Dollarë nga Amerika dhe mijëra tifozë, jemi si në ëndërr
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një "ëndërr" që çdokush do të donte ta përjetonte. Me dollarë, ngrohtësi, surpriza dhe atmosferë elektrizuese.
Korabi është duke kaluar ndoshta sezonin më të artë në historinë e vet si klub. Skuadra dibrane mund të ngjitet për herë të parë në Superiore ose të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar pas rreth 60 vitesh. Drejtuesit e klubit synojnë një histori suksesi.
Aktualisht skuadra është në krye të Grupit A. Në fillim të sezonit, në ekip u afruan shumë lojtarë me eksperiencë.
Një prej emrave të spikatur është portieri Elvis Kotorri. Në një intervistë për gazetën "Panorama Sport", ai rrëfen gjithçka po përjeton në këtë aventurë të re.
Përse pranuat të bëheshit pjesë e Korabit, një skuadër që sapo ishte ngjitur për herë të parë në Kategorinë e Parë. Ishin paratë ato që ju bindën?
Sigurisht, edhe paratë kanë pjesën e tyre në këtë histori. Por, më shumë ishte trajneri Dritan Mehmeti, të cilin unë e kam edhe mik, që më bindi dhe më shtyu të pranoja ofertën. U njoha me projektin që kishin drejtuesit dhe synimin për t'u ngjitur në Superiore.
E pashë që ishte diçka serioze dhe pranova.
Si e vlerësoni këtë kampionat kur ka kaluar më shumë se gjysma e tij?
Unë kam luajtur për shumë vite në Superiore me disa skuadra. Por, po ju them sinqerisht që Kategoria e Parë është më e fortë se Superliga.
Jo për sa i përket garës dhe kualiteteve, por egërsisë që shfaqet thuajse në çdo ndeshje. Sidomos në transferta, kundërshtarët luajnë shumë ashpër dhe në disa raste mund të rrezikosh karrierën.
Si është të luash në Peshkopi, jeni ambientuar me atë qytet?
Ne stërvitemi në Tiranë dhe udhëtojmë drejt Peshkopisë vetëm për ndeshjet. Mund të them se kam gjetur një ambient shumë të mirë. Tifozëria është spektakolare dhe më ngjan me atmosferën që u krijua në Elbasan atë vit që u shpallëm kampion.
Mijëra tifozë janë të pranishëm në çdo ndeshje. Një tjetër fakt që më bën përshtypje është edhe se ata nuk përdorin asnjëherë sharje apo ofendime.
Si rrallëherë në Shqipëri, janë një tifozëri e kulturuar. Dua t'i përgëzoj për gjithçka bëjnë për Korabin duke na mbështetur në çdo ndeshje.
Besoni realisht se mund të ngjiteni në Superiore?
Nëse nuk do ta besoja, me siguri që do të isha larguar nga ajo skuadër. Po të mos kishte seriozitet dhe bindje nga të gjithë, duke nisur nga drejtuesit e deri te tifozët, atëherë ky projekt nuk mund të vazhdonte. Unë mund të isha larguar që në janar, por vendosa të qëndroj te Korabi dhe të realizojmë synimin që kemi marrë përsipër.
Cilës prej rivaleve i frikësoheni më shumë, Besëlidhjes apo Kastriotit?
Asnjërës. Mendoj se Korabi është skuadra më e fortë dhe këtë e tregon renditja. Jemi një ekip i kompletuar që kemi në përbërje futbollistë cilësorë. Fortësinë e kemi treguar edhe në përballjet direkte me këto ekipe rivale.
E veçanta e Korabit janë edhe dollarët që vijnë nga Amerika. Si i ndani paratë?
Është e vërtetë, diçka e veçantë për një ekip. Premio që vjen nga Amerika na motivon shumë dhe e ndajmë në mënyrë të barabartë sipas meritave që ka gjithsecili në skuadër. Dua të falënderoj edhe dy sportdashësit, Selim Rusi dhe Naim Agolli, që e ndihmojnë ekipin.
Si i konsideroni gjykimet në këtë ligë?
Nuk jam marrë asnjëherë me to, por në takimin e fundit në Krujë Emirjon Sino e bëri "baltë". Ai e ndihmoi thuajse 100% skuadrën vendëse me vendimet e tij. Mendoj se arbitrat nuk duhet të bëhen faktor në një kampionat.
BESAR BOZGO