De Biazi dilema deri ne fund per cdo repart te formacionit

De Biazi, dilema deri ne fund per cdo repart te formacionit

“Kam pak dilema për formacionin”. Këto janë fjalët e trajnerit Xhani De Biazi para fillimit të grumbullimit për ndeshjen kundër Armenisë, Por në realitet, tekniku kuqezi nuk ka ngulitur ende në mendje emrat e atyre që do të zbresin në fushë në ndeshjen vendimtare të së dielës për kombëtaren shqiptare. E vetmja siguri është qëndrimi besnik ndaj rreshtimit 4-5-1 që ka rezultuar efikas në këtë edicion dhe që garanton “ekuilibrin” e shumëkërkuar nga italiani.

Deri dje, prapavija ishte “e blinduar”, me Berishën në portë dhe para tij katërshen e zakonshme Hysaj-Cana-Mavraj-Agolli. Kuqezinjtë kanë luajtur me këtë rreshtim në prapavijë si në tre ndeshjet zyrtare kundër Portugalisë, Danimarkës e Serbisë, ashtu edhe në dy miqësoret e luksit ndaj Italisë dhe Francës, duke shfaqur qëndrueshmëri të admirueshme. Ndaj De Biazi kishte planifikuar që të mos ndryshonte asgjë as për Armeninë, për t’i qëndruar besnik filozofisë së tij se çdo rezultat i mirë vjen vetëm nëse ka siguri para portës. Por problemet e Mavrajt ndryshojnë situatën dhe kanë detyruar trajnerin të shohë më me vëmendje ecurinë e Currit, Ajetit apo edhe Xhakës, i cili te Bazeli është aktivizuar shpeshherë si qendërmbrojtës. De Biazi e sheh këtë të fundit si futbollistin më të përshtatshëm për këtë pozicion në rast emergjence.

Normalisht, Xhaka duhej të ishte pjesë e treshes së qendrës së mesfushës, përkrah Abrashit dhe Kukelit, në një rreshtim që rezultoi vendimtar në ndeshjet zyrtare të këtij edicioni. Por forma që ka treguar Memushaj në miqësoret e nëntorit me kombëtaren si dhe në ndeshjet e fundit me klubin e Peskarës në Itali, lënë të hapur mundësinë e aktivizimit të tij në ndeshjen e së dielës, ku do të kërkohet pak më shumë lojë ofensive. 28-vjeçari vlonjat duket se ka kaluar në hegjemoninë e ekipit Ergys Kaçen, edhe pse deri tani, me fanellën kuqezi nuk ka zhvilluar ende asnjë takim zyrtar, por ka luajtur vetëm në miqësore.

Krahët e mesfushës, ata që duhet të mbështesin sulmuesin e vetëm në rreshtimin 4-5-1, kanë disa dilema për të zgjidhur. De Biazi nuk ka luksin të mbajë jashtë futbollistin më në formë kuqezi, Shkëlzen Gashin, ndaj do t’i besojë atij fanellën e titullarit në këtë ndeshje, duke e rreshtuar në të majtë, ashtu si në klubin e tij. Alternativa e Gashit aktualisht nuk është Lenjani por Meha, i favorizuar nga fakti se mund të zgjidhë ndeshjen me një goditje dënimi. Në krahun e djathtë është i hapur balotazhi mes Odise Roshit dhe Andi Lilës. Në një ndeshje si ajo ndaj Armenisë ku duhet sulmuar, vlonjati duhej të ishte titullar i padiskutueshëm. Por aktivizimi i Lilës te Parma si mesfushor me tipare ofensive ka rihapur çdo diskutim, pasi ai ka dhuruar paraqitje bindëse duke treguar se mund të luajë edhe një rol të tillë.

Balotazh të hapur ka edhe në sulm, mes Balajt dhe Çikalleshit, dy lojtarë të destinuar për të bërë stafetë mes tyre pasi mbulojnë të njëjtin pozicion në formacionin e ideuar nga De Biazi. Italiani mendon se si sulmues i dytë, në rast nevoje, mund të aktivizohet Sadiku, ndërsa Salihi tani është kthyer në një rezervë luksi. Sulmuesi shkodran ka luajtur vetëm dy herë si zëvendësues në dhjetë ndeshjet e fundit të kuqezinjve, për më tepër në dy miqësore, sinjal i qartë se lamtumira e tij nga kombëtarja po afron gjithnjë e më shumë.

 


Dëmtimi


Mërgim Mavraj ka shqetësuar stafin teknik të përfaqësueses shqiptare pas dëmtimit që ka pësuar dje në stërvitjen e paradites. Mbrojtësi nuk mori pjesë në seancën e pasdites, i lënë pushim nga stafi, ndërsa sot pritet të zhvillojë teste më të specializuara për të kuptuar shkallën e dëmtimit të tij. Qendërmbrojtësi është një nga “të paprekshmit” e trajnerit De Biazi, duke luajtur në 22 takime me fanellën kuqezi gjatë drejtimit të teknikut italian, për të qëndruar jashtë vetëm për probleme dëmtimesh apo për grumbullim kartonësh. Kjo është arsyeja pse stafi mjekësor i kuqezinjve shpreson që ta kthejë në dispozicion të De Biazit për ndeshjen e së dielës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama