e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Disiplina per 70 dite, 28 milione gjoba e 244 ndeshje denim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Disiplina per 70 dite, 28 milione gjoba e 244 ndeshje denim
Komisioni i Disiplinës vazhdon që të ndëshkojë pa fund ata që sillen jashtë normalesh në futbollin shqiptar. Në një llogari për 70 ditë kampionat në të gjitha kategoritë, bilanci është i jashtëzakonshëm. Dënime pa fund në Kategorinë e Superiore të Parë e të Dytë dhe në kampionatin e të rinjve që tregon se paçka gjërave pozitive, sërish dhuna dhe sjelljet e dhunshme në fushën e lojës ekzistojnë dhe janë të pranishme pa fund në shumë qytete. Lumë janë dënimet e fushave, ndaj lojtarëve të ndryshëm zyrtarëve dhe klubeve. Gjithsesi, rekordin për keq, e mbajnë zyrtarët. Ata janë më të dënuarit në këto dy muaj futboll.

Zyrtarët, më të dhunshmit në fushën e lojës

Zyrtarët e klubeve shqiptarë janë më të dhunshëm në futbollin tonë. Ata kanë bërë namin dhe sigurisht kanë marrë përgjigjen e merituar nga komisioni juridik i FSHF-së. Kanë qenë 20 zyrtarë klubesh në shënjestrën e komisionit juridik. Së bashku ata bëjnë 106 javë dënime në kampionatin shqiptar me një mesatare prej 5 javësh secili. Po kështu, zyrtarët kanë qenë ata që janë gjobitur me një shifër rekord prej 25 milionë lekësh të vjetra. Ka edhe nga ata zyrtarë që janë dënuar nga një vit si rasti i Dritan Bicit të Gramshit, apo Paro Laçit të Partizanit edhe pse ky i fundit është falur nga vetë komisioni juridik. Gjithsesi, me një përllogaritje dënimet ndaj zyrtarëve në krahasim me ato të lojtarëve janë shumë më të mëdha.

Lojtarët 44 të dënuar 138 javë pezullim

 Tek klasa e lojtarëve shifrat janë disi më të moderuara përsa i përket gjobave me lekë. Gjithsesi, numri i atyre të cilët janë ndëshkuar për sjellje të pahijshme janë pa fund. Plot 44 lojtarë nga skuadra kampione e deri tek ekipet U-17, me një mesatare dënimi prej 3.1 ndeshjesh për secilin. Rekordin e dënimeve afatshkurtra dhe afatmesme e mbante deri para pak kohësh Miguel Cfarku, me 24 muaj pezullim, por ky i fundit u lirua nga akuzat dhe tani nuk është më i dënuar. Lojtari i cili është dënuar më shumë është pikërisht futbollisti i Memaliajt, Korado Kalemi me tetë javë, por në listën e të kryqëzuarve janë edhe futbollistë si Renato Arapi, Erjon Dushku e shumë e shumë emra të njohur të kampionatit shqiptar dhe kategorisë Superiore. Për t’u veçuar në analizën e kampionatit është edhe fakti se disiplina vetëm një herë ka zbritur pikë nga renditja e ndonjë kompeticioni. Një minus tre pikë i janë hequr një skuadre në kampionatin e moshave. Në gjashtëmbëdhjetë ndeshje komisioni është detyruar që të japë rezultatin në tavolinë me takime që janë të Kupës së Shqipërisë, Kategorisë së Dytë dhe kampionatit të moshave. Në total për lojtarë dhe zyrtarë klubesh janë dhënë 244 ndeshje pezullim, më shumë se 28 milionë letë të vjetra gjobë, për 20 zyrtarë dhe 44 lojtarë që marrin pjesë në çdo kampionat nga superiorja deri tek femrat. Në krahasim nga kampionati i vjetshëm dhe dënimet që janë dhënë aktualisht ka më pak dënime përsa i përket gjobave, shkak ky i ndryshimit të Kodit të Drejtësisë Sportive dhe uljes së dënimeve me gjobë.

