e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Fajon: Mungesa e dialogut nuk i ndihmon vizat

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Fajon: Mungesa e dialogut nuk i ndihmon vizat
"Mendoj që është e rëndësishme, që të kemi dialog mes qeverisë dhe opozitës, kjo situatë nuk e ndihmon vendin, nuk është mirë për imazhin e vendit. Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së dhe të gjitha palët duhet ta kenë të qartë se është në përfitim të qytetarëve dialogu mes tyre. Duhet të sigurohet një situatë e stabilizuar. Nuk është e drejtë që palët të akuzojnë njëra-tjetrën për liberalizimin e vizave",- tha Fajon.

Eurodeputetja sllovene u shpreh gjithashtu kundër protestave në rrugë, duke shtuar se me rëndësi mbetet gjetja e gjuhës së përbashkët mes forcave politike. "Nuk ka vend në botë ku protestat në rrugë janë të dobishme. Ajo që është e rëndësishme është gjetja e gjuhës së përbashkët mes partive të përfshira. Politikanët duhet të jenë të kujdesshëm, duhet të shikojnë përfitimet e qytetarëve. BE-ja beson se Shqipëria është një vend i besueshëm. Po përpiqem të bind edhe palët kundërshtare në PE ndaj na duhet më shumë qetësi",- tha Fajon.

Ajo deklaroi se në mes të muajit prill pritet një raportim para PE-së mbi procesin e liberalizimit të vizave. "Në mes të prillit pritet një raport në parlamentin europian. Kemi bërë thirrje për propozimin e pranimit të kërkesës së liberalizimit të vizave sa më shpejt. Gjithë procesi është kërkues. Kriteret e sigurisë e kufijve dhe dokumentet. Vizitova qendrën e pasaportave biometrike dhe vura re se procesi është i mirë. Është e rëndësishme që qeveria të bëjë një fushatë për të informuar njerëzit për liberalizimin e vizave",- tha Fajon.

Nga : Gazeta Shekulli