e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Duka presion De Biazit: Ai ka përgjegjësinë e listës

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duka presion De Biazit: Ai ka përgjegjësinë e listës

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka dhënë një intervistë për mediat në përfundim të ceremonisë së prezantimit të fanellave të reja të Kombëtares, ku ka përmendur përzgjedhjet që duhet të bëjë trajneri për listën e futbollistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në "Francë 2016".

de_biasi_vs_duka"Jam shumë i sigurt që De Biazi do ta ketë shumë të vështirë. Diferencat e futbollistëve me njëri-tjetrin janë pothuajse të padukshme, kështu që do të jetë një vendim i vështirë. Por gjithsesi, rregullat e futbollit këto janë.

Megjithatë, askush nuk ia mohon kontributin gjithkujt që ka qenë pjesë e kësaj rruge, ama në Europian do të shkojnë vetëm 23. Sado që është vendim i vështirë, është një risk që duhet ta marrë dikush dhe i takon De Biazit që ta bëjë, ashtu siç ka marrë edhe shumë gjëra të tjera të mira", është shprehur fillimisht Duka.

Më tej, kreu i institucionit të futbollit në vend ka folur edhe për ndeshjet miqësore, duke bërë edhe një herë të qartë se Shqipëria ka arritur një nivel që e bën të krahasueshme edhe me Kombëtare që renditen në shkallët më të larta të renditjeve të FIFA-s e UEFAs.

"Trajneri dhe stafi duhet të provojnë gjithçka për të dhënë më të mirën, atje ku duhet rezultati maksimalisht. Kundërshtari i parë, në letër është shumë i fortë sepse ka bërë rezultate pozitive në eliminatore, por edhe ne jemi të fortë, pasi jo më kot jemi deri këtu", ka deklaruar Duka.

Kreu i FSHF-së ka bërë edhe një thirrje për "tregun e zi" të fanellave. "Uroj që kjo fanellë të na sjellë fat. E kemi mbrojtur si markë dhe nuk duhet të ekzistojë e falsifikuar dhe e riprodhuar. Është rast unik që do të jetë vetëm për Europian dhe duhet që shqiptarët ta kenë atë çfarë është origjinale, edhe si vlerë historike".