Bufon: Tërhiqem 40 vjeç dhe pastaj do të stërvis
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndoshta është pozi cioni i tij në fushë, i cili i lejon që të shohë gjërat më qartë dhe me një gjerësi "gjeografike" të veçantë, ndoshta është personaliteti i tij që e dallon nga të tjerët prej shumë vitesh, ndoshta është pjekuria dhe eksperienca prej 21 vitesh në fushë, përveçse 38 vitet mbi shpatulla....
Prandaj të intervistosh Xhanluixhi Bufonin është gjithmonë diçka speciale, këndvështrim iluminues mbi botën e futbollit dhe jo vetëm. Kapiteni i Juventusit dhe i Kombëtares së Italisë ka qenë protagonisti i kopertinës së francezes "So Foot", një intervistë në të cilën Bufon flet pa kafshuar gjuhën, mbi futbollin dhe jo vetëm.
Revolucioni
Tema e parë e diskutimit është jeta e tij prej portieri, revolucionar, pasi vetëm Bufon nënvizon se nëse Nojer mund ta ketë bërë një etiketë të tijën faktin e të luajturit larg portës dhe shumë shpesh me këmbë, është diçka që nuk i përket gjermanit, përkundrazi...
"Nojer nuk ka revolucionuar aspak rolin e portierit, sepse atë çfarë ai bën tani, unë e bëja që në kohët e Parmës së Malezanit, me të cilin fituam Kupën UEFA, Kupën dhe Superkupën e Italisë.
Gjithmonë kam qenë i predispozuar që të luaja me këmbë, ndonëse risinë e vërtetë të kësaj loje të re të portierit e shpiku Barcelona, disa dhjetra vite më parë, ku edhe portieri duhej të merrte pjesë në lojën ndërtuese të ekipit".
Ndërkohë, është një mëkat që shkolla italiane e portierëve ka humbur disi gjurmët. "Kjo ka ardhur sepse te ne, edhe pse nëse bën 100 pritje brenda një ndeshjeje, por gabon në një rast të vetëm, gjatë të gjithë javës do të flitet vetëm për gabimin tënd, diçka që të bën të tërbohesh dhe të mos stërvitesh dhe luash më i përqendruar, - shpjegon Bufon.
Ndërsa në botë mund të gabosh dhe të rritesh i qetë. Në Itali, kush gabon është i varrosur. Te ne, kushdo që qëndron në nivelet e larta për shumë vite nuk është i fortë vetëm teknikisht, por edhe psikologjikisht".
Depresioni
Edhe një si Bufoni, i cili ka gabuar pak herë në fushë, pranon se disa paraqitje dhe disa kritika ndaj tij bënë që në vitin 2003, ai të hynte në depresion. "Kjo mund t'i ndodhë të gjithëve, por edhe unë rashë pre e tij në një mënyrë banale. Isha 26 vjeç dhe aty e kuptova periudha moskokëçarjes kishte përfunduar, prandaj hyrja në fazën e pjekurisë më provokoi atë që unë jetova për disa muaj.
Rashë në depresion, por nuk mora asnjë lloj ilaçi, sepse asnjëherë nuk kam qenë i varur nga askush dhe asgjë. Kërkova dhe ia dola ta fitoja vetë këtë betejë, thjesht duke komunikuar me disa shokë të mirë". Gjithsesi, shërimin e vërtetë ai e gjeti në fushë, në Botërorin 2004, në debutimin kundër Norvegjisë.
"Kur zbrita në fushë kisha një ankth të madh, dridhesha, por me kalimin e minutave, duke u mbështetur pak te talenti dhe pak te fati ia dola që të bëja një ndeshje të mirë.
Përfundoi 0-0, por personalisht isha i lumtur, sepse pas asaj ndeshjeje kuptova se e kisha kaluar depresionin, kisha zgjidhur përfundimisht problemin tim".
E ardhmja
Pavarësisht dramës së më shumë se një dekade më parë, sot Bufon vazhdon të jetë në elitë dhe gjithmonë protagonist, me ngjyrat bardhezi dhe ato të kaltra, portieri pranon se ndjenjat e tij për futbollin po ftohen.
"Edhe pse sot nuk kam të njëjtin pasion si në fillimet e karrierës, diçka që është normale me kalimin e viteve, personalisht ndjej ende kënaqësi për sfidën, për ato të rëndësishme si Europiani e Botërori, Champions-i". Në në pritje të turneut francez, pikërisht Xhanluixhi Bufon është ylli më i madh i Kombëtares së Antonio Kontes, sepse tanimë mungojnë yjet si Roberto Baxho, që portieri vlerëson: "Robi, për mua, ishte i fortë po aq sa Maradona, por me më pak personalitet, - nënvizon 38-vjeçari, i cili në lidhje me problemin se brezat italian të talentuar po zhduken, ai beson se problemi kryesor është një, por aspak i vogël.
Në kohën time, të rinjtë luanin jo vetëm në oborret e kishave e shkollave, por kudo që të kishin mundësinë të pasonin topin. Të rinjtë e sotëm janë të gjithë përpara kompjuterit, Ipad'-it, një futboll virtual, i cili vret totalisht pasionin për t'u provuar në fushë.
Dhe akoma më keq, kur ka talente që dalin në sipërfaqe, ata nuk ngurojnë që të largohen, sepse në Itali pak i vlerësojnë, si në rastin e Verratit për shembull.
Jam i ndërgjegjshëm se një faktor i rëndësishëm është edhe aspekti ekonomik që në Itali ka nisur të mungojë. Sepse kur mendon se në të ardhmen do të kemi skuadra si Noruiçi për shembull në Champions, vetëm falë faktit se një sheik vendos të investojë, i gjithë futbolli do të marrë një shuplakë të rëndë.
Muhd të duket diçka e shëmtuar e thënë nga unë, por futbolli nuk është vetëm parà, por mbi të gjitha traditë, fryt i një pune dhe djerse shekullore, e atyre që të kanë paraprirë. Ndoshta, edhe lojtarët sot mendojnë të bëjnë vetëm parà, por unë në jetën time nuk kam luajtur kurrë për to.
Edhe pse më kanë ofruar dhe nëse do të më ofronin edhe sot dyfishin e asaj që përfitoj te Juventusi, skuadrën time nuk do ta ndërroja kurrë. Të qenit pjesë e Juventusit më bën gjithmonë e më shumë krenar.
E kuptoj që vlera të tilla mund të jenë jashtë mode sot, por të luash në një klub si ky, në të tilla nivele të larta, edhe pse 38- vjeçar, është një arsye më shumë për t'u mburrur.
Personalisht mendoj se luaj deri në moshën 40-vjeçare, pastaj... stop". Në lidhje me planet e të ardhmes, Xhanluixhi Bufon pranon se roli i trajnerit i pëlqen. "Jam gati që pas futbollit të luajtur të nis të stërvis, në rang kombëtaresh do më pëlqente më shumë, por gjithmonë nëse ekziston ambicia për të arritur nivele dhe objektiva të lartë.
Nuk e shoh veten trajner të Italisë, pasi aktualisht po vëzhgoj vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina, shtete me një potencial të lartë, të cilat pas një dyzine me vite mund të tentojnë të fitojnë në rang ndërkombëtar", - përfundoi mbrojtësi ekstrem.
Përgatiti: JETON STAMOLLA