FSHF fiton 100 mln euro nga Europiani, kurse Duken e bezdis 'rroga' e De Biazit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Përplasja e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me trajnerin e përfaqësueses Xhani De Biazi nuk duket të jetë për paratë e kontratës së teknikut italian. Të paktën jo për këtë gjë, referuar të dhënave paraprake mbi fitimet që do të ketë qeveria jonë e futbollit nga pjesëmarrja në Europian, qofshin këto përfitime direkte nga UEFA, apo dhe sponsorizime, shitje produktesh, e drejta e imazhit televiziv, bonuse etj. Sipas vetë zyrtarëve të federatës (G. Malaj, mbulon sektorin e marketingut dhe është shprehur për këtë çështje në Top-Channel), përfitimet pritet të jenë në shifrën e 70 milionë eurove, por nëse merren parasysh edhe biletat, shitjet e produkteve online, apo dhe afrimin e sponsorëve, kjo shifër mund të shkojë afro100 mln euro.
Në një shumë të tillë, kërkesa e De Biazit për vazhdimin dyvjeçar të kontratës mund të shkojë maksimumi në rast ekstrem deri në 1.5 mln euro me gjithë stafin e tij teknik ndihmës. Kjo shifër është afërisht 1-1.5 % e fitimeve që do të ketë FSHF dhe është e përballueshme plotësisht. Sa për krahasim, shuma që hamendësohet se do të kërkojë De Biazi nga federata jonë për rinovimin e kontratës është e barabartë me një fitore në fazën e grupeve të Europianit, ose pak më shumë se një barazim në një nga ndeshjet e para në Europian.
Pra, justifikimi se De Biazi ka rritur kuotat nuk qëndron dhe përplasja mes tij e Dukës është për tekat e presidentit të FSHF-së, të cilit, me sa kuptohet, nuk i pëlqen popullariteti i De Biazit, sidomos fama e teknikut në media dhe në gjirin e fansave kuqezi. Edhe pse nuk është zyrtare, nëpër korridoret e federatës dhe në ambientin sportdashës po qarkullojnë zëra se de Biazi po eklipson “sukseset” e Dukës, thënë ndryshe, po shihet si një figurë më e kompletuar dhe më dashamirëse në ambientin futbollistik në vend. Si argument domethënës për këtë mund të merret pritja mjaft e ngrohtë e De Biazit nga tifozeria e zjarrtë kuqezi pas kthimit të ekipit nga Jerevani (ku u sigurua dhe kualifikimi i shqiponjave), ndërsa për Dukën pati mjaft fërshëllima, një gjest që vjen nga shumica e fansave.
Nuk duhet harruar se Duka cilësohet dhe si uzurpator i futbollit shqiptar, njeri që po shkon drejt mandatit të pestë, gjë që është e patolerueshme në kushtet demokratike të zgjedhjeve që bëjnë institucionet, qofshin këto dhe sportive. Nuk është rastësi që nga vetë gjiri i komunitetit kanë ardhur zëra që kritikojnë Dukën për diktaturë në futboll, e cilësojnë atë si Enverin e futbollit ndërsa zgjedhjet në asamble ngjajnë me votimet e kohës së Partisë, ku Duka merr 100% të votave. E, ndërsa kampionati vijon të jetë mediokër në nivel si në momentin kur e mori drejtimin e federatës Duka, ndryshimi është tek Kombëtarja dhe në këtë moment të fundit një kontribut thelbësor në kualifikim nuk ka njëshi i FSHF-së, por strategjia e De Biazit dhe puna e shkëlqyer e futbollistëve që janë formuar me kulturë futbollistike në Europë.