e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

France-Shqiperi: Ia del Dallku, ndersa Bulku jo

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
France-Shqiperi: Ia del Dallku, ndersa Bulku jo
Francë-Shqipëri vjen sot në orën 21:00. Vjen në një moment shumë të vështirë të Kombëtares kuqezi, pas humbjes së turpshme kundër Luksemburgut. Por ndeshja e pak orëve më pas kundër Francës në Paris nuk duket se është mundësia më e mirë për të kërkuar rikthimin e besimit. Arsyeja nuk është vetëm se kundërshtari është një ndër skuadrat më të kuotuara në Kontinentin e Vjetër, apo se luajmë në transfertë, por edhe sepse në këtë sfidë ne paraqitemi me mungesa të shumta dhe me një ekip të “arnuar” me shumë emra të rinj dhe me përvojë jo të madhe në arenën ndërkombëtare. Në daljen e fundit përpara mediave, tekniku kroat zbardhi formacionin mbrojtës, me të cilin pretendon të ndalë “Gjelat” e Laurent Blanc, por kur mbeten edhe pak orë nga sfida, Kuzhe duhet të përziejë kartat.

Dje është mësuar përfundimisht se është i pamundur riaftësimi i mesfushorit Ervin Bulku. Lojtari i Azalit azerbajxhanas, i dëmtuar prej disa ditësh, nuk do të jetë i dipsonueshëm për trajnerin Josip Kuzhe për sfidën e Parisit. Për të kuptuar rëndësinë e kësaj mungese, do të duhet të citojmë fjalët e vetë teknikut kroat, të thëna në konferencën e fundit për shtyp të mërkurën: “Do të luajmë me Ujkanin në portë, në mbrojtje janë: Dallku, Cana, Lila e Vangjeli, në mesfushë Muzaka, Duro, Bulku, Hyka e në të majtë Roshi ose Lika. Salihi do të jetë i vetëm në sulm. Nëse Bulku nuk luan, në qendër të mesfushës do të jetë Lika, por do të kemi vështirësi. Me këtë skuadër, në mendjen time jam në rregull, por pa të, humbas shumë dhe do ta kem të vështirë për formacionin prej mungesave në mbrojtje”, deklaroi dy ditë më parë Kuzhe. Tashmë mungesa e Bulkut është faktike, megjithatë mësohet se trajneri nuk do ta ndryshojë skemën e përzgjedhur 4-2-3-1 dhe në vend të mesfushorit të azerbajxhanasve pritet të aktivizohet nga minuta e parë Gilman Lika i Tiranës. Ndërkohë lajmi i mirë vjen nga infermieria për mbrojtësin Armend Dallku.

Kosovari kishte pësuar një dëmtim në stërvitjen e pasdites së të mërkurës, por pas ekzaminimeve të bëra këto dy ditë, ai nuk rrezikon aspak dhe do të jetë i gatshëm për të qenë pjesë e 11-shes titullare anti-Francë. Kombëtarja u largua dje në mesditë nga hoteli ku ishte grumbulluar në Durrës, drejt Parisit, ku do të zhvillohet ndeshja kualifikuese e Euro 2012, përballë Francës. Takimi do të luhet në stadiumin “Saint-Denis”, në orën 21:00, dhe do të transmetohet ekskluzivisht në “SuperSport”. Kuqezinjtë, para nisjes në aeroportin “Nënë Tereza”, janë dukur të qetë, që nga Dallku i sapo rikonfirmuar nga dëmtimi e deri te të rinjtë Hyka, Lilaj, Bakaj e Roshi. 200 tifozë të cilët kanë shfrytëzuar agjencitë turistike për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës, do të shoqërojnë Kombëtaren në këtë sfidë prestigjioze në Paris.

Ndërsa këtyre do t’u bashkohen edhe të tjerë shqiptarë, që jetojnë e punojë në Francë apo në vendet përreth saj. Menjëherë pas ndeshjes në mesnatë, Shqipëria do të udhëtojë për në atdhe, ku do të duhet të nisin menjëherë përgatitjen për ndeshjen me Rumaninë, më 11 tetor në “Qemal Stafa”