e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Fund te lumtur te Euro 2012 Nuk mendoj per te ardhmen

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fund te lumtur te Euro 2012 Nuk mendoj per te ardhmen
Sot ora 20.00, në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Rumani. Kuqezinjtë me dy sulmues

Josip Kuzhe nuk pranon të flasë si ish-trajner. Tekniku kroat mbetet maksimalisht i përqendruar për sfidën e fundit të Shqipërisë në Euro 2012. Sot në orën 20.00, kuqezinjtë do të përballen në “Qemal Stafa” me Rumaninë, në një sfidë që nuk u vlen për asgjë dy skuadrave. Pavarësisht kësaj, tekniku kroat kërkon fitoren, për t’i mbyllur kualifikueset me një rezultat pozitiv. “Kjo, ndeshja ime e fundit? Unë e di të ardhmen time. Përpara ndeshjeve me Francën dhe me Luksemburgun mund t’u kisha bërë ‘presion’ drejtuesve të FSHF-së që të më rinovonin kontratën, por nuk doja të veproja kështu. Dua të bëj diçka të mirë, ta mbaroj detyrën time dhe më pas do të ulemi të bisedojmë”, tha Kuzhe. “Nuk dua të mendoj për të ardhmen time, por të bëj diçka të mirë në këtë ndeshje të fundit, që t’i mbyllim të lumtur kualifikueset dhe më pas të diskutojmë. Rinovimin mund ta refuzoj unë, mund ta refuzojë federata. Kështu e ka puna e trajnerit…”.

Më tej Kuzhe ka analizuar situatën në ekipin shqiptar. Rinovimi mbetet një domosdoshmëri, megjithatë ai mendon se Kombëtarja ka potencial. 58-vjeçari shtoi: “Kombëtarja shqiptare ka potencial dhe ka mundësi të përmirësohet; për një trajner këto janë kushte të mira pune. Do të isha arrogant po të thosha që kam nevojë për punën dhe rrogën në Shqipëri… mund të gjej një zgjidhje tjetër. Për sa i takon ekipit, fituam Roshin dhe nëse do të gjenim edhe dy-tre lojtarë të tjerë në këto nivele, atëherë mund të thoshim se për një trajner është shumë mirë që të punojë me Shqipërinë. Gjithsesi, mbetemi një skuadër që nuk kemi një grup prej 25 lojtarësh dhe 3-4 mungesa janë të tmerrshme për ne. Kundër Francës ne nuk luajtëm keq në organizimin e lojës, por bëmë gabime. Sikur të kisha pasur një mbrojtës më shumë, do t’i kishim parandaluar shumë gjëra”.

Përballë Rumanisë, Kuzhe ka vendosur të luajë me Salihin e Bogdanin në sulm. Me mungesat e Currit, Vangjelit e Agollit në mbrojtje dhe Bulkut në mesfushë, Kuzhe do të aktivizojë Lilën në krahun e majtë të repartit difensiv dhe Roshin, Bakajn e Sabien Lilajn përkrah Altin Lalës. Ndërkohë, Samir Ujkani merr “bekimin” për të qëndruar numri 1, pavarësisht gafave në Francë. “Me Rumaninë do të luajmë pa tre mbrojtës, nuk e kemi të lehtë. Rumania ka ardhur e motivuar, por edhe ne synojmë të luajmë mirë, të shënojmë dhe ta mbyllim mirë edicionin.

U kam thënë lojtarëve se nëse fitojmë me Rumaninë, atëherë kemi bërë diçka të mirë, shtoi trajneri. Hyka, jashtë formacionit? Luajti mirë në Francë, por Bakaj është më i freskët dhe më i motivuar se luan në Rumani. Lila, mbrojtës i majtë? Ai luan në këtë rol në klub. Do të doja ta spostoja në mesfushë, por e kemi krahun e majtë të zbuluar. Ujkani? Nuk ka kaluar një periudhë të mirë, por e ndjekim në Serinë A dhe e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë. Po përjeton një ngërç psikologjik, por do ta kalojë. Vendimi ynë është që Ujkani mbetet portieri i parë”. Pas ndeshjes me Rumaninë, Kuzhe theksoi se do të flasë me FSHF-në për kontratën, ku theksoi se “do të shohim në do të më japin lule në miqësoren me Azerbajxhanin (më 11 nëntor) apo do të vijojmë bashkëpunimin”.