De Biazi Te jemi me kembe ne toke

De Biazi: Te jemi me kembe ne toke

Talentet – “Kohët e fundit shoh se ka gjithnjë e më shumë sinjale nga lojtarë të cilët luajnë në federata të ndryshme, që të kthehen këtu, sidomos ata që nuk kanë luajtur ende për kombëtaret e mëdha. Vëmendjen ndaj Shqipërisë e ka shtuar mundësia për të luajtur në një Europian”

Xhani De Biazi vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë, ndonëse sapo ka fituar ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij. Tri pikët e marra kundër Armenisë, të kombinuara me fitoren e Portugalisë ndaj Serbisë, e vendosin përfaqësuesen shqiptare në shinat e duhura për të synuar të paktën vendin e tretë në grup dhe pjesëmarrjen në play-off për Euro 2016. Por De Biazi vazhdon të bëjë thirrje për qetësi dhe mundohet të shmangë euforinë e tepërt mes lojtarëve, të cilët shpreson që të mbeten të përulur.

Në një interviste për “Radio24″, De Biazi ka shpjeguar se objektivi kryesor është të mbajë ekipin të përqendruar para 4 ndeshjeve të dyta, ta cilat përcaktojnë fatin e kuqezinjve. “Ne do të vazhdojmë të ushqejmë këtë ëndërr të kualifikimit derisa matematika të thotë të kundërtën. Deri tani, falë përulësisë dhe cilësive të mira të djemve, kemi bërë gjëra interesante. Rreziku është se mund të fluturojmë kur nuk ka ardhur ende momenti. Ndaj duhet të mendojmë të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe se 4 ndeshjet e tjera janë ato që ndryshojnë plotësisht të ardhmen tonë. Kjo është kryesorja”, tha trajneri i përfaqësueses.

Shqipëria është aktualisht e treta në grup, jashtë çdo parashikimi, por De Biazi është i bindur se gjërat mund të kishin qenë edhe më ndryshe nëse UEFA do të kishte vendosur në favor të kuqezinjve pas ngjarjeve të Beogradit. “Unë mendoj se Serbia është skuadra më e fortë në grup në nivel individual. Me shumë mundësi, i mungon shpirti i grupit që i bashkon lojtarët. Unë mendoj se ata kanë një cilësi shumë, shumë të lartë, sidomos në mbrojtje dhe në mesfushë, ndërsa në sulm varen nga forma e lojtarëve të momentit. Por nuk di të shpjegoj ende se si e kemi humbur ndeshjen kundër tyre në tavolinë, të vetmen që kemi humbur deri tani. Kemi fituar dy ndeshje e barazuar një, ndërsa kemi humbur në tavolinë një ndeshje në të cilën po barazonim dhe po mundoheshim ta fitonim. Ajo humbje 3-0, tani po bën diferencën në renditjen e grupit”, tha ai, duke iu referuar faktit se me një fitore të mundshme, Shqipëria do të mbante vendin e parë, duke kaluar edhe Portugalinë.

De Biazi është i bindur se nëse kuqezinjtë do të ishin treguar “aktorë” të mirë, do të kishin marrë një fitore në atë sfidë. Por trajneri para pikëve zgjedh karakterin që tregoi ekipi ndaj asaj që ndodhi në stadiumin “Partizan” të Beogradit. “Mendoj se është një padrejtësi. Ne ndoshta gabuam që qëndruam në këmbë dhe kundërshtuam ata që hynë në fushë të na dhunonin. Nëse do të ishim rrëzuar në tokë, të hynim në dhomat e zhveshjes, të kërkonim zëvendësimin e lojtarëve, ndoshta me pak mashtrim mund të fitonim ndeshjen. Zotërinjtë që gjykuan, këtu UEFA ka një përgjegjësi shumë të madhe, nuk kanë gjykuar faktet ashtu siç ndodhën. Mendoj se Shqipëria ka pësuar një dëm shumë të madh. Po të kishim qëndruar duarkryq ndaj goditjeve, do të kishim fituar, por kjo nuk është mënyra logjike për të trajtuar situata të tilla”, deklaroi trajneri i përfaqësueses.

Sipas tij, paraqitjet shumë të mira të Shqipërisë, po bindin talentet shqiptare anembanë Europës që të bëhen pjesë e kombëtares, me shpresën që një ditë të luajnë me fanellën kuqezi në një Europian. “Kohët e fundit shoh se ka gjithnjë e më shumë sinjale nga lojtarët, të cilët luajnë për Federata të ndryshme, që të kthehen këtu, sidomos ata që nuk kanë luajtur ende për kombëtaret e mëdha. Ka shumë vëmendje ndaj Shqipërisë dhe këtë e ka shtuar mundësia për të luajtur në një Europian, të cilin nuk është se e luan çdokush”, ishin fjalët e De Biazit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama