e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Demtohet Cana, 2 muaj jashte, do te mungoje ndaj Gjeorgjise

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Demtohet Cana, 2 muaj jashte, do te mungoje ndaj Gjeorgjise
Lorik Cana nuk do të jetë për ndeshjen miqësore që Kombëtarja e Shqipërisë do të duhet të luajë në shkurt kundër Gjeorgjisë. Kjo tashmë është sigurt, për shkak të dëmtimit që mesfushori shqiptar ka pësuar në fundjavë në ndeshjen e skuadrës së tij Lacio në Serinë A, i cili do ta lërë për të paktën dy muaj larg fushave të futbollit. Po ashtu listës së kuqezinjve të dëmtuar i shtohet edhe Edmond Kapllani, i cili ka pësuar një tërheqje muskulore.

Telashe në horizont për kapitenin e Kombëtares kuqezi dhe mesfushorin e Lacios, Lorik Cana. Sikur të mos mjaftonte periudha e vështirë që Cana po kalon në radhët e skuadrës romane për shkak të aktivizimit të paktë, tashmë ai duhet të qëndrojë për të paktën dy muaj jashtë fushave të blerta. Dëmtimi i pësuar në ndeshjen e së shtunës pas përplasjes me portierin e Sienas, rezultoi më i rëndë nga sa u parashikua fillimisht. Analizat e kryera në klinikën Paidea të Romës, nxorën në pah disa fraktura në shtyllën kurrizore dhe mjekët e skuadrës i këshillojnë lojtarit shqiptar 40 ditë pushim absolut për t’u rikuperuar plotësisht nga dëmtimi, ndërsa stërvitjen parashikohet ta nisë pas rreth 2 muajsh.

Ky është një lajm i keq edhe për teknikun e Kombëtares shqiptare, Xhani de Biasi, i cili nuk do ta ketë në dispozicion kapitenin për miqësoren me Gjeorgjinë në datën 29 shkurt në Tbilisi. Lorik Cana u transferua te skuadra e Lacios gjatë merkatos së verës, ndërsa në ndeshjen e fundit ndaj Sienas, ai u aktivizua titullar në mesfushë, duke luajtur vetëm në 45 minutat e para. Muajt e parë ishin shumë të vështirë për mesfushorin shqiptar, i cili kishte përfunduar si një alternativë stoli në skuadrën e trajnerit Edi Reja. Në këtë drejtim kishin ndikuar edhe dëmtimet e tij, të cilat nuk e kishin lënë të arrinte formën maksimale.

Por me impenjimet në ndeshjet e Europa League, ku ishte një nga shtyllat e kualifikimit të Lacios në ndeshjet në grup, Cana mundi të përmirësonte imazhin e tij, duke fituar besimin e teknikut lacial. Viti 2012 për Canën nisi mirë, pasi në 45 minutat e para të ndeshjes së humbur 4-0 në fushën e Sienës ishte titullar. Por dëmtimi duket se do të jetë një goditje e rëndë për të gjithë atë që ai kishte nderuar deri tani. Edmond Kapllani, ndoshta është lojtari më i pafat. Sulmuesi shqiptar u dëmtua në pjesën e sipërme të kofshës, në miqësoren kundër Ingolstadt (1-1), ku Kapllani shënoi golin për ekipin e tij.

Durrsaku e la fushën dhjetë minuta nga përfundimi i saj, pasi për shkak të dëmtimit nuk mund të luante më. Trajneri Jos Luhukaj shpresoi për një tërheqje të lehtë, pasi me një dëmtim të muskujve, rikuperimi do të kërkojë më shumë kohë. Sipas gazetës gjermane, “Augsburger Allgemeine”, ende nuk ka një prognozë se kur do të rikthehet Kapllani. Në fakt, Kapllani është në fund të kontratës me Augsburgun dhe në këtë sezon nuk ka qenë aspak i preferuar nga trajneri Luhukaj. Sulmuesi 29-vjeçar ka luajtur vetëm 45 minuta (në 5 ndeshje) këtë sezon në Bundesligë duke shënuar 1 gol, ndërkohë që ka luajtur dhe në dy ndeshje të Kupës së Gjermanisë.