e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Emanuele Ndoj, te Roma deri ne vitin 2020

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Emanuele Ndoj, te Roma deri ne vitin 2020

Pas Elseid Hysajt dhe Rei Manajt, një tjetër i ri i talentuar shqiptar po bëhet gati të shkelë fushat e futbollit të Serisë A. Bëhet fjalë për mesfushorin e talentuar 19-vjeçar, Emanuele Ndoj, i cili me paraqitjet e tij ka bindur drejtuesit e Romës që t’i ofrojnë një rinovim afatgjatë të kontratës me këtë klub.

Futbollisti i datëlindjes 1996, tregoi talentin e tij në akademinë e Padovas, duke rënë në sy të skautëve të skuadrave të njohura italiane që kërkonin shërbimin e tij. Falimentimi i Padovas në vitin 2014, i dha mundësinë atij që ta zgjidhte vetë klubin ku dëshironte të luante në të ardhmen. Në fund, futbollistin e tërhoqi oferta që i bëri skuadra e Romës, e cila planifikonte që ta bashkonte me ekipin e të rinjve menjëherë, edhe pse ishte më i vogël në moshë se lojtarët e tjerë të skuadrës së drejtuar nga Alberto De Rosi (babai i mesfushorit të Romës, Daniele De Rosi).

Cilësitë e Ndojit ranë në sy që në vitin e tij të parë te Roma, ku shkëlqeu jo vetëm në kampionatin e moshave, por edhe në UEFA Youth League, aktivitet ku skuadra italiane u mund vetëm në finale nga Çelsi. Klubi e shpërbleu futbollistin shqiptar duke e grumbulluar me ekipin e parë gjatë fazës përgatitore të sezonit dhe duke e aktivizuar në disa miqësore. Progresi i vazhdueshëm i futbollistit dhe vlerësimet e trajnerit Rudi Garcia bënë që Roma të vendoste të investonte te Ndoj. Lojtari 18-vjeçar dhe menaxheri i tij, Sokol Haxhia, dje kanë qenë në zyrat e klubit ku kanë firmosur rinovimin e kontratës, e cila përfundonte në verën e vitit 2017. Tashmë, marrëveshja e mesfushorit do të zgjasë deri në vitin 2020, sinjal i qartë se Roma planifikon që në të ardhmen ta bashkojë atë me ekipin e parë.

Ndoj ka qenë pjesë e kombëtareve U-17 dhe U-19 të Shqipërisë që në vitin 2012, ndërsa pritet që shumë shpejt të grumbullohet dhe të aktivizohet rregullisht edhe me përfaqësuesen U-21.