e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

FSHF nuk i njeh 'Titujt e Luftes'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
FSHF nuk i njeh 'Titujt e Luftes'
Tani është përfundimtare. Tirana dhe Vllaznia nuk do të kenë më shumë tituj kampion në futbollin shqiptar, pasi Federata Shqiptare e Futbollit nuk i njeh dy trofetë e bardhebluve dhe një të kuqebluve, të cilët i përkasin periudhës së Luftës II Botërore në vitet 1939-1942.

Asambleja e zakonshme vjetore e Federatës Shqiptare të Futbollit ka kryer punimet e saj. Në një moment ku fenomenet negative në futbollin shqiptar nuk mungojnë, atmosfera në këtë asamble ishte relativisht e qetë. Sipas rendit të ditës u aprovua projektbuxheti për vitin 2013. Një çështje që ngjalli debat ishte edhe ajo e titujve të luftës për këtë rast, siç dihet, në asamblenë e vitit të shkuar u ngrit edhe një komision i drejtuar nga zv.presidenti Bujar Kasmi.

Më herët, KE-ja vetëm sa u njoh disi me punën e komisionit dhe ia la si detyrë asamblesë së radhës për të marrë një vendim përfundimtar. Tirana dhe Vllaznia kishin paraqitur kërkesa zyrtare, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës, që t’u shtohen titujt, përkatësisht bardhebluve 2 tituj më shumë kampionë (1939 dhe 1942) dhe kuqebluve 1 titull (1940). Klubet e interesuara kanë ripërsëritur kërkesën e tyre që t’u njihen këta trofe, por më pas, kur është kaluar në votim gjatë zhvillimit të Asamblesë së 28 shkurtit, gjithçka është hedhur poshtë.

Edhe vetë FSHF-ja ka dhënë argumentet e saj pikërisht në Asamble, ku edhe duhej të hidheshin për miratim ose jo. Zv.presidenti i FSHF-së lexoi raportin e përgatitur nga komisioni i rishqyrtimit të titujve kampionë të viteve 1939, 1940 dhe 1942. Ky komision e kishte ndarë analizën e fakteve në dy pjesë: analizë teknike dhe në analizë juridike. Për sa i përket analizës teknike, zv.presidenti Kasmi pohoi se veprimtaritë futbollistike i përmbushin kushtet për të qenë kampionate. Por surprizën e hidhur e kishte lënë tek analiza juridike, e cila hedh poshtë gjithçka, pasi sipas saj, institucioni më i lartë i futbollit në vend nuk ka kompetencën juridike, që të njohë veprime që nuk janë zhvilluar prej saj, pasi në ato momente, Federata Shqiptare e Futbollit kishte pushuar së ekzistuari për shkak të pushimit fashist. Po ashtu, FSHF, e cila është edhe i vetmi organizëm, që organizon kampionatet kombëtare dhe në përfundim të tyre jep edhe trofetë, nuk mund të njohë një veprimtari, organizuese e të cilave ajo nuk ka qenë, por ata janë zhvilluar në kohën e pushtimit nga Italia fashiste dhe nën një qeveri kukull. Prandaj, bazuar në statusin e saj, FSHF gjykon se nuk është kompetencën e saj të njohë titujt e kohës së luftës. Pati reagime nga klubet e Tiranës dhe Vllaznia edhe të disa pjesëmarrësve të tjerë.

Por kryetari i komisionit të rishqyrtimit të këtyre titujve i kundërshtoi. “Unë nuk jam dakord që të zhvillohet edhe votim, pasi ai votim do të ishte ‘nul’. Çdonjëri nga anëtarët e Asamblesë në të ardhme mund ta hedhë poshtë këtë vendim në gjykatë, pasi ai është ‘nul’ në momentin që do të kërkohet mbështetja juridike e miratimit të tyre. Me vetëm 4 vota kundër, u miratua që materiali i komisionit të mos hidhej në votim.