e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Demonstrata, gjithe naten ne shesh para Kryeministrise

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Demonstrata, gjithe naten ne shesh para Kryeministrise
Një protestë “klasike” me skenografi kryesore selinë e qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha. Sot, në orën 4 pasdite, socialistët dhe aleatët e tyre do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të manifestuar edhe njëherë ndaj Kryeministrit, si homazh për viktimat e 21 janarit, si refuzim ndaj varfërisë ekonomike dhe padrejtësive të pashembullta dhe fatale për shpresën e së ardhmes si çështja “Gërdeci”, apo edhe në emër të një orientimi politik që synon ndryshimin.

Nga të gjitha rrugët e kryeqytetit, demonstrues nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria do të tubohen në pasdite në një takim njerëzor që ripërsërit kërkesat e njohura të opozitës. Larg skenarit të 21 janarit, protesta do të drejtohet nga “Lart”, duke iu përmbajtur skemës së njohur të fjalimeve të drejtuesve politikë. Ajo që mësohet se do të jetë diçka e re, është kohëzgjatja e saj para dyerve të qeverisë, në skenën e dikurshme të grevës së urisë, e cila me gjasë do të mbyllë mbrëmjen e sotshme në Tiranë me vërshimin njerëzor të së majtës.

“Paqësisht, por vendosmërisht” gjen te qëndresa me orë të zgjatura, e për shumëkënd edhe për një natë të tërë, një mënyrë për të shprehur veten dhe për t’i dhënë edhe njëherë mesazhin Kryeministrit për forcën e demonstratës e cila me përmasën numerike do të përgënjeshtrojë akuzën e bërë për lëvizjen e 21 janarit. Në tubimin e sotëm pritet të flasë lideri socialist, Edi Rama, dhe intelektualë të njohur shqiptarë që janë rreshtuar në kauzën që mbron opozita.

Rama: Të largohet qeveria

Partia Socialiste proteston për largimin e Sali Berishës. Në një deklaratë të fundit për shtyp, kreu i saj, Edi Rama, ka nënvizuar se përpjekja politike që zbret sërish në rrugë synon ndryshime politike, si një shprehje edhe e nevojës për të konvertuar politikisht ngjarjet e 21 janarit të hermetizuar brenda kornizës së akuzave. “Nesër në 4 në bulevard me këdo e për këdo që sot nuk e sheh dot më si të veten këtë qeveri përgjegjëse për katër vrasjet makabër dhe për të gjitha plagosjet me armë zjarri në mes të Tiranës.

Të cilat u shkrepën mbi popullin nga regjimi i kusarisë që vrau për të vazhduar të vjedhë. Nuk u vranë socialistët, u vranë të gjithë, u vra liria dhe dinjiteti i katër shqiptarëve, prindër të papunë fëmijësh që u bënë jetimët e regjimit të kusarisë”, është shprehur Edi Rama. Vrasjet e 21 janarit, të dokumentuara me pamje filmike, të jetuara prej mijëra protestuesish aktualizojnë mesazhin politik të opozitës, e cila zbret në këtë raund me një taktikë klasike. Edhe pse disi e vështirë të kuptohet sesi mund të manifestosh paqësisht ndaj një qeverie që e akuzon për vrasje, sërish dalja në rrugë e PS dhe mbështetësve të saj është një apel i cili do të duhet të llogaritet ndryshe nga shumica.

E rëndësishme në këtë moment të ri të krizës politike është plotësimi i kërkesave politike opozitare me fakte nga realiteti; lënda e parë e akuzës tanimë po i shërbehet PS nga gabimet e qeverisë dhe jo nga përpunimi i sforcuar i materialeve propagandistike. Përtej ngjarjes së 21 janarit, Rama ka sjellë në vëmendje edhe çështjen “Gërdeci”, e cila është regjistruar si akt flagrant i sistemit të drejtësisë në vend me një pafajësi që mund të kuptohet vetëm pas kontekstit politik.

 “Nesër në 4 në bulevard me këdo e për këdo që nuk e pranon më padrejtësinë si normë dhe drejtësinë si një aspiratë të parealizueshme as kur vriten njerëz, 4 demonstrues si në 21 janar, 26 skllevër si në Gërdec, një deputet si para zgjedhjeve të shkuara, një kryekomunar si pak kohë më parë”, shtoi kreu socialist. Ai ka shtuar në listën e referencës edhe vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, apo edhe atë të kryekomunarit socialist i ekzekutuar kohë më parë, duke e shërbyer bilancin dramatik 2005-2009 si element për ndërtimin e perspektivës së ballafaqimit me qeverinë.

Vrasjet politike të pazbardhura, Gërdeci, 21 janari janë përmbledhur nga kreu i PS-së si faktorë thelbësorë për të reaguar përmes protestës në përputhje me formulën e re “paqësisht, por vendosmërisht”. Por ajo që ngjan të jetë “gjetja” e fjalës së Ramës apo e apelit të tij duket se ka të bëjë drejtpërdrejt me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, i përditshëm në deklarime për qytetarët shqiptarë dhe në ndërtimin e një realiteti raportesh dhe statistikash që prodhohet dhe verifikohet vetëm prej qeverisë.

 Ky është të paktën vështrimi opozitar që ndahet thellësisht me atë të shumicës. “Nesër në 4 në bulevard për këdo që sot nuk i dëgjon dot më gënjeshtrat e përditshme të Saliut. I cili duhet të largohet dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes përfundimtare të krizës duke i rikthyer përfundimisht këtij populli të drejtën që të zgjedhë lirisht qeverinë e vet dhe lirinë që të mos jetë më vartës po gjykatës i qeverisë që zgjedhur”, ka përfunduar Edi Rama.