Cani 'blindon' krizen, shperthen Memushaj
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sulmuesi sërish në pankinë. Nuk luan si titullar prej 9 javësh.
Fantazisti kuqezi shënoi golin e parë, dje në fushën e Kaprit.
Edgar Çani është në krizë reale te Kapri, teksa lojtari tjetër, Ledian Memushaj, shënoi sërish në fitoren 3-1. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk është aktivizuar as në ndeshjen e djeshme që Kapri fitoi 3-1 në transfertë ndaj Lançianos, duke vulosur tashmë momentin negativ në të cilin ndodhet. Sulmuesi i Kombëtares nuk luan një ndeshje si titullar që nga takimi Kapri-Latina (1-1), takim në të cilin u zëvendësua në minutën e 67-të nga Ingleze. Nga ai moment janë luajtur edhe nëntë ndeshje të tjera dhe në disa raste Çani ka qenë në pankinë, por nuk është aktivizuar fare. Ndërkohë ai ka luajtur nga minuta e 72-të në Trapani- Kapri (0-1) dhe Kapri- Krotone (1-2).
Nga minuta e 79-të në Modena-Kapri (2-3) dhe nga minuta e 70-të në Peskara-Kapri (4-2). Pra, në pesë takime të tjera, sulmuesi nuk ka luajtur fare. Sakaq, në ndryshim nga ai, po shkëlqen Ledian Memushaj, i cili jo vetëm që është një titullar i padiskutueshëm te Kapri, por ka shënuar edhe gola të rëndësishëm për këtë skuadër, pavarësisht se është një mesfushor dhe jo sulmues tipik. Edhe dje në Lançiano- Kapri, Memushaj shënoi golin e parë për ekipin e tij dhe të barazimit të përkohshëm. Në minutën e 22-të, kur takimi ishte 1-0 për vendësit, Memushaj shfrytëzoi më së miri një asist të Sgrinjës dhe nga jashtë zonës lëshoi një predhë, e cila u ndal në cepin e majtë të portierit. Sakaq, lojtari i lindur në Vlorë, por rritur futbollistikisht në Itali, ishte protagonist edhe në golin e dytë dhe të avantazhit, teksa mori pjesë në aksionin e këtij goli të shënuar nga Leticia.
Sakaq, Memushaj u ndëshkua edhe me një karton të verdhë për një ndërhyrje të gabuar. Gjithsesi, Kapri fiton në transfertë, ku meritën kryesore e ka pikërisht lojtari shqiptar. Po në Itali dhe në Serinë B, Empoli është mundur në fushën e vet 1-0 nga Çitadela. Hysaj luajti si titullar, por u zëvendësua nga Mario Rui në minutën e 67-të. Ishte pikërisht ky lojtar më pas, që u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje brutale në dëm të një lojtari kundërshtar, në minutën e 82-të, duke e lënë Empolin me 10 lojtarë. Ndërkohë, Palermo i Samir Ujkanit fitoi 1-0 me Ternanën falë golit të Morganelës. Portieri kuqezi luajti si titullar deri në fund të takimit. Pas javës së 20- të në Serie B, kryeson Palermo me 37 pikë, e ndjekur nga Empoli me 36 pikë. Kapri është në vend të 12-të me 27 pikë, po aq sa ka edhe Latina, por skuadra e dy shqiptarëve (Çani dhe Memushaj) ka një ndeshje më pak, pasi nuk ka zhvilluar ende takimin e javës së dytë, Kapri-Padova, e cila u pezullua për shkak të një problemi në impiantin e ndriçimit, teksa luhej ky takim.