Komisioni mbyll 18 stadiume për 46 javë

 Nuk janë dënuar vetëm zyrtarët e futbollistët. Të ndëshkuar janë edhe klubet, por edhe tifozët. Shumë herë sjelljet e tyre janë paguar shumë shtrenjtë nga klubet dhe skuadrat. Vetëm dy ekipe kanë njohur gjoba, Gramozi dhe Tirana. Njëra për shkak të mangësisë në organizimin e ndeshjes, ndërsa tjetra për vonesën në ndeshjen me Besën në “Qemal Stafa”, javë më parë. Por ata që kanë vuajtur më shumë janë ekipet e tjera. 18 prej tyre janë ndëshkuar me 46 javë mbyllje të stadiumit përkohësisht. Lista është e gjatë dhe brenda ka emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, duke filluar që nga kampionët e Skënderbeut e deri tek ekipi i Këlcyrës. Të gjitha dënimet janë dhënë për sjelljen e përkrahësve në stadium, çka ka detyruar disiplinën që të mbyllë dyert e impianteve për shumë javë. Tomori është skuadra e parë që ka vuajtur që në javën e dytë këto dënime. Më pas vijnë skuadrat e tjera me nga një apo dy javë. Kampionët e ndeshjeve të kategorisë Superiore dhe të Parë janë luajtur ose do të luhen pa tifozë dhe jashtë stadiumit të skuadrës. Me një përllogaritje të vogël, nga 422 ndeshje të dy kategorive, 29 prej tyre tashmë nuk luhen me tifozë ose në qytetin e skuadrës, por në një fushë tjetër. mbeten Besa, Këlcyra dhe Naftëtari me 6 dhe 8 e 9 javë. Të tre skuadrat duhet të luajnë jashtë fushave të tyre shumë javë duke paguar shumë shtrenjtë sjelljen e tifozëve të tyre. Rekordmenët në këtë kategori janë kuçovarët. Vetëm në 11 javë kampionat Naftëtari është ndëshkuar 9 javë nga disiplina, me një ndeshje pa tifozë në fillim dhe tetë të tjera si “emigrante” jashtë Kuçovës. Në Kategorinë Superiore 7 skuadra janë ndëshkuar nga tifozët dhe kanë luajtur apo do të luajnë jashtë qytetit të tyre apo pa tifozë një ndeshje futbolli. Po kaq skuadra janë ndëshkuar në Kategorinë e Parë, ndërsa katër skuadra të tjera janë ndëshkuar në këtë kategori prej së dytës. Një total prej 18 ekipesh që kanë mbyllur stadiumin por që mund të shtohen gjatë gjithë vitit. Statistikat dhe e kaluara e kanë vërtetuar një gjë të tillë.

Stadiumi Besa, 6 javë i kyçur

Ekipi i Besës është nga ato skuadra që për gjashtë javë, për shkak të dënimit nga komisioni i disiplinës do të luajë jashtë stadiumit të vet. Skuadra kavajase është ekipi më i ndëshkuar në superior. Pas tij vijnë skuadra si Tomori, Skënderbeu, Vllaznia, Lushnja apo Luftëtari.

Një kryebashkiak e president i dënuar

Në listën e të dënuarve nga drejtësia sportive është edhe një kryebashkiak. Ai i Gramshit, Dritan Bici. Dënimi ndaj tij ka qenë shumë i fortë. Për 12 muaj ai nuk mund të shkelë nëpër stadiumet e Shqipërisë, sepse në një takim në Tiranë ka qenë protagonist për keq. Edhe vitin e kaluar ka pasur dënime të të zgjedhurve vendorë e lokalë. Ndërkohë që i dënuar nga disiplina për dy javë ka qenë edhe presidenti i Kamzës Naim Qarri.

Tirana rekordmene, katër lojtarë të dënuar

Ekipi i Tiranës është skuadra rekordmene e dënimeve të lojtarëve. Katër futbollistë janë dënuar nga kjo skuadër. Bëhet fjalë për Kalarin, Ahmatajn, Dushkun dhe Muçollarin. Së bashku ata janë dënuar 12 javë pezullim.

5 të përjashtuar për jetë

Veç të dënuarve me javë në listën e mëkatarëve ka edhe të dënuar për jetë. Bëhet fjalë për 5 lojtarë të cilët e kanë mbyllur me futbollin. Ata janë katër futbollistë të Gramozit dhe një i Memaliajt. Të pestë janë dënuar për dy ndeshje të vetme dhe gjithmonë është bërë fjalë për agresion ndaj gjyqtarit. Ata janë Evis Peçi, Efiliano Liço, Renato Saliko, Hyserion Shupe dhe Donald Harizi.