e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Djali i ish-funksionarit can eskorten, ben 'gare' me makinen e Berishes

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Djali i ish-funksionarit can eskorten, ben 'gare' me makinen e Berishes
Një djalë i ri me inicialet R.K., në shoqërinë e tri femrave dhe nën efektet e alkoolit ka provuar të bëjë një“shaka” me rrezik me makinën e tij ndaj autokolonës së kryeministrit Berisha. Aventura që ka terrorizuar shoqëruesit e shefit të qeverisë, është kryer të dielën mbrëma, ndërsa kryeministri Berisha po kthehej nga Durrësi për në Tiranë. Automjeti tip Benz ka prishur kordonin e eskortës kryeministrore diku në afërsi të Vorës dhe deri në rrethrrotullimin e “Sheshit Rilindja” ka refuzuar të shmanget nga ecja në pozicion paralel disa herë edhe me automjetin në të cilin udhëtonte Kryeministri. Shoqëruesit kanë provuar disa herë ta neutralizojnë automjetin kërcënues, por kur kanë parë që në makinë ka edhe femra janë përmbajtur derisa janë ngritur edhe postblloqet e policisë.

Pengesën e parë, drejtuesi e ka kaluar me shpejtësi marramendëse, duke mos iu dhënë kohë efektivëve të qarkullimit as të komunikojnë me të, por në rreth-rrotullim, shoqëruesit e Berishës janë treguar më të zgjuar. Janë kthyer në Unazë, në drejtim të Stacionit të Trenit, ndërkohë që benzi ka marrë në drejtim të 21 dhjetorit. Ai ndaluar te “Stadiumi Dinamo”, është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë dhe pas verifikimit, identifikimit të tij dhe të vajzave që kishte në makinë, është lënë i lirë. Burimet bëjnë të ditur se drejtues i mjetit është djalii një ish-zëvendëskryeministri, (emri është i njohur për redaksinë, po për arsye etike nuk po e japim të plotë), 33 vjeç, ndërsa në shoqërinë e tij mësohet se kanë qenë edhe vajza e një tjetër funksionari të lartë të qeverisë aktuale. Të dhënat e detajuara vijnë nga burime konfidenciale, por zyrtarisht mbrëmë u pranua se një automjet në të vërtet ka çarë kordonin e eskortës së kryeministrit mbrëmjen e së dielës.

“Kërcënimi”

Në Vorë, pikërisht në vendin ku bashkohet rruga e Maminasit me autostradën një automjet tip benz, ka parakaluar makinën e fundit të eskortës së Kryeministrit Berisha. Pas pak ka nisur manovra për ta nxjerrë jashtë kordonit, por si duket drejtuesi i mjetit ka refuzuar duke parakaluar edhe makinat e tjera derisa është vendosur paralel me makinën në të cilën udhëtonte kryeministri. Garda ka lajmëruar policinë dhe në Vorë është ngritur postblloku i parë. Makina nuk ka denjuar të ndalojë, ndërsa kanë vijuar ecejaket deri nëmbikalimin e Kamzës. Aty ishte vendosur post-blloku i radhës, por drejtuesi R.K ka shtuar shpejtësinë me kilometrazh marramendës dhe sërish ka sfiduar punonjësit e policisë rrugore. Në afërsi të ish-Zogut të Zi, eskorta ka nisur të mendojë “seriozisht” shmangien dhe ia kanë arritur. Kanë ndezur sinjalin “djathtas” dhe I riu, është mashtruar. Ka marrë rrugën dytësore për të dalë sërish paralel me makinë e kryeministrit por me sa duket llogaritë si ka bërë si duhet.

Eskorta e kryeministrit është kthyer për nga Stacioni i Trenit dhe më pas ka dërguar në shtëpi Berishën, ndërsa makina që i ndiqte, përballë hotel “D`Oros”, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën. Policia ka blinduar rrugën ndërsa e kanë patur mjaft të vështirë të kryejnë ndalimin e tij. Djali ka vijuar rrugën deri në afërsi të stadiumit “Dinamo”, ku edhe është “dorëzuar”. Menjëherë është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë ku edhe ka nisur procesi i marrjes në pyetje. Nga të dhënat konfidenciale të policisë mësohet se në kohën e shoqërimit kanë qenë të pranishëm edhe oficerë të sektorit të Anti-Terrorit, ndërsa identifikimi dhe gjendja e tij jo e mirë nga efekti i të pirit më tepër se sa duhet alkool ka bërë që R.K. të lihet i lirë. Gjithashtu mësohet se edhe Garda e Republikës nuk e ka denoncuar rastin, ndërkohë nuk bëhet e ditur se çfarë ka dëshmuar djali i një prej emrave fort të njohur të politikës për qëllimin e asaj sipërmarrjeje.