e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Dritan Dajti 'lirohet' nga gjobevenia e biznesmeneve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Dritan Dajti 'lirohet' nga gjobevenia e biznesmeneve
Prokuroria për Krime të Rënda në kryeqytet, pas hetimeve që zgjatën më shumë se një vit nuk arriti të provojë se i pandehuri Dritan Dajti i ka vendosur “gjoba” biznesmenëve të ndryshëm në vend. Momentalisht Dajti po gjykohet për vrasjen e katër policëve dhe një mikut të tij, por hetuesit kishin të dhëna edhe për gjobëvëniet e tij. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, sipas të cilëve, procedimi penal me nr. 61/2 është pushuar për mungesë provash.

“Pas ngjarjes së 7 Gushtit 2009 të ndodhur në Durrës, ku i pandehurit Dritan Dajti vrau me armë zjarri katër efektivët e policisë, të cilët po tentonin ta arrestonin dhe një mikun e tij, Shërbimi Informativë Shtetëror (SHISH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë referuan në Prokurorin e Krimeve të Rënda disa materiale operative, ku akuzohej Dajti si autor i gjobëvënës ndaj nëntë biznesmenëve të njohur që operojnë në fusha të ndryshme biznesi në vend. Hetimin për këtë vepër penale e ndoqën dy prokurorët që e dërguan Dajtin në gjyq për vrasjen e policëve, Eugen Beçi e Ardian Nezha. Në në përfundim të fazës hetimore ata nuk arritën të gjejnë apo zbulojnë prova që implikojnë të pandehurin në vendosjen e gjobave”,- thuhet në vendimin e prokurorisë për pushimin e çështjes.

Vetë prokurorët pohuan se për të zbardhur dyshimet e policisë dhe SHISH, kanë marr në pyetje edhe nëntë biznesmenët që përmendeshin në material, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të ishte takuar nga Dritan Dajti, ose të kishte pasur kërcënime në emër të tij. Ata mohuan faktin e gjobëvënies dhe në këto kushte prokurorit nuk kishin se ku ta bazonin çështjen. Ata shqyrtuan edhe një herë një sërë shkresash dhe përgjimesh, por në asnjë rast nuk u provua dot akuza e SHISH-it dhe e Policisë.

“Asnjëri nga personat e pyetur, nuk pranuan se ishin gjobitur apo kishin paguar gjobën e vendosur nga Dritan Dajti. Thuajse të gjithë të pyeturit nuk e kishin njohur të pandehurin Dajti deri në momentin e vrasjes së policëve”,- thanë burimet e prokurorisë, duke iu referuar dosjes hetimore. Sipas këtyre burimeve, mes të pyeturve kanë qenë ndërtues të njohur, pronarë tokash dhe tregtarë e koncesionarë të ndryshëm në vend. Por, ndryshe nga çfarë kanë pohuar biznesmenët, materialet e policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror tregojnë për një aktivitet të madh të Dajtit si gjobëvënës. Për rreth dy vjet SHISH dhe më pas policia kanë punuar në mënyrë operative për të mbushur dalë nga dalë dosjen “Dajti”. Kjo dosje përmban informacione konfidenciale dhe materiale të mbledhura nga agjentët e SHISH në terren dhe tashmë ndodhet në duart e prokurorisë. Por ligji pengon përdorimin e materialeve operative të SHISH-it si prova në një proces gjyqësor dhe për këtë arsye prokuroria nuk arriti të provojë pohimet e agjentëve sekretë. Vetë Dajti mohoi akuzat e gjobëvënies.

Pushohet edhe hetimi i pasurisë së Dajtit

Dritan Dajti u hetua nga Prokuroria për Krime të Rënda edhe mbi bazë të ligjit “Antimafia”, duke nisur procedimin penal ndaj të pandehurit dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjarëve të tij. “Ndaj shtetasit Dritan Dajti, është kryer edhe hetimi pasurore, pasi ndaj tij kishte nisur hetimi për dyshimin e kryerjes së veprës penale të shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie e kryer në bashkëpunim e njohur ndryshe si gjobëvënie. Por, pavarësisht se hetimi pasuror u kryer, prokuroria nuk arriti të provojë se Dajti kishte vendosur gjoba dhe automatikisht hetimi u pushua. Gjatë kësaj faze janë mbledh një sërë shkresash materiale të ardhura nga të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend, ku përshkruajnë në mënyrë analitike të dhëna për posedimin e llogarive apo depozitave bankare që ndodhen në emër të të pandehurit apo pjesëtarëve të ngushtë të familjes së tij. Gjithashtu, është kërkuar informacion edhe nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në vend, ku janë evidentuar pronat dhe pasuritë që disponon familja e të pandehurit Dajti. Nga ky hetim, nuk ka rezultuar se Dajti apo pjesëtarët e familjes kanë pasuri të cilën nuk e justifikonin me të ardhurat familjare.

Dajti në gjyq për vrasjen e 4 policëve

Dritan Dajti po gjykohet për akuzën e vrasjes së policëve Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, shokun e kunatit tët tij shtetasin Ledjon Mara, si dhe plagosjen e një kalimtari adoleshent me inicialet F.SH. Ngjarje kjo e ndodhur rreth mesditës së 7 Gushtit 2009 në zonën e plazhit në Durrës, ku ai i është përgjigjur me zjarr thirjve të policisë për të ndaluar. Dajti, është dënuar në vitin 2004 me 20 vjet burg për vrasjen e një ndërtuesi me emrin Agim Beqja, ndërsa në vitin 2005 u dënua edhe me 9 vite burg për arratisjen nga ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë

Plagosja e Dajtit pa autor

Prokuroria e Durrësit, nuk ka arritur të provojë ende se kush ishte personi që plagosi Dritan Dajtin me dy plumba në trup, plagë të cilat u bënë shkak për prangosjen e tij më datë 7 Gusht 2009. Sipas këtyre të dhënave, mësohet se dosja penale e referuar në prokurori të Durrësit për gjetjen e autorit të plagosjes së Dajtit është pushuar, për mungesë të provave. Sipas arsyetimit, plumbi që është hequr nga trupi i Dajtit dhe tjetri që ndodhet në trup, janë të dëmtuar deri në atë formë sa nuk kanë elemente krahasuese me armët që efektivët e policisë ditën e arrestimit të Dajtit kishin në përdorim.