e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Fatmire Bajramaj ne Shqiperi per Pavaresine?

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fatmire Bajramaj ne Shqiperi per Pavaresine?
Fatmire Bajramaj mund të jetë një nga të ftuarat speciale për 100-vjetorin e Pavarësisë në Tiranë, këtë fund nëntori. Burime shumë të sigurta në Federatën Shqiptare të Futbollit, konfirmojnë një fakt të tillë. Prej kohësh, ekziston një ide që Bajramaj, një nga lojtaret më të mira të Botës, në futbollin e femrave, por që luan për kombëtaren e Gjermanisë, të jetë në Tiranë këtë fundviti.

Bëhet fjalë për një vizitë e cila do të jetë, një miks mes faktit, si e ftuar mes 100 vjetorit të Pavarësisë dhe promovimit të futbollit të femrave në vendin tonë. Ende Fatmireja nuk ka konfirmuar përfundimisht mbërritjen e saj në Tiranë, por gjasat që ajo të vijë, janë shumë të mëdha. Fjalën për të siguruar vizitën e lojtares me origjinë shqiptare e ka dhënë koordinatorja dhe ndihmësja gjermane për futbollin e femrave në Shqipëri. Sipas shefit të futbollit të femrave në federatë, Endri Hyka, përfaqësuesja e federatës gjermane, prej kohësh po mundohet që kjo lojtare të vijë në Shqipëri.

Madje, edhe vetë Bajramaj është entuziaste për këtë projekt dhe ka shumë dëshirë që kjo vizitë të realizohet, por ende ajo nuk ka konfirmuar ardhjen e saj. Gjithsesi, çdo gjë pritet mbyllet shumë shpejt ndoshta që në mes të tetorit. Fatmire Bajramaj është një futbolliste shqiptare që ka lindur në 1 prill 1988 në Pejë. Në vitin 2010 ajo është renditur e treta në “FIFA Ballon d'Or” ose shqip “Topin e Artë” për femra. Aktualisht ajo luan në Gjermani me ekipin e FFC Frankfurt, ndërsa më parë është aktivizuar me FCR 2001 Duisburg e FFC Turbine Potsdam dhe në 124 ndeshje ka shënuar 59 gola. Gjithashtu, shqiptarja është një nga futbollistet më të mira të Gjermanisë, që me këtë kombëtare ka fituar çdo trofe të mundshëm.

Edhe Fatmireja firmos letrën për Blaterin

Një deklaratë e shkurtër, por e firmosur nga emra të mëdhenj të futbollit kosovar, të martën ka shkuar në adresë të secilit anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, përfshirë këtu edhe kreun e kësaj organizate Sep Blatter. Në një deklaratë të hartuar për të drejtën e Kosovës për të luajtur ndeshje ndërkombëtare në futboll, kanë vënë firmën e tyre lojtarët ndër më të njohurit që kanë lindur në Kosovë apo që janë me origjinë nga Kosova, ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Përpos tre yjeve kosovarë që luajnë me Zvicrën, si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e Granit Xhaka, deklaratën e kanë firmosur dhe tetë lojtarët kosovarë të Shqipërisë, në krye me kapitenin Lorik Cana, pastaj Armend Dallku, Mërgim Mavraj, Samir Ujkani, Alban Meha, Burim Kukeli, Etrit Berisha dhe Ahmed Januzi. Pjesë e kësaj deklarate është bërë edhe futbollistja ndër më të mirat në botë, Fatmire Bajramaj.