e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi: Mbetemi me kembe ne toke

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi: Mbetemi me kembe ne toke

“Mirë do të do të ishte ta diskutonim në këto momente, pasi më vonë mund të ndryshojë situata”. Xhani De Biazi kërkon Europianin ne Shqipërinë, por edhe një tjetër kontratë me Shqipërinë. Gjithsesi, në ditën e shkëlqimit, trajneri italian kërkon që ekipi të qëndrojë me këmbë në tokë. “Ishte një ndeshje shumë e mirë dhe mendoj se futbollistët iu përgjigjen me sukses detyrave që iu dhashë. Pavarësisht se kishim mungesa, kjo nuk na demoralizoi dhe lojtarët që luajtën treguan siguri në fushë.

Kjo ishte një ndeshje që nuk shërben për asgjë, por megjithatë besoj se lojtarët do të jenë me moral të lartë në ndeshjet e shtatorit. Nuk është detyrim të shkosh në Francë, detyrim është të përmirësohesh më shumë, të qëndrosh me këmbë në tokë dhe të shmangësh euforimë, sepse euforia do të ishte një armik i madh. Jemi të organizuar, kemi shfrytëzuar karakteristikat e futbollistëve që kemi në dispozicion. Kemi djem të mirë që janë edhe lojtarë të mirë dhe që po bëjnë mirë në klubet e tyre. Është mirë të kesh alternativa në skuadër, sepse rrugëtimi është i gjatë dhe mund të kemi dëmtime dhe pezullime. Ata që zbritën në fushë bënë një lojë shumë të mirë.

Cikalleshi kishte shpenzuar shumë energji dhe në situata të tilla mund të biesh fizikisht. Por ai ka bërë një ndeshje shumë të madhe përballe lojtarëve me cilësi dhe të fortë shumë fizikë. E zëvendësova sepse ishte shumë i lodhur. Unë jam i kënaqur me të gjithë ata që i kam hedhur në fushë, Aliji, Ajeti, Memushaj edhe Basha që vinte pas një kohe të gjatë, Kaçe, lojtarë që na japin besim, sidomos dyshja qendrore”, është shprehur De Biazi.

I dërrmuar, por edhe duke pranuar fajin. Ky ishte Didier Deshamp pas ndeshjes së djeshme në “Elbasan Arena”. Ai pohon se Shqipëria e meriton kualifikimin, dhe se skuadra e tij nuk bëri asgjë në fushë. “Shqipëria është një ekip që po na vendos shumë në vështirësi. E bëri në Francë pasi na mbajti barazim dhe këtu arriti të na mundë. Jemi duke luajtur jo mirë dhe duhet të ndryshoj gjithçka pasi kështu nuk mund të vazhdojmë. Futbollistët nuk mu përgjigjen dhe kjo nuk shkon.

Sigurisht që përgjegjësia kryesore e këtyre humbjeve është e gjitha e imja, dhe dua t’u kërkoj falje tifozëve. Sigurisht që Shqipëria deri tani ka treguar se e meriton kualifikimin në Europian dhe unë mendoj se e meriton absolutisht që duhet të jenë, këtë e tregon edhe renditja e tyre në klasifikim”, u shpreh Deshamp.