e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cana: S'do luaj me ne mesfushe, grupi eshte forca e Shqiperise

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cana: S'do luaj me ne mesfushe, grupi eshte forca e Shqiperise

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka thënë se nuk do të luajë më në mesfushë për shkak të gjendjes fizike në rënie, duke shtuar se ndihet i sigurt në mbrojtje. Teksa ka folur për mediat italiane për të shkuarën e tij dhe të tashmen, Cana zbuluar një detaj interesant për të ardhmen; që nuk do të luajë më në mesfushë. Ai tha se ndihet më i sigurt si mbrojtës, pozicion për të cilin ka mësuar shumë falë përvojës së tij në radhët e Lacios.

“Unë kam luajtur te Marseja dhe kombëtarja shqiptare si në mesfushë, ashtu edhe në mbrojtje, dy role të ndryshëm që gjithsesi i kam mbuluar. Por tani nuk kam më të njëjtat mundësi fizike që kisha 10 vite më parë, nuk mund të bëj me presing njëlloj siç bëja te PSG apo Olimpik Marseja. Pastaj, kur erdha në Itali, kam mësuar shumë për mbrojtjen, pasi ka shkollën më të mirë të mbrojtësve në botë. Kjo edhe pse në fillim nuk ishte e lehtë, meqë kisha disa probleme fizike (fraktura e brinjëve në Siena).

Deri atë ditë nuk kisha pësuar asnjëherë një dëmtim të rëndë. Për ne futbollistët, të qëndrosh jashtë fushës nuk është e lehtë, por këto episode të bëjnë më të fortë dhe të lejojnë të rritesh. Pastaj, erdhën me radhë gjërat e bukura si arritja e shifrës së 100 ndeshjeve me këtë fanellë, fitorja e Kupës së Italisë dhe shumë kujtime të tjera pozitive”, shpjegoi Cana për radio “Lazio Style”.

Cana ka qenë një lider në mesfushë, por edhe me kthimin në mbrojtje, në radhët e kombëtares shqiptare, ai ka mbetur i tillë. 31-vjeçari ka treguar se nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësive edhe për shkak se është aktivizuar që në moshë të re në ekipe shumë të rëndësishme.

“Që kur isha shumë i ri kam pasur shumë përgjegjësi. Në moshën 19- vjeçare kalova nga akademia e PSG-së tek ekipi i parë dhe ajo ishte një mundësi për t’u rritur më shumë. Pastaj në Marsejë gjërat shkuan shumë mirë, që 24 vjeç u bëra kapiteni më i ri i historisë së asaj skuadre. Nëse një skuadër dëshiron të arrijë një objektiv, duhet gjithmonë të ketë të njëjtin mentalitet, përndryshe nuk arrin askund. Unë kam provuar gjithmonë ta bëj një gjë të tillë, sidomos në radhët e Kombëtares shqiptare, ku nuk kemi lojtarë shumë të fortë. Forca jonë është grupi, arrijmë rezultatet pasi besojmë se mund ta bëjmë një gjë të tillë”, deklaroi Cana.

Ai ka vlerësuar gjithashtu edhe kolegun e tij në repartin e prapavijës te Lacio, holandezin De Vrij, i cili shihet si një nga mbrojtësit më të fortë në botë.

 “Kisha dëgjuar të flitej për të para Botërorit, si një futbollist që potencialisht mund të shpërthente në futbollin holandez. Nuk luante me vazhdimësi, por binte në sy. Iu dha një mundësi e jashtëzakonshme në moshën 22-vjeçare dhe ai e shfrytëzoi më së miri”, tha Cana për holandezin.