Cfare ndryshon ne grupin I pas vendimit te UEFA-s?
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vendimi i dyshimtë i UEFA-s për ti dhënë Serbisë fitoren 3-0 në tavolinë në ndeshjen ndaj Shqipërisë nuk duket se do të ndryshojë shumë në klasifikimin e skuadrave në grupin I. Tabela e klasifikimit është e njejtë me atë të para fillimit të ndeshjes Serbi-Shqipëri. Danimarka dhe Shqipëria udhëheqin grupin me 4 pikë, ndërsa Portugalia pas fitores së arritur në Kopenhagen është ngjitur në vendin e tretë me tre pikë. Në vendin e katërt dhe të pestë ndodhen Serbia dhe Armenia me nga një pikë secila.
Fitorja 3-0 në tavolinë nuk ka efekt tek renditja e Serbisë pasi ekipi serb u dënua me heqjen e tre pikëve për shkak të dhunës së ushtruar në stadiumin e Beogradit në ndeshjen me Shqipërinë.
Në nivel hipotezash është vendimi i Komisionit të Apelit ai që mund të ndryshojë thellësisht renditjen në grupin I.
Shqipëria do të apelojë vendimin e Komisionit të Disiplinës në të cilin është dënuar me humbjen në tavolinë, duke kërkuar edhe njëherë tjetër fitoren në ndeshjen me Serbinë. Një vendim i ri për ti dhënë fitoren Shqipërisë do e ngjiste Kombëtaren tonë të vetme në krye të klasifikimit me 7 pikë. Por ky veprim do të ishte katastrofal për Serbinë, të cilën heqja e fitores në tavolinë do e zbriste në kuotën e -2 pikëve për shkak të dënimit që ka marrë me heqjen e tre pikëve për dhunën e ushtruar në stadium. Me këtë rezultat, Serbia do të dilte përfundimisht nga gara për tre vendet e para.
Edhe Serbia ka deklaruar se do të apelojë vendimin e Komisionit të Disiplinës, i cili e ka dënuar atë me heqjen e tre pikëve. Nëse ky komision pranon kërkesën serbe atëherë ekipi serb do të ngjitej në kuotën e 4 pikëve po aq sa edhe Danimarka e Shqipëria.
Gjithsesi, për momentin jemi akoma në nivel hipotezash pasi Apelit do ti duhen disa javë për të nxjerrë përfundimet e tij, ku ekziston mundwsia që ky Komision të lërë në fuqi vendimin e marrë nga Komisioni i Disiplinës.