De Biazi Po te them sa eshte rroga ne Shqiperi nuk vjen njeri

De Biazi: Po te them sa eshte rroga ne Shqiperi, nuk vjen njeri

Kënaqësia e kualifikimit për herë të parë të Shqipërisë në një Kampionat Europian vështirë se do të harrohet ndonjëherë nga Xhani De Biazi. Por trajneri i kuqezinjve, përveç kësaj kënaqësie që ka përfituar duke hyrë në historinë e futbollit shqiptar, nuk e fsheh faktin se tashmë kërkon edhe të shpërblehet financiarisht për punën që ka bërë në drejtimin e kombëtares sonë.

Në një intervistë radiofonike për “Radio DeeJay” në Itali, trajneri ka pranuar se në bashkëbisedimin e parë që kishte bërë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, pas kualifikimit, një nga batutat ishte edhe “ka ardhur koha që të paguash”, duke iu referuar një rritje rroge të mundshme.

“Ishte thjesht një batutë, ndonëse e di se ka një kontribut të rëndësishëm financiar nga UEFA për skuadrat që marrin pjesë në fazën finale të Kampionatit Europian. Unë mendoj se jam mes trajnerëve më pak të paguar të kombëtareve të kualifikuara. Sa paguhem? Më mirë të mos e them se pastaj nuk shkon më askush te Shqipëria. Por kënaqësia e kualifikimit të Shqipërisë nuk ka çmim, janë situata që të lënë pa fjalë, të mbushin me krenari dhe dinjitet, të cilat janë gjërat më të rëndësishme në jetë”, tha De Biazi në këtë intervistë të dhënë gazetarëve të njohur Ivan Zazaroni dhe Fabio Karesa.

Këta të fundit kërkonin me ngulm të dinin se çfarë do të bënte De Biazi pas eksperiencës në Europian, nëse do të vazhdonte të ishte pjesë e përfaqësueses kuqezi, apo nëse do t’i bashkohej një kombëtareje tjetër apo klubeve. Trajneri pranoi se aktualisht nuk kishte asnjë të re në këtë aspekt, por mbetej i qetë, falë mirëkuptimit që kishte me FSHF-në. “Do të ndalem për momentin të shoh se çfarë mund të bëj. Duhet të flas më parë me Federatën, për të kuptuar nëse duan që të vazhdojnë me mua apo të ndjekin rrugë të tjera. Meqë kemi një marrëdhënie të mirë mes nesh, nuk do të ketë probleme nga kjo pikëpamje”, theksoi ai.

Sido që të shkojnë bisedimet mes De Biazit dhe FSHF-së, trajneri është shumë i lumtur me këtë eksperiencë që ka bërë në Shqipëri, duke e kthyer kombëtaren në një emër të njohur në arenën ndërkombëtare dhe duke i shërbyer edhe ai kauzës së afrimit drejt Europës të vendit tonë. “Mendoj se Shqipëria po i afrohet gjithnjë e më shumë Europës, me dëshirë dhe entuziazëm. Është një popull shumë i ri, që ka entuziazmin e të rinjve dhe që kërkon nëpërmjet studimeve, apo edhe nëpërmjet këtij shembulli që dhanë lojtarët e mi, që të bëjnë të mundur të pamundurën. Ky është një mesazh i rëndësishëm sidomos për më të rinjtë”, theksoi De Biazi në këtë intervistë për radion e njohur italiane, raporton Shqip.

Pas nderimeve më të larta që mori në Shqipëri pas kualifikimit, për trajnerin e kuqezinjve kanë ardhur edhe vlerësimet në vendlindjen e tij. Bashkia e Koneljanos, ku banon De Biazi me familjen e tij, i ka dhënë atij titullin “Cima da Conegliano”, me motivacionin “pasi ka ditur të edukojë të rinjtë dhe të rriturit me vlerat e besnikërisë dhe disiplinës, duke u bërë ambasador i qytetit tonë në botë”.

Në fjalimin e tij, trajneri nuk ka ngurruar të ftojë italianët që të kopjonin shqiptarët, për përkushtimin ndaj kombit. “Unë kam prezantuar kudo ku kam qenë krahinën e Trevizos, prejardhja ime më ka mbajtur gjithmonë këtu, afër vendit ku kam lindur. Por në Shqipëri kam gjetur një përkushtim ndaj fanellës, ngjyrave dhe flamurit që nuk e gjej në Itali. Ne duhet të dëgjojmë më fort thirrjen e kombit tonë, të flamurit tonë dhe të tregojmë më shumë zemër ndaj asaj që bëjmë. Nëse i bën gjërat me zemër dhe me pasion, është më e lehtë të arrish objektivat që i ke vënë vetes”, tha De Biazi.

Menaxheri

Bushi: Kemi dhënë 200% në fushë

Menaxheri i kombëtares shqiptare, Alban Bushi, ka pranuar për mediat greke se ky kualifikim i Shqipërisë ishte i papritur për të gjithë. “Nuk e prisja, pasi ishim në një grup shumë të vështirë me skuadra të forta. Por ne morëm çdo ndeshje me radhë, dhamë 200% në fushë për të marrë fitoren dhe padyshim që ishte një sukses i madh për ne. Futbolli në Shqipëri ka ndryshuar, por 70% e lojtarëve të kombëtares luajnë jashtë. Në Shqipëri nuk ekziston ende infrastruktura e duhur për nivele të larta. Unë duhet të falënderoj trajnerin dhe stafin, ashtu si edhe njerëzit që na kanë mbështetur dhe na kanë dhënë një ndihmë të vlefshme, në çdo ndeshje në transfertë kishim edhe 5-6 mijë tifozë me vete”, deklaroi Bushi për “Sport24 Radio 103,3”.

Mesfushori

Memushaj: Pse të mos jemi ne surpriza e Europianit?

Për Ledian Memushajn, ashtu si për çdo futbollist tjetër shqiptar, kualifikimi historik në Euro 2016 ka qenë kulmi i karrierës së tij. Por mesfushori shqiptar nuk ka qejf të ndalet këtu dhe mendon se Shqipëria i ka aftësitë të vazhdojë të dhurojë rezultate të tjera të rëndësishme. “Shkojmë në Francë pa asnjë trysni.

Mund të paraqitemi mirë atje dhe të bëhemi ne surpriza e Europianit, pasi kemi treguar se nuk jemi inferiorë ndaj askujt. Gjatë kohëve të fundit kemi mundur në miqësore Francën dhe në kualifikuese Portugalinë. Përse të mos e provojmë përsëri të bëjmë të njëjtën gjë edhe në Europian?”, ishin fjalët e futbollistit i cili ka krahasuar De Biazin me Kapelon për mënyrën se kërkonte respektimin e rregullave. Në fund, ai ka treguar se këtë arritje historike ia kushtonte një personi shumë të veçantë. “Ia kushtoj gjyshit tim, Bilbil, i cili më bëri të dashurohesha me futbollin, pasi më tregonte histori të Riza Lushtës, i cili kishte luajtur me Juventusin”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama