e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Eugen Wollfarth 'Gjykimi per Gerdecin eshte jo i drejte'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Eugen Wollfarth 'Gjykimi per Gerdecin eshte jo i drejte'
Intervistë me Ambasadorin e prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth. Si i shikon ai aspektet e ndryshme të zgjedhjeve në Shqipëri; pse Shqipëria ka nevojë për një kod të ri zgjedhor, që të gjitha palët ta lexojnë njësoj; dhe raporti i ODIHR që do të dalë muajin e ardhshëm...

“Dialog. Shumë kohë është humbur. Na duhet të shohim reformën aq të nevojshme të Kodit Zgjedhor”. Këto janë fjalitë më të shpeshta dhe thelbësore në fjalorin e kursyer dhe tejet diplomatik të Ambasadorit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ëollfarth në intervistën për MAPO-n. Por, pyetjet vazhdojnë dhe shpesh ambasadori vendoset përballë thënieve të diplomatëve të tjerë, të cilët kanë kritikuar atë që ndodhi në 8 maj në Tiranë. Këtë herë përgjigjja ‘ashpërsohet’: “Një nga gjërat e para që mësohet si pjesë e ABC-së së diplomatëve, është të mos komentosh mbi fjalët e kolegëve sado të vlerësuar qofshin ata”. Një mënyrë për të evituar komentet konkrete rreth votave të gabuara në Tiranë dhe funksionimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Ambasadori kujton përpjekjet e institucionit të tij dhe këshillat e vazhdueshme dhe indirekt kaosin e krijuar nga politikanët shqiptarë. Sipas Kodit Zgjedhor të mëparshëm, do mund të kishte një përsëritje zgjedhjesh nëse diferenca do të ishte më e vogël se sa numri i votave të pavlefshme. Dhe, kujton se kur u ra dakord për Kodin e ri në fund të 2008-ës, të dyja partitë kryesore vendosën të shfuqizojnë këtë dispozitë. Fill pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës, OSBE/ODIHR-i rekomandoi që të bëhej e qartë se në cilat rrethana mund të përsëriteshin zgjedhjet. Por, kjo kohë,- sipas tij- nuk u përdor për të qartësuar këtë çështje dhe as rekomandimet e tjera të dhëna nga OSBE-ODIHR-i. Në një farë mënyrë kjo e nënkupton dhe “ftohtësinë” e zakonshme të këtij institucioni, që megjithatë është sërish gati për asistencën e tij të plotë. E kjo duhet bërë shpejt dhe me temp, sepse sipas tij -s’ka më kohë për të humbur për asgjë.

OSBE/ODIHR-i do të nxjerrë shpejt raportin përfundimtar të vlerësimit të këtyre zgjedhjeve, në formatin dhe mënyrën që njihet nga raportet e tyre si në Shqipëri dhe në vende të tjera ku ata kanë monitoruar dhe ky do jetë materiali ku shqiptarët do shohin realisht procesin e tyre të zgjedhjeve... me sytë e të huajve.

Vendimi i Gjykatës në njohje të fituesit të zgjedhjeve të fundit vendore, në vend që ta qetësonte situatën, ka hapur një front të ri krize në Shqipëri. Ju keni bërë thirrje për qetësi dhe keni thënë se shpresoni për dialog. A nuk mendoni se po krijohet një krizë shumë më komplekse se ajo e 2009-ës?

“Shqipëria mund të bëjë edhe pa ndonjë ngërç më shumë të ngjashëm me atë që kemi parë që prej vitit 2009. Prandaj edhe unë kam bërë thirrje për më shumë dialog, siç kanë bërë edhe kolegët e mi në mënyrë të përsëritur vitin e kaluar. Me kalimin e ditëve, bindem gjithmonë e më shumë se të dyja palët do ta kuptojnë nevojën thelbësore në interesin kombëtar të këtij vendi për t’iu kthyer sa më shpejt axhendës së reformave. Shumë kohë është humbur. Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes të humbë edhe më shumë kohë. Na duhet të shohim reformën aq të nevojshme të Kodit Zgjedhor, apo reformën gjyqësore dhe reformën parlamentare mes shumë fushash të tjera. Këto janë thjesht faktet kokëforta që duhen adresuar dhe që unë besoj se do të adresohen në muajt në vazhdim”.

