e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Franca, 'stervitje' ne malin e Dajtit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Franca, 'stervitje' ne malin e Dajtit
Kombëtarja e Francës ka shfrytëzuar paraditen e djeshme për të bërë një “stërvitje” të veçantë dhe mjaft relaksuese. Në prag të ndeshjes me Shqipërinë, trajneri Lorent Blank e dërgoi dje skuadrën e tij në malin e Dajtit për të bërë një shëtitje. Kështu, francezët jo vetëm kanë pushuar dhe shijuar mrekullinë panoramike që ofron Dajti, por edhe janë bërë gati për ndeshjen e sotme duke bërë vrapime të lehta. Kombëtarja ka përdorur natyrisht teleferikun për të shkuar në Dajt, ku ka qëndruar për disa orë duke iu larguar disi edhe të nxehtit të kryeqytetit. Pasdite, skuadra e Blank ka bërë një seanca normale stërvitore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku do të luhet edhe takimi i sotëm.

Në stërvitje ka marrë pjesë e gjithë skuadra, përfshi këtu edhe Karim Benzemanë, i cili patir një dëmtim të lehtë në kavilje në stërvitjen e ditës së mërkurë, para se të vinte në Shqipëri. Gjithsesi, aktivizimi i tij ndaj Shqipërisë është i sigurt.  

Përfaqësuesja franceze do qëndrojë në Tiranë deri ditën e hënë, ku nga më pas do të udhëtojë drejt Rumanisë për ndeshjen kualifikuese të radhës, ndërkohë gjatë këtyre ditëve ata do të shfrytëzojnë mundësitë që ofron kryeqyteti shqiptar për t’u përgatitur si duhet. Franca do të zhvillojë edhe dy seanca të tjera stërvitore, të shtunën dhe të dielën në stadiumin “Qemal Stafa”, para se të udhëtojë drejt Bukureshtit. Kujtojmë se dy transfertat e radhës ndaj Shqipërisë dhe rumunëve do japin edhe një ide nëse Franca do të mund të kualifikohet menjëherë për në Europianin e 2012-s, pa pasur shumë nevojë për rezultat në dy takimet e fundit që do luhen në muajin tetor.