e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Familjaret e Marian Koles: Te zbardhet ekzekutimi

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Familjaret e Marian Koles: Te zbardhet ekzekutimi

Familjarët e Marian Kolës i dhanë dje lamtumirën e fundit ndërsa i kërkojnë shtetit zbardhjen e ngjarjes. Ceremonia mortore dhe varrimi i 36-vjeçarit që u vra tri ditë më parë nga Policia greke u kryen në fshatin e tij të lindjes, Vig i Sipërm të komunës Vig-Mnelë. Qindra banorë të zonës e të afërm i dhanë lamtumirën e fundit me lot në sy Marianit, djalit të madh të Pashkë Kolës, kryeplakut të lagjes së Vigut. Të afërmit e familjes Kola shprehen të pikëlluar për tragjedinë që u ka ndodhur dhe ata fajësojnë edhe mediat për zmadhimin e ngjarjes.

“I kërkojmë shtetit shqiptar zbardhjen sa më parë të së vërtetës, pasi Mariani nuk ka qenë ashtu sikurse është thënë nëpër media. Djalin jo vetëm që na e vranë, por kanë hedhur baltë mbi figurën e tij. Mariani është vrarë me plumb pas shpine dhe policia greke e ka lënë për orë të tëra në mes të fushës, sikur të ishte kafshë e jo njeri. Nëpër media është përfolur se gjoja Mariani paska qenë kriminel, i rrezikshëm dhe se ai nuk mund të kthehej në fshatin e tij të lindjes se paska probleme. Këto janë vetëm sajesa të personave dashakeq. Ende pa u varros trupi i të ndjerit, nuk lanë gjë pa shpifur për të”, u shprehën dje të afërm të viktimës. Sipas tyre, familja Kola është e nderuar dhe ka emër të mirë në zonë. Për shkak të këtij emri të mirë, babai i Marianit është zgjedhur kryeplak i lagjes Vig.

“Vëllezërit që ka lënë në shtëpi janë punëtorë, të urtë, që shikojnë hallet e tyre. Mundohen të fitojnë kafshatën e bukës duke punuar sa në një fshat në tjetrin dhe respektohen nga e gjithë zona. Mariani ka qëndruar në Shqipëri vetëm një muaj e gjysmë në vitin 2009, kur u martua. Më pas shkoi sërish në emigracion për të punuar dhe për të ndihmuar familjen e tij”, pohojnë më tej të afërmit e familjes Kola. Zona e Vigut është një nga më të varfrat jo vetëm të komunës Vig-Mnelë, por në të gjithë qarkun e Shkodrës. Kjo për vetë kushtet natyrore dhe gjeografike të saj (ndodhet në kufi me krahinën e Mirditës dhe të Lezhës). Të rinjtë e kësaj zone janë të detyruara që të emigrojnë për të përballuar jetesën. Megjithëse gjatësia e rrugës nga Shkodra nuk është më shumë se 33 km, distanca kohore për të shkuar deri aty arrin në rreth 2 orë.