e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi: Januzajt i kam cuar 1 mije sms

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi: Januzajt i kam cuar 1 mije sms

Xhani de Biazi mburret me Etrit Berishën në Itali. Jo vetëm sepse portieri i Lacios dhe i Kombëtares shqiptare është një zbulim i tij, por sepse gardiani kuqezi ka marrë sërish nota pozitive pas derbit me Romën 0-0. Trajneri i Shqipërisë e përkufizon si “të egër” qëndrimin e Berishës në portë dhe, sipas tij, ai vetëm do të përmirësohet. “Të luante titullar në derbi ishte një ngjarje e madhe për të, dhe Berisha nuk zhgënjeu. Qëndrimi dhe sjellja e tij në kuadratin e portës janë të egra, por kjo e përmirëson atë. Jam i bindur që te Lacio do të përmirësohet shumë në të ardhmen”, – ka thënë De Biazi për të përditshmen italiane “Corriere Dello Sport”.


Cilësitë Etrit Berisha ka shkëlqyer këtë sezon te Lacio. Ai ka fituar tashmë vendin e titullarit te bardhekaltrit, kundër një prej portierëve më të mirë në Itali: Marketit. Një arritje e madhe që e mbush me shpresë De Biazin edhe për të ardhmen. “Berisha është një pikë referimi në përfaqësuesen tonë. Ai ka shumë potencial dhe po tregon më së miri se është i aftë që të bëjë diferencën edhe në nivele kaq të larta. Gjithsesi, ai duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të punojë sistematikisht, sepse Seria A është një kampionat shumë i fortë”, – ka deklaruar trajneri. 57-vjeçari italian në të kaluarën është mburrur se Berishën e ka zbuluar ai te Kalmari. “Berishën e kisha parë në disa video në youtube dhe këmbëngula që ta merrja, sepse më ranë në sy cilësitë e tij”, -pat deklaruar trajneri.


Janzuaj Nëse për Berishën ka shumë optimizëm dhe biseda është mjaft pozitive, për Adnan Januzajn ndodh krejt e kundërta dhe kjo ia ndryshon menjëherë humorin De Biazit. “I kam dërguar një mijë mesazhe dhe nuk më është përgjigjur kurrë…”, – ka qenë deklarata e prerë e tij, duke lënë të kuptohet se talenti kosovar i Mançester Junajtid ka pak shanse që të zgjedhë Shqipërinë në të ardhmen.