e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

E 'mbijetuara e Himares', Florie Peci, lind vajze, pritet ADN-ja

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
E 'mbijetuara e Himares', Florie Peci, lind vajze, pritet ADN-ja
Në orën 14.15 minuta, Florie Peçi, vajza që i mbijetoi aksidentit tragjik të Himarës ka sjellë në jetë vajzën e saj. Mund të quhet edhe mrekulli e mjekëve të spitalit ‘Mbretëresha Geraldinë” që, në kushtet fizike tejet të vështira të vajzës, e cila qëndroi për muaj me radhë në koma pas aksidentit, arritën të realizojnë këtë lindje. Floria dhe vajza e saj, mësohet se gëzojnë shëndet të plotë. Konfirmimi vjen nga një familjar, që e ka ndjekur hap pas hap gjendjen e Flories në maternitetin e Tiranës, që i ka qëndruar thuajse përherë te koka, jo vetëm për ta ndihmuar, por edhe për ta mbështetur. Sipas të dhënave, Floria prej kohësh ka nisur të përmirësohet edhe nga gjendja mendore, ka nisur të reflektojë mbi atë që ka ndodhur dhe përditshmërinë e saj. Vajza që ka lindur ditën e djeshme është fryt i një abuzimi seksual në kushtet e pavetëdijes totale të Flories, në kohën kur kishte dalë nga koma në klinikën austriake. E mbijetuara e aksidentit tragjik të Himarës mendohet të jetë abuzuar diku në javën e katërt të shtatorit të një viti më parë, ndërsa trajtohej në atë klinikë për tu rehabilituar. Zbulimi i shtatzënisë së saj erdhi në muajin janar, ndërsa ngjarjen e denoncoi vetë familja e saj në prokurori.

Denoncimi i abuzimit

Ishte mesi i muajit janar, kur vëllai i Florie Peçit mbërriti në Prokurorinë e Përgjithshme për të vënë në dijeni autoritet e hetimit se me motrën e tij ishte abuzuar seksualisht në kohën që kishte qenë duke u kuruar në Austri. Zbulimi kishte ardhur nga mjekët lokalë, të cilët kishin mbajtur nën kontroll pas kthimit nga Austria. Prokuroria nisi hetimin duke bashkëpunuar edhe me autoritetet austriake. Familja këmbënguli që hetimi të kryhej në klinikën austriake. Ishte vëllai i saj, Gazmendi që bëri publik edhe kallëzimin që kishte bërë në prokurorinë e përgjithshme për rastin e abuzimit me motrën e tij në Austri. Floria u shtrua në maternitet në fundin e shkurtit kur nisën edhe ekzaminimet për të mësuar shkallën e abuzimit me të. Megjithë përpjekjet e ekspertëve të hetimit për të zbuluar ndonjë emër ose person nëpërmjet rrëfimeve të vetë vajzës, nuk u arrit të shkohet tek një person i dyshuar. Nga hetimet u saktësua se vajza pas daljes nga koma ishte mbajtur edhe në një familje shqiptarësh në qytezën në të cilën ndodhej klinika. Autoritetet austriake mësohet se kanë vënë gjithçka në dispozicion të hetimit, por do të jetë ADN-ja e foshnjës provë kryesore për të nisur punën për identifikimin e abuzuesit.

Dyshimet

Gjatë marrjes në pyetje të familjarëve të saj, por edhe pas të dhënave që erdhën nga autoritetet hetimore austriake u mësua se vajza gjatë kësaj kohe bashkë me motrën e saj janë marrë shpesh për vizitë nga një familje kosovare. Sipas të dhënave pjesëtare e njërës prej familjeve ishte edhe përkthyesja. Kjo e fundit ka reaguar publikisht në lidhje me sinjalet dyshimit në lidhje me ndonjë abuzim të mundshëm në familjet e kosovarëve. Jo vetëm që hedh poshtë çfarëdo lloj mundësie, por ajo shton se me Florien përgjatë gjithë kohës ka qëndruar në shtëpitë e tyre edhe e motra e saj. Shqiptarët që banojnë në qytezën ku ndodhej klinika që kishte marrë përsipër kurimin e njërës prej tri të mbijetuarave në gjendje tejet të rëndë shëndetësore nga aksidenti i Himarës, kanë saktësuar se vajzat i shoqëronin nëpër shëtitje dhe i merrnin në shtëpi për ndonjë drekë apo për kafe dhe më pas i shoqëronin sërish për në klinikë. Megjithatë, edhe pse u fol shumë mbi këtë çështje, prokuroria dhe policia shqiptare duket se u dorëzuan, pasi nuk arritën të zbulonin asgjë dhe gjithë besimi u vendos në mbajtjen në jetë të Flories dhe të foshnjës së saj.