e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Dokumentari ne CNN, 12-vjeçarja: Si me trafikuan

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Dokumentari ne CNN, 12-vjeçarja: Si me trafikuan
“Tutorin e liroi xhaxhai i tij gjyqtar, bleu vilë trekatëshe në fshat”
Roza u mashtrua nga i dashuri, njerku e përdhunonte.

“Trafikantët kërkonin kokën time”. Kështu është shprehur në një intervistë për CNN, Mimi Charakova, autore e një dokumentari që trajton historinë e trafikimit të prostitucion të një 12-vjeçareje shqiptare. Dokumentari i saj shfaqet për herë të parë për publikun e Londrës, ndërsa në fund të vitit të kaluar, në dhjetor 2011, u nderua me çmimin për kurajën në Festivalin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Nju Jork.

Historia tashmë ndërkombëtare është fati i keq i Rozës, vajzës nga Shqipëria, e cila pas një fëmijërie të ndrydhur, pas përdhunimit nga njerku i saj, trafikohet jashtë Shqipërisë duke u bërë pjesë e botës së dhunshme të industrisë së mishit të bardhë. “Ajo kishte veshur këmishën e saj rozë dhe sandalet e preferuara ditën kur u largua nga fshati i saj në Shqipëri. Nëna i thirri me zë të lartë përpara se të futej në makinën e kuqe ‘Mitsubishi’ të të dashurit të saj.

Por ajo nuk e ktheu kokën për t’i thënë ‘mirupafshim’. Ishte 12 vjeçe dhe e nevrikosur”. Kështu shkruhet në skenarin e dokumentarit që ka për autore Mimi Charakova-n, regjisore amerikane. Dokumentari është titulluar “Çmimi i seksit”. Skenari ngërthen një histori tërësisht shqiptare, një vajzë nga fshati në adoleshencë, e cila njihet me një mashkull më të madh se veten dhe bie në dashuri. Më pas ëndrrat për një jetë të re e deri tek udhëtimi me skaf drejt Italisë dhe të papriturat e fatit atje.

Vajza shqiptare

“Quhej Roza, prej vitesh përdhunohej nga njerku. Nuk mund t’i tregonte gjë nënës, sepse e dinte që do ta largonin nga shtëpia dhe do ta shanin. Kur mbërritën në Itali, i dashuri i kërkoi që të punonte për të si prostitutë. Në fillim ajo mendoi se bënte shaka: la shtëpinë, braktisi familjen për të qenë me njeriun që donte, me të cilin ëndërronte se një ditë do të martohej. Ai ishte i rritur dhe ajo e dashuruar. Por njeriu që donte e ktheu atë në realitet. I tha sa shumë para u harxhuan për rrugën, për dokumentet false, për rrobat dhe gjithçka tjetër që e bënin atë të dukej e bukur. Ajo qau, ndërsa ai i preu gjurin me thikë në mënyrë që ajo të pushonte. Për 7 vitet që do të pasonin shenja ishte një kujtesë se ajo s’kishte njeri tjetër veç tij”. Historia e dhunshme dhe kriminale rrëfehet nga vetë protagonistja e ngjarjes, e cila tashmë ndodhet diku në një strehë ndihme për viktimat e trafikut. Vajza dëshmon se sapo i është dhënë mundësia e ka denoncuar trafikantin dhe shfrytëzuesin e saj. “Por xhaxhai i tij ishte gjyqtar”, tregon vajza shqiptare. Sipas saj, tutori i dhunshëm i saj u la krejtësisht i lirë. Ai që e kishte shfrytëzuar atë në mënyrë të dhunshme me rrahje e kërcënime në Itali dhe Belgjikë, u largua për pak kohë nga Shqipëria derisa “gjërat” u ftohën. Pas denoncimit në polici dhe tashmë kur ndodhet nën ndihmë sociale, Roza thotë se ka mësuar për tutorin e saj. Ai është i lirë, i padënuar dhe i kthyer në Shqipëri. Sipas Rozës, ky person ka blerë një vilë trekatëshe në fshatin e saj në Veri të Shqipërisë.
Braktisja
Ajo që ka ndodhur me Rozën është më se e rëndë. Familja e saj e mohoi atë, të afërmit e quajtën lavire dhe nëna e saj, ende e zhgënjyer, nuk e di se i pari që abuzoi me Rozën ishte në fakt njeriu që i kishte rrëmbyer asaj ndjenjat në një kohë. Dokumentari ilustron gjendjen aktuale të Rozës, protagonistes së historisë. Vajza mbahet e mbyllur në një qendër rehabilitimi të viktimave, ndërsa tutori i saj i pasuruar dhe i pandëshkuar endet i lirë. Autorja e dokumentarit, e shquar edhe në fushën e fotografisë, shpjegon se ka investuar histori të tilla edhe përtej Shqipërisë, megjithatë, subjekti i Rozës është i veçantë. Për realizimin e dokumentarit autorja kishte mbledhur dëshmi dhe materiale për shtatë vite me radhë deri në kompletimin e historisë.

Krimet e Rënda: Vajza u çua në Itali
Trafikoi të dashurën e vëllait, në gjyq 22-vjeçari tiranas

Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon në gjyq me akuzën e trafikimit të femrave në bashkëpunim një 22-vjeçar të akuzuar për shfrytëzimin seksual të së dashurës së vëllait të tij. Sipas hetimeve të Prokurorisë, shtetasi Arben Bregasi është dërguar në gjykatë me akuzën se ka dërguar në Itali dhe ka shfrytëzuar si prostitutë atje një vajzë nga Lushnja. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Fierit, 21-vjeçarja me inicialet V. S., banore e fshatit Çermë të rrethit të Lushnjës, ka qenë e dashura e vëllait të të arrestuarit. Shtetasi i akuzuar, Arben Bregasi, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda gjatë hetimeve në lidhje me trafikimin e së dëmtuarës me iniciale V. S. Sipas Policisë, e dëmtuara, me arsim 8-vjeçar, kishte disa muaj që kishte lidhur miqësi me vëllain e të dashurit të saj. Ajo, megjithatë, nuk u kishte thënë gjë dy djemve dhe besohet se nuk ka qenë në dijeni se ata ishin vëllezër mes tyre. Nga hetimet e organit të akuzës është mësuar se Arben Bregasi dhe V. S. kanë rënë dakord që të ikin bashkë drejt Italisë. Pak ditë më pas, ata kanë mbërritur në Milano.

Pasi janë vendosur atje, i akuzuari Arben Bregasi, sipas Prokurorisë, duke përdorur metoda presioni dhe dhune, i ka kërkuar 21-vjeçares që të kryente marrëdhënie seksuale me klientët, të cilët ai ia çonte në shtëpinë ku qëndronin në shoqërinë e së dëmtuarës. Ajo ishte përpjekur të bënte rezistencë, por është rrahur barbarisht nga i dashuri i saj. Për shkak të mospranimit të vazhdueshëm të vajzës, i akuzuari është kthyer bashkë me të në Shqipëri dhe më pas i ka kërkuar të ikin në Austri, por e dëmtuara ka denoncuar menjëherë në polici.