e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Edi Rama zbardh arsyet: Ja pse e refuzova propozimin e Berishes

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Edi Rama zbardh arsyet: Ja pse e refuzova propozimin e Berishes
Edi Rama rrëzon në mënyrë të prerë propozimet e mazhorancës për hetimin e zgjedhjeve të shkuara. Në një interviste televizive, Rama është shprehur se tashmë ka ardhur koha që opozita të rinisë aksionin e fortë për të arritur transparencën e zgjedhjeve dhe për këtë do të presë edhe javën tjetër një përgjigje nga PD dhe më pas do të fillojnë protestat. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se opozita është duke u përgatitur në mënyrë intensive për rinisjen e protestave gjatë ditëve në vijim, duke filluar që në muajin tetor.

Refuzimi

Lideri i opozitës Rama nuk zbulon konkretisht se cilat janë pikat e kontestuara nga selia rozë, por thekson se çdo manovër e shumicës për të penguar apo vonuar zbardhjen e plotë të procesit është e kotë dhe nuk mund të frenojë një të drejtë, sipas tij, legjitime, të mbështetur fort edhe nga ndërkombëtarët. “Ne rast se fjala përfundimtare do të jetë ajo që është e shkruar në letrën e fundit, atëherë ne do të vazhdojmë në rrugën e nisur dhe askush nuk do të na zmbrapsë dot në një kërkesë legjitime në një vend kur të gjithë e kanë kuptuar se zgjedhjet janë vjedhur. Flitet qartë për domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve”, tha Rama. Duke i cilësuar protestat si një pjesë të rrugës së opozitës në kërkim të një të drejte të cenuar, Rama theksoi se pa rivënë në vend shtyllat e drejtësisë në Shqipëri nuk mund të ketë demokraci të vërtetë funksionale. “Të gjithë po i shohim pasojat e grabitjes së zgjedhjeve, sepse nuk ka transparencë mbi procesin zgjedhor, sepse nuk ka demokraci në procesin zgjedhor, sepse nuk ka demokraci në të gjithë procesin qeverisës”, deklaroi Rama.

Strategjia

Lideri i selisë rozë paralajmëron reagim të fortë të opozitës në rast se shumica do të vijojë në rrugën e saj për të penguar transparencën e zgjedhjeve. “Ne sigurisht presim, por nuk presim pa fund. Në ditët në vijim në do të kemi me siguri edhe fjalën përfundimtare dhe padyshim do të hyjmë në një proces që do të varet nga kjo fjalë. Kemi bërë të gjitha lëshimet e mundshme, por nuk do ta lëshojmë transparencën si një parim, të cilin ne nuk e negociojmë”, tha Rama. Propozimet i janë dorëzuar socialistëve të enjten përmes një letre nga kreu i grupit parlamentar të PD Astrit Patozi, por për opozitën, përsa kohë ato nuk garantojnë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, janë të papranueshme. Në letër propozohet ngritja e Komisionit Hetimor menjëherë me rimbledhjen e Parlamentit.

Komisioni do të kishte shumicë nga opozita si në përbërje dhe në vendimmarrje, por do të niste punë me çështjet e tjera që përmban problematika zgjedhore në pritje të një qëndrimi prej Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës se Strasburgut apo opinionit të Komisionit të Venecias, përsa i përket materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit. Mazhoranca kishte kërkuar që këto gjykata t’i vinte në lëvizje opozita, ndërkohë që kishte rrëzuar propozimin e socialistëve për t’i vënë kohë 10 ditë Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur në lidhje me kërkesën për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe djegien e fletëve të votimit.