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it kanë vërejtur shumë parregullsi në procesin e numërimit në Tiranë, lidhur pikërisht me votat e hedhura në kutitë e gabuara. A mendoni se kjo e dëmtoi rezultatin në kryeqytet?

“Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it, i cili mendoj se do të dalë së shpejti muajin e ardhshëm, do të japë gjykimin e vet në emër të OSBE-së për të gjitha çështjet dhe aspektet që lidhen me zgjedhjet për pushtetin vendor, duke përfshirë, siç mund të merret me mend, edhe çështjen e votave të hedhura gabim. Sinqerisht, ajo çka më intereson shumë më tepër për të folur është nevoja e padiskutueshme për të parë një proces të plotë dhe gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore, një proces që t’i mbulojë të gjitha çështjet, një proces të kryer pa nxitim dhe që të mos jetë jopërfundimtar. Reforma zgjedhore për të cilën u ra dakord në vjeshtë të 2008-ës mbase nuk arriti të përfshijë dukshëm të gjitha këto cilësi. Tani është koha për të bërë ndryshimin dhe për t’u përgatitur për të ardhmen. Prezenca e OSBE-së është gati të mbështesë në mënyrë aktive dhe intensive këtë proces nëpërmjet dhënies së ekspertizës teknike. Për të qenë sa më të qartë, reforma duhet të nisë sa më shpejtë të jetë e mundur. Le të shpresojmë së ajo mund të fillojë përpara vjeshtës dhe të gjitha palët të ulen më në fund në tryezë. Le të mos krijojmë iluzione, sepse zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 po afrojnë si pa e kuptuar. Kështu që Shqipëria do duhet të ketë një Kod Zgjedhor që të funksionojë dhe të prodhojë ato lloj zgjedhjesh që njerëzit e këtij vendi meritojnë vërtetë”.

 A jeni dakord me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Z. Countryman, i cili deklaroi se rregullat e lojës u ndryshuan pasi loja kishte përfunduar?
“Një nga gjërat e para që mësohet si pjesë e ABC-së së diplomatëve është të mos komentosh mbi fjalët e kolegëve sado të vlerësuar qofshin ata. Një mësim i mirë që mund të nxirret është se Shqipëria nuk ka ende një Kod Zgjedhor të cilin zyrtarët e zgjedhjeve, partitë politike, juristët dhe gjyqtarët mund ta lexojnë në të njëjtën mënyrë – edhe kur bëhet fjalë për vlefshmërinë e votave dhe procedurave që duhen ndërmarrë. Kjo kërkon një reformë urgjente të Kodit – një reformë që të prodhojë një dokument përfundimtar të qartë, pa kundërshtime apo boshllëqe, dhe për të cilin të jetë rënë dakord. OSBE-ja, Shtetet e Bashkuara, dhe Bashkimi Evropian po ofrojnë bashkërisht mbështetje për të arritur atë qartësi aq shumë të nevojshme”.
 
A është e saktë të thuhet që kur diferenca midis numrit të votuesve dhe votave është më e madhe se diferenca midis dy rivalëve, atëherë gara nuk ka fitues dhe duhet të përsëritet nga e para?

“Sipas Kodit Zgjedhor të mëparshëm, mund të kishte pasur një përsëritje zgjedhjesh nëse diferenca do të ishte më e vogël se sa numri i votave të pavlefshme. Sidoqoftë, juve duhet t’ju kujtohet, kur u ra dakord për Kodin e ri në fund të 2008-ës, që të dyja partitë kryesore vendosën të shfuqizojnë këtë dispozitë. Menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës, OSBE/ODIHR-i rekomandoi që të bëhej e qartë se në cilat rrethana mund të përsëriteshin zgjedhjet. Megjithatë, siç dihet, koha pas zgjedhjeve të 2009-ës nuk u përdor për të qartësuar këtë çështje dhe as rekomandimet e tjera të dhëna nga OSBE-ODIHR-i. Nëse do të kryhet një reformë për këtë çështje, ajo duhet të ndodhë vetëm me pjesëmarrjen e të tëra partive parlamentare”. 

Ambasadori Arvizu ka thënë se “është për t’u zhgënjyer fakti që KQZ-ja veproi, dhe veproi qartë, në mënyrë partiake”. Ai i dha KQZ-së një notë 5 deri në 6. A jeni dakord me këtë qëndrim?

“Së pari, siç thashë edhe më parë, nuk do të komentoj pikëpamjet e kolegëve, dhe në këtë rast të mikut tim më të respektuar, Ambasadorit Arvizu. Së dyti, për tu kthyer tek përmbajtja kryesore, është OSBE/ODIHR-i që do të nxjerrë raportin përfundimtar të vlerësimit të këtyre zgjedhjeve, në formatin dhe mënyrën që njihet nga raportet e tyre si në Shqipëri dhe në vende të tjera ku ata kanë monitoruar. Gjithashtu jam i sigurt se raporti nuk do të certifikojë zgjedhjet – sepse një veprim i tillë është e drejta sovrane e autoriteteve Shqiptare. Shpresoj që këtë radhë, kur të publikohet raporti, palët politike ta lexojnë me kujdes, dhe që rekomandimet e nxjerra nga ky raport, së bashku me rekomandimet që burojnë nga zgjedhjet e 2009-ës, të transformohen në elementë të një reforme zgjedhore të suksesshme”.
 
Ju keni bërë një apel publik për drejtësi në lidhje me procesin e Gërdecit, një nga çështjet më të dëgjuara në Shqipëri, ku 26 njerëz humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Në Shtetet e Bashkuara, gjyqi i kontrabandistëve të përfshirë në trafikun e armëve që çoi deri në rastin e Gërdecit ka përfunduar, dhe ata janë dënuar. Këtu, pas më shumë se tre vitesh, familjarët e viktimave ndodhen ende në dyert e gjykatave pa arritur të shohin drejtësi. Si e shikoni këtë situatë?

“Sigurisht që procesi ligjor nuk ka vijuar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Ndërsa i pandehuri duhet të ketë gjithmonë të drejtën e mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e vazhdueshme e avokatëve mbrojtës në seanca është një abuzim në çdo sistem gjyqësor. Kur kanë kaluar rreth tre vjet nga tragjedia e Gërdecit, dhe pavarësisht nga përpjekjet e bëra nga gjyqtarët për të programuar seancat, çështja duket ende larg nga përfundimi, kur shumica e seancave gjyqësore as nuk janë mbajtur. Vonesa të mëtejshme do të shërbenin vetëm për të rënduar më tej atë besim shumë të nevojshëm tek sistemi i drejtësisë, dhe më gjerësisht tek shteti ligjor. I kërkoj autoriteteve ligjore përkatëse që të ndërmarrin menjëherë të tëra hapat e arsyeshme për të siguruar përfundimin brenda një kohe të pranueshme të një gjykimi të drejtë dhe publik të kësaj çështjeje. Sipas mendimit tim, publiku shqiptar është lodhur me këtë zvarritje të gjatë.

Dhe me çfarë kam parë deri tani, nuk mund t’i vë faj. Është mjaft shqetësuese. Pastaj, mos të harrojmë që janë disa familje të cilat kanë humbur të dashurit e tyre, dhe mjaft të tjerë që kanë pësuar shqetësime fizike dhe mendore nga kjo tragjedi. Pas tre viteve të gjatë, a nuk meritojnë ata disa përgjigje konkrete se si ndodhi aksidenti dhe kush janë përgjegjësit, në mënyrë që Shqipëria të mos shohë kurrë më një aksident kaq të tmerrshëm? Ndërkohë, Prezenca e OSBE-së ka dhënë një ndihmë të madhe më anë të një programi të ri në mbështetje të një trajtimi më të sigurt të përpjekjeve për çmilitarizimin e municioneve të vjetra dhe të tepërta. Ne mbështesim gjithashtu reformimin e gjyqësorit, në mënyrë që të rritet efektshmëria e seancave gjyqësore. Një nga aspektet e kësaj reforme mund të jetë dhënia e kompetencave gjyqtarëve me qëllim që avokatët të paraqiten gjithmonë në mënyrë të përshtatshme në sallë gjatë gjykimeve, në mënyrë që të shmangen shumë shtyrje të seancave gjyqësore”.

 Si e shihni Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe aktivitetin e saj monitorues?

“Së pari më lejoni t’ju falënderoj për këtë pyetje sepse më lejon të korrigjoj një keqperceptim që ekziston në lidhje me aktivitetin e Prezencës së OSBE-së në këtë vend. Mandati ynë është i qartë, që do të thotë se në emër të Këshillit të Përhershëm që mbledh përfaqësuesit e 56 shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së në Vjenë, ne punojmë si me autoritetet kombëtare ashtu edhe me shoqërinë civile për një gamë të gjerë reformash në fusha të ndryshme, duke filluar nga zgjedhjet, shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut, media, çështjet gjinore, shoqëria civile, parlamenti, pronat, qeverisja e mirë, anti-trafikimi, decentralizimi dhe policia. Në të gjitha këto fusha ne punojmë me programe dhe projekte të synuara, të cilat ndihmojnë në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve kombëtare brenda sektorit përkatës. Nëse pyetja juaj është ‘a i monitorojmë ne në mënyrë rigoroze programet tona për të arritur maksimumin e mundur’, atëherë përgjigja ime është po, sigurisht që po, por deri këtu arrin monitorimi ynë. E gjitha puna jonë bëhet në partneritet me partnerët tanë lokal, qoftë me qeverinë, institucionet publike apo shoqërinë civile. E gjitha puna jonë është plotësisht transparente. Mendoj që pyetja juaj ishte e rëndësishme, por një pyetje që mendoj se i spikat më tepër Shqipërisë së para dhjetë vitesh, ose edhe më parë, jo Shqipërisë së vitit 2011. Më mirë po e zëvendësoj fjalën ‘monitorim’ me ‘partneritet’!”
 
Një nga fushat ku Prezenca është direkt e përfshirë është lufta kundër korrupsionit. Ju keni marrëdhënie të ngushta me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive me qëllim ndërgjegjësimin e zyrtarëve publik në lidhje me konfliktin e interesave. Pavarësisht nga kjo, korrupsioni mbetet një plagë e hapur dhe politika po reagon me hapa të ngadaltë, siç përmendet edhe në raportet e ndërkombëtarëve. Si e shihni këtë fenomen?

“Mendoj se lufta kundër korrupsionit mbetet një prioritet kryesor i Qeverisë – përmirësimet shihen në përpjekjet për përafrimin e legjislacionit kombëtar me detyrimet ndërkombëtare. Edhe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është bërë progres, duke përfshirë këtu edhe rritjen e nivelit të procedimit penal të zyrtarëve të lartë e të mesëm të përfshirë në korrupsion. Megjithatë, përpjekjet për të ndjekur rastet e zyrtarëve të niveleve të larta vazhdojnë të hasin pengesa nga mungesa e ndjekjes së tyre nga Prokuroria. Imuniteti i zyrtarëve të lartë, duke përfshirë këtu ministrat dhe gjyqtarët, vazhdon të konsiderohet si pengesë. Megjithatë, kjo do të arrihet vetëm nëse të dyja palët arrijnë një farë marrëveshje në mënyrë që çështja e korrupsionit të mos përdoret më si top futbolli nga secila palë”.