret që luajnë në Shqipëri ndjehem shume mirë, pasi ato e duan futbollin dhe njëkohësisht luajnë shumë mirë. Femrat që luajnë në Shqipëri përfaqësojnë atë përqindje të vogël, e cila ka fituar tashmë një nga betejat me opinionin bllokues”. Duhet theksuar që futbolli i femrave në Shqipëri nuk përfaqësohet ende nga një federatë zyrtare.